Me Husejnin (a.s.), atributet më të dalluara të Imam Husejnit (2)
(last modified Tue, 17 Aug 2021 19:15:17 GMT )
Gusht 17, 2021 21:15 Europe/Tirane
  • Me Husejnin (a.s.), atributet më të dalluara të Imam Husejnit (2)

Imam Husejni (a.s.) është një diell që nuk ka perëndim dhe rrezet e ekzistencës së tij për shekuj me radhë po rrezojnë mbi zemrat e dashamirëve të tij dhe gjithnjë kanë ndezur zjarrin e dashurisë në qenien e tyre.

Emri dhe kujtimi i Imam Husejnit (a.s.) dhe kryengritja e Imam Husejnit (a.s.), edhe pasi kanë kaluar shumë shekuj, vazhdon të jetë e gjallë në zemrat e besimtarëve dhe po qëndron e pavdekshme. Dashamirët e Imam Husejnit (a.s.) edhe një herë kanë organizuar grupet dhe karvanët e zimbajtjes dhe duke respektuar protokollet shëndetësore, vajtojnë dhe mbajnë zi me dashurinë për Imam Husejnin (a.s.). Ragheb Esfahani, letrar dhe komentues i Kur’anit të shenjtë, në një fjali gnostike në lidhje me Imam Husejnin (a.s.), thotë: “Husejni (a.s.) është ajo verë e pastër të cilën Zoti i madhëruar dhe i pafillim dhe i pambarim, e ka derdhur në zemrat e besimtarëve dhe i ka dehur ato zemra me dashurinë husejnite”.

Kush është ky Husejni pas të cilët u çmend e gjithë bota

Dhe çfarë qiri është ky që të gjithë shpirtrat janë mbledhur si flutura rreth tij

Po, Imam Husejni (a.s.) është si një diell që nuk ka perëndim dhe rrezet e ekzistencës së tij për shekuj me radhë kanë rrezuar mbi zemrat e besimtarëve të dashuruar dhe në qenien e tyre kanë ndezur zjarrin e dashurisë. Ai është anije e shpëtimit dhe drita e udhëzimit që i udhëzon të gjithë njerëzit drejt shpëtimit dhe lumturisë së amshueshme. Profeti i nderuar i Islamit Hazreti Muhamed s.a.v.s. thotë: “ Me të vërtetë Husejni është drita e udhëzimit dhe anije e shpëtimit”. Anija e shpëtimit e Imam Husejnit (a.s.) përgjatë gjithë historisë po lëviz dhe po e thirr të gjithë njerëzimin që të largohet nga zhgënjimi dhe pesimizmi, nga nihilizmi dhe nga paidentiteti, të largohet nga ateizmi dhe nga jeta e shfrenuar dhe t’i bashkohet rrugës së Vilajetit të Ehli Bejtit (a.s.) dhe nga familja e Profetit Muhamed s.a.v.s. të mësojë rrugën dhe zakonin e robërisë ndaj Zotit në mënyrë që të arrijnë në brigjet e dinjitetit dhe fisnikërisë njerëzore. Imam Husejni (a.s.) ka thënë: “O njerëz! Zoti i madhëruar i ka krijuar robërit e tij në mënyrë që ata ta njohin Atë dhe pasi që ta njohin Atë, ta adhurojnë Atë dhe atëherë kur ta adhurojnë Atë, të mos kenë nevojë për të adhuruar diç tjetër përveç Atij”.

Në studimin e personalitetit të Imam Husejnit (a.s.), ajo që duket më shumë se atributet e tjera të Imam Husejnit (a.s.), është pikëpamja e tij monoteiste ose e besimit islam e cila e rrjedhshme dhe qarkullon në të gjitha veprimet dhe fjalët e Imam Husejnit (a.s.). Imam Husejni (a.s.) është aq shumë i zhytur në monoteizëm dhe në besimin në një Zot sa që duket se në çdo vepër dhe fjalë, ai kërkon të fitojë vetëm kënaqësinë e Zotit të madhëruar. Vëmendja ndaj besimit në një Zot në të gjitha çështjet dhe sferat e Zotit, është karakteristikë e dalluar e të gjithë profetëve dhe të dashurve të Zotit dhe në personalitetin e Imam Husejnit (a.s.) kjo karakteristikë është manifestuar në mënyrë më të madhe dhe më konkrete. Kështu që nëse hidhet një vështrim mbi jetën e Imam Husejnit (a.s.), ligjëratat dhe lutjet e duatë e tij, tregon se çështja e besimit në Zot dhe monoteizmi në jetën e tij më shumë se çdo gjë tjetër. Fjalët e Imam Husejnit (a.s.) si gjatë ligjëratave të tij në Meke dhe në Mina, ashtu edhe në fjalimet e tij gjatë rrugës drejtë Qerbelasë në kohën e krynegritjes së Ashurasë, gjithnjë kanë qenë në bazë të besimit gnostik në një Zot. Imam Husejni (a.s.) në një fjalim të bukur u bënë thirrje njerëzve që ta adhurojnë Zotin dhe i porosit ata duke thënë: “Një grup i njerëzve e adhurojnë Zotin nga dëshira për të shkuar në parajsë dhe ky lloj i adhurimit është adhurim i tregtarëve, një grup tjetër i njerëzve e adhurojnë Zotin nga frika e zjarrit të ferrit dhe ky lloji adhurimit është adhurim i skllevërve ndërsa është edhe një grup i njerëzve të cilët e adhurojnë Zotin për arsye se Zoti e meriton të adhurohet dhe ky lloj i adhurimit është adhurim i njerëzve të lirë dhe është adhurimi më i mirë dhe më i lartë”.

