Prill 04, 2022 16:17 Europe/Tirane
  • Ramazani, muaji i rasteve të reja (2)

Në këto ditë të pashembullta të muajit të bekuar të Ramazanit, bota tokësore dhe bota qiellore është vendosur në dispozicion të njeriut në mënyrë që besimtarët të marrin pjesë në gostinë madhështore të Zotit të madhëruar.

Në këto ditë të pashembullta të muajit të bekuar të Ramazanit, bota tokësore dhe bota qiellore është vendosur në dispozicion të njeriut në mënyrë që besimtarët të marrin pjesë në gostinë madhështore të Zotit të madhëruar. Në këtë gosti hyjnore, besimtarët agjërues mirëpriten në sofrat qiellore në mënyrë që zemra dhe shpirti i tyre të mbushen plotë me pastërtinë shpirtërore. Përshëndetje për Ramazanin, muajin e gostisë hyjnore! Selamet dhe përshëndetjet tona i dërgojmë për të gjithë besimtarët agjërues të këtij muaji, të cilët me forcën e besimit, pastrojnë shpirtin dhe brendësinë e tyre nga të gjitha papastërtitë. Selamet dhe përshëndetjet tona i dërgojmë për Hazretin Muhamed s.a.v.s. dhe për familjen e tij dhe e lusim Zotin e madhëruar që të na japë neve mundësinë për të njohur begatitë dhe të mirat e këtij muaji dhe për të shfrytëzuar sa më shumë rastet dhe mundësitë spirituale dhe shpirtërore të këtij muaji!

Në botën në të cilën jetojmë ne, për shumë njerëz e vetmja gjë që duket se ka rëndësi dhe është kryesore, është përjetimi i kënaqësisë nga ngrënia dhe pirja, kënaqësia nga fitimi i pasurisë, marrjes së pozitës, pushtetit, famës e shumë kënaqësive të tjera. Mirëpo problemi qëndron këtu se të gjitha këto kënaqësi përfundojnë, nuk janë të përhershme dhe pikërisht ky mosqëndrim i këtyre kënaqësive bëhet shkak që ata njerëz të cilët qëllim final të tyre arritjen deri te kënaqësi të tilla, në fund të fundit të ndjejnë vetëm boshllëk dhe asgjë. Ah sikur të gjithë njerëzit do ta dinin se në botë ekziston një kënaqësi e cila kurrë nuk ka përfundim. Ajo kënaqësi kurrë nuk pakësohet dhe kurrë nuk humbet. Ajo është një kënaqësi e cila na mbush ekzistencën tonë me plotë dashuri e pasion për jetë, dritë dhe besim te Zoti.

Pra, e kemi fjalën për kënaqësinë e adhurimit. Për një njeri i cili e ka njohur veten, e ka njohur Zotin e vet dhe qëllimin e vet; nuk ekziston asnjë kënaqësi më e madhe dhe më e lartë se sa kënaqësia e adhurimit dhe manifestimit të robërisë pranë Fronit Hyjnor. Mirëpo kjo nuk është diçka që mund të fitohet shumë lehtë. Të gjithë besimtarët agjërojnë dhe kryejnë namazin. Të gjithë ne mundohemi të kryejmë obligimet fetare dhe të largohemi nga veprat e ndaluara. Mirëpo të gjithë ne përjetojmë kënaqësi nga kryerja e këtyre adhurimeve? Përjetimi i kënaqësisë nga kryerja e adhurimit në realitet është një shpërblim të cilin ua jep Zoti i madhëruar atyre të cilët kryejnë veprat vetëm me sinqeritet dhe pastërti. Një prej rezultateve të sinqeritetit dhe qëllimit të pastër në kryerjen e veprave, është arritja në përkryerjen e adhurimit dhe ai i cili arrin në këtë shkallë, gjithnjë përjeton kënaqësi të madhe nga kryerja e adhurimeve dhe heqja dorë nga veprat e ndaluara.

