Të drejtat islame të njeriut
Në këtë edicion do të shqyrtojmë lirinë e bindjes në Islam.
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut". Në edicionin e kaluar u njohëm me konceptin e lirisë dhe me pikëpamjen e Islamit në lidhje me këtë koncept. Nga pikëpamja e Islamit, liria nuk është vetëm e drejtë, por edhe detyrë e njeriut, kjo është për arsye se ajo është një mjet që njeriu e shfrytëzon atë për të arritur në përkryerje dhe për të kaluar shkallët e larta të të qenurit njeri. Për këtë arsye, as vet njeriu dhe as njerëzit e tjerë, nuk mund ta mohojnë lirinë e individit. Duke marrë parasysh faktin se njeriu nuk duhet të bëhet rob dhe skllav i besëtytnive ideologjike ose i dëshirave të egos, liria ka aspekt të brendshëm, ndërsa duke marrë parasysh faktin se të tjerët kanë për detyrë që të mos krijojnë pengesa dhe pranga për njeriun dhe rrugën e tij, liria ka aspekt të jashtëm. Kriter i dinjitetit dhe i respektit ndaj lirisë së njeriut, është ky që njeriu të jetë në rrugën e të qenurit njeri. Njeriu në rrugën e të qenurit njeri duhet të lihet i lirë, por njeriu nuk duhet të lihet i lirë në çdo gjë që ka zgjedhur ai vet. Liria manifestohet në forma të ndryshme të cilat do t'i shqyrtojmë veç e veç. Në fillim do të shqyrtojmë lirinë e mendimit dhe të bindjes.
Të menduarit është një prej karakteristikave të hapura dhe të larta njerëzore që i jep njeriut jetë spirituale dhe atë e bënë të dallohet nga gjallesat e tjera. Liria e mendimit në fushat e ndryshme konsiderohet një prej të drejtave natyrore të njeriut. Njerëzit edhe pse në mënyrë të vetme dhe pa vendos lidhje me të tjerët, janë në gjendje të mendojnë, mirëpo pasi njeriu është qenie shoqërore, kjo bëhet shkak që ai të ndikohet nga atmosfera ideologjike dhe propagandistike e shoqërisë. Duke marrë parasysh ndikimin konstruktiv ose destruktiv të njeriut mbi të tjerët dhe atmosferën shoqërore si një çështje shoqërore, ligjet juridike nuk mund të jenë indiferente ndaj tij. Kjo është për arsye se struktura shoqërore, kushtet ekonomike dhe trashëgimit kulturore, në mënyrë të gjerë sundojnë mbi mendimet e njerëzve. Realiteti është ky që në botën aktuale, teknologjitë moderne të cilat janë prodhuara dhe ose janë në dispozicion të qeverive ose të grupeve të fuqishme, kanë zotërim aq të gjerë saqë me induksionet e tyre nëpërmjet gazetave, kanaleve të radios dhe televizionit, si dhe nëpërmjet mediave të tjera kolektive dhe rrjeteve sociale, drejtojnë mendimet e njerëzve në drejtim të caktuar. Liria e mendimit do të thotë kjo që çdo njeri mund të mendojë larg çfarëdo lloj imponimi dhe presioni dhe pa kurrfarë frike të shprehë bindjet e tij. Të menduarit dhe arsyeja e njeriut ka nevojë për rritje dhe zhvillim. Prandaj kurrfarë pengese nuk duhet të pengojë të menduarin e lirë. Në parathënien e Deklaratës Botërore për të Drejtat e Njeriut lexojmë: "Paraqitja e një bote në të cilën njerëzit do të mund të shprehin bindjen e tyre të lirë dhe të jenë larg frikës dhe varfërisë, është deklaruar ideali më i lartë njerëzor". Këtu qëllimi është bindja e përgjithshme duke përfshirë bindjen shoqërore, politike dhe bindjen fetare. Në nenin 19 të kësaj Deklarate lexojmë: "Çdo kush ka të drejtën e lirisë së bindjes dhe shprehjes së saj dhe kjo e drejtë përfshinë këtë që njeriu të mos ketë frikë dhe stres nga posedimi i bindjes së tij dhe të jetë plotësisht i lirë në marrjen e informacioneve dhe mendimeve si dhe të jetë i lirë në përdorimin e mjeteve për publikimin dhe përhapjen e tyre pa marrë parasysh pengesat e kufijve. Në realitet, aspirata më e madhe e njeriut është kjo që të krijohet një botë e lirë në të cilën do të jetë e lirë shprehja e bindjes të secilit person. Në atë botë gjithashtu të mos ekzistojë frika dhe varfëria, por të jetë e vendosura siguria e plotë dhe të ekzistojë mirëqenia ekonomike në mënyrë të plotë.
