Të drejtat islame të njeriut
https://parstoday.ir/sq/radio/world-i22588-të_drejtat_islame_të_njeriut
Në këtë edicion do të vazhdojmë me temën dinjiteti njerëzor në të drejtat islame të njeriut.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Korrik 24, 2016 11:18 Europe/Tirane

Në këtë edicion do të vazhdojmë me temën dinjiteti njerëzor në të drejtat islame të njeriut.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut". Në edicionin e kaluar thamë se të gjithë njerëzit kanë dinjitet qenësor dhe pozitë njerëzore. Të gjitha të drejtat e njeriut gjithashtu burojnë nga dinjiteti njerëzor. Zoti i madhëruar në suren Isra'e të Kur'anit të shenjtë ka thënë: "Ne u kemi dhënë dinjitet bijve të Ademit". Zoti i madhëruar në këtë ajet kur'anor ka vë në dukje dinjitetin qenësor të të gjithë njerëzve. Mirëpo çfarë ndodhet në krijimin e njeriut që e dallon atë nga krijesat e tjera në bazë të të cilës gëzon dinjitet?

Liria, vullneti dhe zgjedhja janë prej shtyllave të rëndësishme të dinjitetit qenësor të njeriut dhe Kur'ani i shenjtë ka theksuar në masë të madhe mbi këta faktorë. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: "Pranë Zotit të madhëruar, askush tjetër nuk është më i respektuar dhe më i nderuar se sa njeriu". Njerëzit e pyetën Profetin s.a.v.s.: "As engjëjt?" Profeti s.a.v.s. tha: "Jo, për arsye se engjëjt janë të detyruar si dielli dhe hëna, ndërsa njeriu është krijuar me lirinë e zgjedhjes".

Përveç zgjedhjes dhe vullnetit, të gjithë njerëzit posedojnë forcën e të menduarit dhe mendjen. Aftësia e mendjes dhe e të menduarit të pavarur për të dalluar se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe në aspektin moral, ekziston në të gjithë njerëzit. Njeriu me ndihmën e forcës së mendjes, posedon këtë aftësi që të mendojë dhe të vendosë se si do t'i japë formë jetës së tij. Njeriu, gjithashtu me vendosjen e ligjeve të caktuara për jetën e të tjerëve, mund të bëjë përpjekje që të gjithë të respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit.

Dijetarët dhe komentuesit e Kur'anit të shenjtë në komentimin e ajetit 70 të sures Isra ku Zoti i madhëruar thotë: "Ne i kemi dhënë njeriut dinjitet", kanë thënë: "Ky ajet ka për qëllim këtë se Zoti i madhëruar me anë të forcës së mendjes dhe të menduarit, forcës së shprehjes dhe forcës për të dalluar të drejtën nga e padrejta dhe maturisë për këtë botë dhe botën tjetër, i ka dhënë njeriut dinjitet dhe superioritet".

Natyrisht se dinjiteti qenësor i njeriut nuk është vetëm për arsye se ai ka "lirinë, vullnetin, dhe zgjedhjen" dhe "forcën e mendjes dhe të menduarit", mirëpo është edhe për këtë arsye se ai ka aspekt dhe frymë hyjnore, do të thotë  Zoti i madhëruar në kohën e krijimit të njeriut ka vendosur shpirtin e Tij në qenien e njeriut. Në këtë mënyrë Zoti i madhëruar me krijimin e njeriut e ka quajtur veten "më i miri krijues". Në realitet, qenia e njeriut është si një pasqyrë e emrave dhe atributeve hyjnore. Njeriu nga aspekti i natyrës shpirtërore dhe spiritualitetit të tij, ka lidhshmëri me krijesat dhe ekzistencën. Në këtë mënyrë, ai është pamja më e përkryer për të shfaqur atributet hyjnore.

Në mësimet e feve të tjera qiellore si fesë hebraike dhe krishtere gjithashtu është theksuar aspekti hyjnor i njeriut. Ky dinjitet është për këtë arsye se njeriu është zëvendësi i Zotit në tokë. Zoti i madhëruar e ka caktuar njeriun për zëvendës të tij për shkak se ai posedon talent qenësor dhe natyror për të kuptuar të vërtetat dhe sekretet e ekzistencës.