Sinqeriteti në kryerjen e veprave të adhurimit do të thotë zbrazja e zemrës nga dashuria e çdo gjëje tjetër përveç Zotit të madhëruar. Dashuria ndaj pasurisë, ndaj fëmijës, ndaj pozitës, ndaj pushtetit dhe ndaj shumë gjërave të tjera, të gjitha duhet larguar nga zemra dhe e vetmja gjë që duhet mbetur, është dashuria ndaj Zotit të madhëruar. Madje edhe atëherë kur shprehim dashuri ndaj fëmijëve, ajo dashuri duhet të jetë vetëm për ta fituar pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit të madhëruar. Atëherë kur mundohemi të sigurojmë një sasi pasurie dhe të krijojmë kushtet e mirëqenies për jetën tonë dhe të familjes tonë, përsëri qëllimi ynë duhet të jetë arritja e pëlqimit dhe kënaqësisë së Zotit të madhëruar. Ai i cili ka për qëllim arritjen e kënaqësisë së Zotit, nuk gëzohet as nga pasuria as nga pushteti dhe as nga fama, por nuk duhet të shqetësohet e zemërohet as nga varfëria, paaftësia dhe as nga sëmundja. Ai është i kënaqur me atë çfarë i ka dhënë Zoti atij. Kjo kënaqësi nuk është në kontradiktë me përpjekjen për të pasur një jetë më të mirë dhe për ta ruajtur shëndetin. Edhe përpjekje dhe puna për të fituar më shumë pasuri dhe më shumë pushtet, nuk është në kundërshtim me këtë që në zemrën tonë të kemi vetëm dashurinë e Zotit. Ne jo vetëm që mundemi, por edhe duke falënderuar Zotin për të mirat dhe begatitë që na ka dhënë, por duhet të bëjmë përpjekje për të arritur të gjitha këto qëllime. Mirëpo rezultatin duhet t’ia lëmë Zotit të madhëruar dhe duhet të jemi të kënaqur me çfarëdo që të ketë përcaktuar Ai. Ata të cilët e adhurojnë Zotin me sinqeritet dhe qëllim të pastër, janë të tillë.

Zoti i madhëruar për këtë qëllim që besimtarët të përfitojnë më shumë nga kënaqësia e adhurimit të Zotit, muajin e Ramazanit e ka përcaktuar një periudhë në të cilën adhurimi i Zotit dhe manifestimi robërisë së besimtarit para Zotit të madhëruar, lulëzon sikur lulet pranverore. Në këtë muaj, djajtë janë të lidhur në pranga e me zinxhir në mënyrë që të mos dëmtojnë besimtarët dhe portat e mëshirës hyjnore janë të hapura në mënyrë që edhe me veprën më të vogël të mirë, besimtari të fitojë shpërblimet më të mëdha dhe më të mira. Në këtë muaj të dashur dhe të bekuar, mëshira e Zotit të madhëruar është më afër tokës dhe engjëjt vazhdimisht janë në lëvizje në mënyrë që askush të mos mbetet larg mirësisë dhe begatisë së sofrës hyjnore.

Ejani që të përjetojmë kënaqësitë më të qëndrueshme të botës në këtë muaj të ndritshëm. Muaji ky që të gjitha çastet e tij mund të bëhen çastet më të bukura të jetës tonë. Sa bukuri është me kryer namazin me gjuhën e cila të ketë agjëruar dhe të mos ketë përgojuar, të mos ketë akuzuar dhe të mos e ketë lënduar askënd! Sa bukur është të lexohet Kur’ani i shenjtë me sytë të cilët kanë qenë të mbyllur ndaj veprave të ndaluara dhe të mos kenë shikuar gjëra të ndaluara! Sa i pëlqyeshëm është të dhurohet ushqim për njerëzit e nevojshëm me stomakun dhe brendësinë që ka duruar mbi urinë vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit! Sa bukuri është me dhënë lëmoshë me dorën e cila nuk ka kryer padrejtësi e zullum dhe nuk e ka shkelur të drejtën e askujt.