Imam Husejni (a.s.) është zotëria i të gjithë njerëzve të lirë të botës dhe ishte prej adhuruesve më të mirë të Zotit. Ai ka lutje dhe dua me plotë dashuri ndaj Zotit në të cilat pasqyrohet kulmi i njohjes së Zotit dhe besimit në Zot. Lutja e Arafatit në vete është një fletushkë në të cilën Imam Husejni (a.s.) me një vështrim gnostik, ka shpjeguar udhëtimin e tij spiritual dhe kjo dua konsiderohet një prej burimeve më të pasura për njohjen e Zotit dhe njohjen e botës. Në disa pjesë të këtyre lutjeve gnostike thuhet: “O Zot, ti je më i afërmi të cilin e thërrasin njerëzit dhe më i shpejti që u përgjigjet thirrjeve dhe më bujari që fal dhe më fisniku që dhuron dhe dëgjuesi më i madh nga i cili kërkohet diçka! O më i mëshirshmi i kësaj bote dhe i botës tjetër dhe më falësi në të dy botët. Askush nuk është si Ti pranë të cilit bëjnë lutje dhe përveç teje nuk ekziston askush që të jetë dëshirë e njerëzve... Të kam thirr Ty dhe Ti më je përgjigjur, të kam lutur Ty dhe Ti më ke dhuruar mirësi dhe më është rritur dëshira për Ty, më mëshiruar mua dhe unë kam gjetur siguri te Ti dhe jam strehuar te Ti dhe Ti më ke mjaftuar mua!”.

Imam Husejni (a.s.) është ai që në lidhje me personalitetin e tij të madh, Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka thënë: “Me padyshim se Husejni është një prej dyerve të parajsës”. Ai gjithnjë ka qenë i mishëruar me përmendjen e Zotit në çfarëdo rrethana. Kur’ani i shenjtë, thotë se përmendja e Zotit i jep qetësi dhe siguri zemrave të besimtarëve, prandaj edhe Imam Husejni (a.s.) e kishte qetësuar zemrën e tij të pastër duke përmendur Zotin dhe për çdo çast i shtohej dhe forcohej besimi i tij, ashtu siç thuhet edhe në ajetet kur’anore: “Zoti është ai i cili e vendos qetësinë dhe madhërinë e dinjitetin në zemrat e besimtarëve në mënyrë që të shtohet dhe forcohet besimi i tyre”. (Surja Fat’h, ajeti 4).

Kjo që Imam Husejni (a.s.) në ditën e Ashurasë ka përjetuar vuajtjet dhe tragjeditë më të mëdha si martirizimin e të birit të tij gjashtë mujor Ali Asghar, martirizimin e djalit të tij rim Ali Akbar dhe martirizimin e familjarëve dhe shokëve të tij besnikë, por që nuk iu krijua kurrfarë dyshimi, stresi, dileme, frike dhe tmerri në qenien e tij, ishte për arsye se brendësia e Imam Husejnit (a.s.) ishte e përkushtuar te Zoti i madhëruar. Imam Husejni (a.s.) vazhdimisht e përmendte emrin e Zotit dhe e kujtonte Zotin në zemrën e tij. Në ditën e Ashurasë ai përsëriste shumë shprehjen “La havle ve la kuvetu il-la bil-lah” dhe shqiptonte këtë pjesë të ajetit kur’anor “In-na All-llah va in-na ilejhi raxhi’un” në mënyrë që tua kujtojë armiqve zemërzi të tij që të gjithë njerëzit do të kthehen te Zoti dhe vrasja e nipit të Profetit të nderuar të Zotit nuk do të sjell asgjë tjetër për ata, përveç hidhërimit të Zotit. Imam Husejni (a.s.) shumë herë me dhembshuri u ka bërë thirrje ushtrisë kundërshtare që të kthehen në adhurimin e Zotit dhe në ndjekjen e Vilajetit të tij, për arsye se e dinte se Jezidi është një njeri i pafe, me jetë të shfrenuar dhe nuk i përmbahet kurrfarë parimeve dhe ai e ka devijuar dhe shtrembëruar fenë dhe ka përhapur risitë, prandaj nuk e meriton që të jetë khalif i myslimanëve. Mirëpo Imam Husejni (a.s.) kur e pa që ambiciet për pasuri dhe të mira materiale të kësaj bote u kishin verbuar sytë ushtarëve të ushtrisë së Jezidi dhe ua kishin mbyllur veshët atyre, u tha atyre: “Djalli ka ngadhënjyer mbi ju dhe ka larguar përmendjen e Zotit nga mendja dhe zemra juaj! Turpi qoftë mbi ju dhe mbi qëllimet tuaja! Ne jemi të Zotit dhe do të kthehemi te Zoti”.