Prandaj, dinjiteti qenësor i njeriut është ai lloj i dinjitetit të cilin e gëzojnë të gjithë njerëzit për shkak të posedimit të aftësisë së mendjes, të menduarit, lirisë, vullnetit, zgjedhjes dhe aspektit hyjnor në mënyrë natyrore dhe të barabartë. Ky dinjitet, është një çështje qenësore dhe e pandashme nga njeriu, do të thotë se pa atë nuk mund të mendohet që njeriu të jetë njeri. Deri në kohën kur njeriu ta meritojë emrin njeri, do të gëzojë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat natyrore që rrjedhin nga ai.

Në deklaratën e të drejtave islame të njeriut, në shumë raste i është kushtuar vëmendje dinjitetit, nderit dhe personalitetit të njeriut. Në parathënien e kësaj Deklarate është theksuar kjo çështje se dinjiteti dhe nderi i njeriut është dhuratë hyjnore, Zoti e ka krijuar njeriun në formën më të mirë, i ka dhënë atij dinjitet, e ka caktuar atë zëvendës të Tij në tokë, i ka dorëzuar atij amanetin hyjnor dhe ka nënshtruar pranë tij çdo gjë që ekziston në qiell dhe në tokë. Në nenin 1 të Deklaratës, të gjithë njerëzit në parimin e dinjitetit njerëzor janë konsideruar të barabartë, ndërsa në nenin 4 të saj gjithashtu është theksuar në respektimin e çdo njeriu dhe femra dhe mashkulli janë bërë të barabartë në nderin dhe dinjitetin njerëzor. Në nenin 11 gjithashtu i është kushtuar vëmendje lirisë së njeriut dhe është deklaruar se askush nuk ka të drejtë ta skllavërojë, ta poshtërojë dhe ta shfrytëzojë njeriun si rob.

Dinjiteti njerëzor është një vlerë dhe respekt të cilin e gëzon njeriu për faktin se është njeri. Ky dinjitet nuk kurrfarë lidhje me besimin, racën, fenë dhe të ngjashme me këto. Ky dinjitet nuk mund t'i mohohet njeriut as edhe me kryerjen krimit dhe abuzimit. Kjo është për arsye se veprimi i njeriut është i ndarë nga qenia e tij. Në realitet, ajo çfarë meriton të qortohet, është sjellja dhe veprimi të cilin e kryen njeriu dhe jo qenia e tij. Prandaj ato ajete të Kur'anit të shenjtë që jobesimtarët dhe disa prej njerëzve i krahasojnë me kafshët për shkak të mos shfrytëzimit të drejtë të forcës së mendjes, të menduarit, shikimit dhe dëgjimit të tyre, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë poshtërimi i përshkrimit të dinjitetit qenësor të tyre. Këto krahasime janë vetëm për këtë arsye se ky grup i njerëzve shpirtin e tyre hyjnor e kanë vendosur në dispozicion të egos së tyre kafsharake dhe preokupohen vetëm me gjumë, ushqim, zemërim dhe shfryrjen e epsheve dhe nuk janë të informuar fare për jetën njerëzore. Në realitet, këto ajete tregojnë se njerëzit e tillë në procesin e përkryerjes së jetës, nuk kanë kaluar fazën e jetës bimore dhe kafsharake.

Natyrisht se edhe jeta kafsharake ka respekt dhe vlerë. Mirëpo jeta kafsharake në krahasim me pozitën dhe shkallën e jetës njerëzore dhe shpirtin hyjnor, ka një shkallë më të ulët. Njeriu duke shfrytëzuar talentet dhe aftësitë e tij, mund të arrijë në ngritjen e shpirtit dhe në pozitën e të qenurit njeri me plotë kuptimin e fjalës. Kjo është për arsye se qëllimi i krijimit të botës, është njeriu dhe përkryerja njerëzore. Nëse njeriu do të kënaqet me një jetë si të kafshëve, atëherë padyshim se do të qortohet. Për këtë arsye, feja islame përcakton edhe një lloj tjetër të dinjitetit për njeriun dhe ai është dinjiteti i fitohet ose i vlerës. Ky është pikërisht ai lloj i dinjitetit i cili është anashkaluar nga mendimtarët perëndimorë.