Ne gjatë gjithë vitit dhe në rrugën e gjatë të lëvizjes tonë drejt Zotit, gjithnjë përballemi me dëshira të egos dhe me mëkate të ndryshme. Nganjëherë, zemra e njeriut ndotet me errësirën e veprave të ndaluara dhe të mëkateve dhe pastaj me shumë vështirësi mund të pastrohen ato papastërti nga zemra e njeriut, mirëpo periudha e muajit të bekuar të Ramazanit, është ajo periudhë kohore dhe ajo pjesë e rrugës në të cilën lëvizja është e lehtë dhe ecja gjatë kësaj pjese të rrugës është shumë e lehtë. Zoti i madhëruar në muajin e bekuar të Ramazanit e ka bërë të lehtë rrugëtimin shpirtëror dhe njeriu si rezultat i agjërimit, e lidh në pranga të zinxhirit egon dhe dëshirat e egos. Veprat e adhurimit, lutjet, përuljet tona në sexhde, përmendja e Zotit dhe qëndrimi zgjuar gjatë netëve të Kadrit, janë pikërisht ato mjete dhe vegla të cilat e përgatisin dhe lehtësojnë rrugën për njeriun. Agjërimi i muajit të bekuar të Ramazanit krijohen fushën për zhvillimin dhe ndriçimin shpirtëror të besimtarit agjërues dhe e përgatit atë për të pranuar mirësitë dhe begatitë hyjnore. Muaji i bekuar i Ramazanit me agjërim, namaz, lutje, adhurim dhe në përgjithësi me kryerjen e urdhëresave dhe respektimin e ndalesave të cilat janë porositur dhe janë theksuar gjatë këtij muaji, është një periudhë e rindërtimit dhe rigjetjes dhe shpëtimit të vetes nga varësitë dhe nga të këqijat në brendësinë e njeriut. Në realitet, ata të cilët e shfrytëzojnë rastin e muajit të bekuar të Ramazanit dhe mund të kalojnë rrugën shpirtërore drejt Zotit, do të thotë të arrijnë te Zoti; janë në grupin e besimtarëve të vërtetë. Ata të cilët në këtë muaj tregojnë sjellje dhe veprime të pëlqyera nga Zoti i madhëruar dhe ta korrigjojnë lidhjen e tyre me Zotin dhe me njerëzit, gjatë këtij muaji mund të përfitojnë nga rrezet e ndritshme hyjnore dhe ta ruajnë këtë dritë deri në muajt e tjerë të Ramazanit.

Jeta e njeriut gjithnjë zhvillohet në dy rrugë paralele. Njëra rrugë është ajo mbi të cilën ecin kalorësit dhe gjithmonë bëjnë progres dhe përparojnë drejt parajsës dhe ngritjes shpirtërore. Një rrugë tjetër është ajo rrugë në të cilën kalorësit gjithmonë mbesin mbrapa dhe nuk përparojnë, por lëvizin drejt ferrit dhe pozitës së ulët, gjithnjë e më shumë i afrohen ferrit dhe largohen nga parajsa kurse ata të cilët lëvizin drejt dritës dhe ngritjes shpirtërore, gjithnjë e më shumë largohen nga djalli. Këto dy rrugë përgjatë gjithë jetës janë fqinjë me njëra-tjetrën dhe lëvizja nga njëra në të tjetrën, shumë lehtë është e mundshme. Në atë çast kur ne dëgjojmë dëshirat e egos tonë dhe kryejmë atë vepër që e largon njeriun nga Zoti i madhëruar, në atë çast e kimi larguar këmbën nga ajo rrugë e dritës dhe e kemi vendosur këmbën në rrugën e errësirës. Mirëpo në çastin kur vendosim që të kontrollojmë dëshirat e egos tonë dhe të ecim përkundër dëshirave të këqija të egos tonë dhe ta kundërshtojmë djallin, me padyshim se ecim në rrugën e ngritjes shpirtërore dhe kjo punë në muajin e Ramazanit është më e mundshme dhe më e lehtë.