Një tjetër atribut i bukur i Imam Husejnit (a.s.) është dinjiteti, krenaria dhe liria. Ky atribut gjithashtu buron nga pikëpamja monoteiste dhe e besimit në një Zot. Duke marrë parasysh faktin se Imam Husejni (a.s.) kishte një lidhje të thellë me Krijuesin e botës ekzistenciale dhe e shikonte veten vetëm si një rob i Zotit, nuk pranonte t’i nënshtrohej të tjerëve dhe të pranonte poshtërimin, prandaj të qenit njeri i lirë vërehet në fjalët dhe në veprat e tij. Fjalët e Imam Husejnit (a.s.) janë faqe të shkëlqyera dhe të pavdekshme të historisë të cilat tregojnë lirinë e Imam Husejnit (a.s.). Një prej thënieve të pavdekshme të Imam Husejnit (a.s.) është përgjigja e tij ndaj atyre të cilët e inkurajonin atë që të bëjë bej’at me Jezidin. Imam Husejni (a.s.) në përgjigje ndaj tyre, ka thënë: “A nuk po e shikoni që nuk po zbatohet e vërteta dhe e drejta dhe nuk po ndahet e pavërteta? Është e vërtetë se besimtari si do që të jetë do ta përqafojë vdekjen dhe do të shkojë të takohet me Zotin. Prandaj, unë vdekjen nuk e konsideroj gjë tjetër, përveç lumturisë kurse jetën me zullumqarët dhe tiranët nuk konsideroj gjë tjetër përveçse vuajtje dhe lodhje”.

Ehli Bejti i Profeti të nderuar të Islamit s.a.v.s., ata flamurtarë të vërtetë dhe të drejtë, të gjithë kanë qenë njerëz me dinjitet dhe të lirë, mirëpo rrethanat për manifestimin e këtij atributi më së shumti u krijuan në kohën e Imam Husejnit (a.s.) dhe vetë Imam Husejni (a.s.) në mënyrën më të bukur ka treguar se çfarë do të thotë njeriu të jetë i lirë dhe të mos e pranojë poshtërimin dhe për këtë arsye ai mori epitetin “Zotëria e Njerëzve të Lirë të Botës”. Imam Husejni (a.s.) as në rrethanat më të vështira nuk pranoi që të dorëzohet para armikut dhe për ta shpëtuar jetën e vet, nuk tregoi as edhe luhatjen më të vogël e cila do të buronte nga poshtërimi. Epopeja e Ashurasë është një epope e mbushur me liri, të qenit i lirë, dinjitet, burrëri dhe krenari dhe mesazhi i Imam Husejnit (a.s.) është bërë shëmbëlltyrë për të gjithë liridashësit e botës. Zotëria i njerëzve të liruar në përgjigje ndaj një disa njerëzve të cilët e këshillonin atë që të mos shkojë në Qebela, ka thënë: “Po më thoni mua mos shko, mirëpo do të shkoj. Po më thoni, vritesh! A thua vdekja është turp për një burrë të vërtetë? Vdekja është turp atëherë kur qëllimi i njeriut të jetë i ultë dhe atëherë kur njeriu dëshiron të vritet për ambicie të pushtetit... mirëpo për atë i cili vritet në rrugën e Zotit për ta lartësuar të vërtetën, vdekja nuk është turp për arsye se ai niset në një rrugë në të cilën kanë ecur njerëzit e mirë dhe robërit e merituar të Zotit”. Imam Husejni (a.s.) gjithashtu ka thënë: “Vdekja me nder dhe dinjitet është më e mirë se sa jeta me poshtërim”.

Tags