Feja Islame përveç dinjitetit qenësor, prezanton edhe një lloj tjetër të dinjitetit njerëzor të fituar dhe dinjitetit të vlerës. Ky lloj i dinjitetit mund të fitohet dhe mund të caktohet në mënyrë zgjedhore, prandaj edhe vlera finale e njeriut është në bazë të këtij dinjiteti. Dinjiteti i fituar dhe i vlerës, është ai lloj i dinjitetit të cilin e fiton njeriu në formë të lirë dhe nëpërmjet përdorimit të talentit dhe aftësive qenësore të tij në rrugën e zhvillimit, përkryerjes dhe përfitimit të virtyteve morale. Me fjalë të tjera, edhe pse të gjithë njerëzit kanë pozitë dhe dinjitet të barabartë, mirëpo duke përdorur talentin dhe aftësitë e tyre, ata mund të kalojnë fazat e përkryerjes së njeriut dhe të ngritën deri në shkallët e më të larta. Në këtë mënyrë, njerëzit sa më shumë që të bëjnë përpjekje në zhvillimin dhe ngritjen e virtyteve morale dhe njerëzore të tyre, fitojnë pozitë më të lartë se të tjerët. Si mund të jenë të barabartë njerëzit e mirë me njerëzit e këqij? A janë të barabartë dhe a kanë vlerë të njëjtë njerëzit e padrejtë dhe kriminelë me njerëzit të cilët punojnë për paqen dhe për t'i shërbyer njerëzimit?

Në bazë të mësimeve fetare, kriteri më i rëndësishëm dhe bosht i këtij lloji të dinjitetit që fitohet, është "devotshmëria dhe besimit". Zoti i madhëruar në lidhje me këtë çështje në ajetin 13 të sures Huxhurat të Kur'anit të shenjtë thotë: "O njerëz! Ne iu kemi krijuar juve nga një mashkull dhe nga një femër dhe u kemi ndarë juve në fise dhe popuj në mënyrë që ta njihni njëri-tjetrin. (Këto nuk janë kritere për privilegje) Më i respektuari prej juve është më i devotshmi prej juve. Zoti është i informuar dhe i ditur!"

Duke vështruar me vëmendje këtë ajet, kuptojmë disa çështje. Sëpari, raca, gjuha, gjinia dhe të tjera si këto nuk kanë kurrfarë lidhje me dinjitetin njerëzor. Kjo është për arsye se të gjithë njerëzit kanë dinjitet për shkak se janë njerëz dhe dinjiteti i vlerës nuk ka kurrfarë ndikimi në të drejtat shoqërore. Në të drejtat shoqërore, të gjithë njerëzit – duke përjashtuar shkallët e besimit dhe të devotshmërisë së tyre – gëzojnë të drejtat e tilla. Sëdyti, dinjiteti i fituar dhe i vlerës mund të bëhet kriter i superioritetit dhe privilegjeve më të mëdha të njerëzve ndaj njëri-tjetrit pranë Zotit dhe në ditën e kiametit, por jo në këtë botë. Pavarësisht se në këtë botë gjithashtu njerëzit e mëdhenj dhe shërbyes të shoqërisë njerëzore gjithmonë lavdërohen, mirëpo vlera e vërtetë dhe pozita e tyre përcaktohet pranë Zotit dhe në ditën e Kiametit.

Një prej dallimeve esenciale të dy sistemeve të të drejtave të njeriut nga pikëpamja islame dhe perëndimore, është ndarja e dinjitetit qenësor nga dinjiteti i fituar ose i vlerës. Të drejtat e njeriut nga pikëpamja e perëndimit përdorin dinjitetin njerëzor në të gjitha dokumentet e të drejtave të njeriut, mirëpo për fat të keq ato nuk bëjnë dallim mes dy llojeve të dinjitetit. Ky anashkalim ndaj dinjitetit të fituar konsiderohet faktor shumë i rëndësishëm i stagnimit të njerëzve dhe i privimit të tyre nga përkryerja morale dhe shpirtërore në epokën bashkëkohore.

Dinjiteti qenësor edhe pse bëhet shkak për krijimin e të drejtave dhe detyrave të veçanta për njeriun, mirëpo në mënyrë të vetme nuk mund të jetë arsye e përkryerjes dhe dinjitetit të vlerës së njeriut.  Kjo është për arsye se dinjiteti i vlerës është ai dinjitet i lartë njerëzor i cili arrihet duke respektuar të drejtat e vetës dhe të drejtat e të tjerëve si dhe duke kryer obligimet dhe detyrat e caktuara. Mirëpo motivi i këtij dinjiteti nuk është arritja e qëllimeve materiale dhe personale, por kjo bëhet për shkak të posedimit të ndjenjave të thella të ndërgjegjes njerëzore. Zoti i madhëruar këtë ndërgjegje njerëzore e ka vendosur si amanet në qenien e njerëzve si faktorin më të madh për ngritjen dhe përkryerjen e njeriut. Njeriu për të fituar dinjitetin e vlerës, duhet të bëjë përpjekje të vazhdueshme për ta përmirësuar brendësin e tij dhe për të kryer detyrat e tij individuale dhe shoqërore.