Një prej mirësive të muajit të bekuar të Ramazanit, është se në këtë muaj janë shpallur disa prej librave të mëdha qiellore. Suhufet ose fletushkat e profetit Ibrahim a.s. kanë zbritur në natën e parë të muajit të bekuar të Ramazanit dhe i janë shpallur atij. Në ditën e gjashtë të muajit të bekuar të Ramazanit, profeti Musa a.s. në bjeshkën Tur ka pranuar librin e shenjtë Teoratin. Në ditën e 13-të të muajit të bekuar të Ramazanit libri i shenjtë Inxhili i është shpallur profetit Isa a.s.. Më në fund në muajin e bekuar të Ramazanit, ajetet e Kur’anit të shenjtë kanë filluar të shpallen mbi zemrën e Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Prandaj, në muajin e bekuar të Ramazanit leximi dhe këndimi i Kur’anit të shenjtë, i jep një ndjenjë dhe atmosferë të veçantë besimtarëve agjërues. Këndimi i bukur dhe mbresëlënës i Kur’anit të shenjtë së bashku me të menduarin dhe reflektimin në ajetet kur’anore që gjallërojnë shpirtin e njeriut, për çdo njeri që është i zoti i mendjes dhe mendimit, hap një botë të njohurive dhe dritës. Ky libër i shenjtë dhe i çmuar, përmban urdhëresat më të larta për një jetë të lumtur të njeriut. Pikërisht për këtë arsye, Kur’ani i shenjtë ofron një model të përkryer për një jetë të dëshiruar njerëzore.

Ajetullah Xhavadi Amoli, mendimtar dhe komentues i madh i Kur’anit të shenjtë, në lidhje me rëndësinë e leximit të Kur’anit të shenjtë në muajin e bekuar të Ramazanit, thotë: “Muaji i bekuar i Ramazanit, është muaji i gostisë së Zotit të madhëruar dhe njeriu në këtë muaj është mysafir i Zotit të madhëruar. Në këtë gosti hyjnore përveç atij furnizimit sipërfaqësor të cilin ia jep Zoti i madhëruar njeriut, edhe shumë furnizime të tjera i dhurohen njeriut. Furnizimi më i rëndësishëm që i jepet njeriut përkrah kësaj gostie qiellore, është njohja me njohuritë dhe mësimet e Kur’anit të shenjtë dhe njohja me jetën dhe veprën e prijësve të mëdhenj fetarë. Sipas hadithit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., Kur’ani nuk mund të ndahet nga Ehli Bejtit (a.s.), prandaj gjatë këtij muaji, besimtari duhet të përfitojë sa më shumë nga këto dyja. Kur’ani është litari i Zotit. Në transmetimet fetare thuhet se njëra anë e këtij litari është në dorën e Zotit dhe ana tjetër është në duart e njerëzve. Kapuni për këtë litar dhe ngjituni lartë. Ky nuk është një litar i cili mund të këputet pasi që të kapen për të me miliarda njerëz. Ky është një litar i fortë i cili mund të plotësojë nevojën edhe të miliarda njerëzve. Çdo kush që ka pyetje e kërkesa, ky litar iu përgjigjet atyre. Kur’ani i shenjtë është libri i jetës. Është një program me urdhëresa dhe ndalesa nga ana e Zotit të madhëruar për ndërtimin e njeriut dhe e udhëzon njeriun se duke rregulluar dhe çuar përpara çështjet materiale të jetës së tij, t’u jap atyre edhe ngjyrën hyjnore. Në këtë mënyrë ai mund ta formojë botën e vet në bazë të ligjeve të natyrës qenësore dhe vullnetit të Zotit të madhëruar dhe në botën tjetër ta fitojë afrimin me Zotin e madhëruar. Kur’ani i shenjtë e udhëzon njeriun në rrugët më të qëndrueshme. Prandaj, në çfarëdo mase që të mundeni, bëhuni mysafir i këtij libri dhe shfrytëzojeni atë sa më shumë. Lexojeni atë dhe ngrehuni në aspektin shpirtëror dhe mos e shitni veten me çmim të lirë”.

E lusim Zotin e madhëruar që të gjithë neve të na japë mundësi dhe sukses në ndjekjen e rrugës së Kur’anit të shenjtë dhe të na mundësojë të shfrytëzojmë sa më shumë begatitë e këtij muaji të shenjtë!

Tags