Deri më tani thamë se liria e të menduarit është një prej aspekteve themelore të lirisë. Kur'ani i shenjtë e fton njeriun që të mendojë dhe të logjikojë dhe besimin e konsideron të bazuar mbi këtë. Duke lexuar këto ajete kur'anore mund të kuptohet se Kur'ani i shenjtë në çfarë çështje porosit njeriun që të mendojë. Kur'ani i shenjtë në forma të ndryshme ka kujtuar pozitën e lartë të mendimtarëve (Surja Zumer, ajeti 11) dhe e ka ftuar njeriun që të mendojë në krijimin e ekzistencës dhe të mendojë në krijimin e tij dhe në aspektet e ekzistencës së tij. (Surja Ali Imran, ajeti 191). Kur'ani i shenjtë në shumë ajete pasi kujton shenjat e krijimit, me fjalët "a nuk mendoni dhe a nuk logjikoni?", ka ftuar njeriun që të mendojë dhe të logjikojë. Mendja e njeriut duhet të jetë e lirë nga imponimet e ambientit, nga normat dhe zakonet, si dhe nga i ashtuquajturi ndikim i traditave dhe dokeve shoqërore. Kur'ani i shenjtë i qorton njerëzit të cilët janë robër të imitimit dhe të ndjekjes së etërve dhe paraardhësve të tyre dhe nuk mendojnë me mendjen e tyre. Qëllimi i Kur'anit nga ky qortim është ky që njerëzit të zgjohen nga gjumi i neglizhencës dhe të largohen nga ndjekja verbale e traditave të etërve të tyre. Nga ana tjetër, Kur'ani i shenjtë gjithashtu i kujton njerëzve se kriter për matjen e të vërtetës është përcaktimi i mendjes dhe i të menduarit.
Feja e pastër islame gjithashtu ka një përkushtim special ndaj të menduarit të lirë të njeriut. Në Islam, përveç adhurimeve fizike (si namazi dhe agjërimi) dhe financiare (si pagimi i zekatit dhe khomsit), ekziston edhe një lloj tjetër i adhurimeve të cilat janë si në vijim: "adhurimi mendor". Adhurimi mendor nëse bëhet për ta zgjuar dhe vetëdijesuar njeriun, është shumë më i mirë se sa shumë vite adhurime fizike. Shumë hadithe janë transmetuar nga Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. dhe nga Ehli Bejti (a.s.) që flasin rreth të menduarit të njeriut i cili ka shumë sevabe dhe dobi. Për shembull, një orë të menduar është më mirë se sa një vit adhurim ose është më mirë se sa 60 vjet adhurim dhe më mirë se 70 vjet adhurim. Shumë dijetarë fetarë besojnë se ky ndryshim i numrave në përshkrimin e shpërblimit për të menduar varët edhe nga lloji i të menduarit. Një të menduar e çon njeriun përpara më shumë se sa një vit adhurim, më shumë se 70 vjet adhurim. Para Islamit, e konsideronin fenë si një të vërtetë në kontradiktë me mendjen. Sidomos për shkak të mësimeve të fesë së devijuar të krishterimit, ka ekzistuar dhe ekziston ky lloj i të menduarit të gabuar. Ata besonin dhe besojnë se feja është një çështje hyjnore dhe i përket sferës së besimit dhe njeriu nuk është i lejuar që të mendojë në atë. Islami jo vetëm që kurrë nuk ka kundërshtuar mendjen dhe të menduarin, por gati në të gjitha aspektet ka kërkuar ndihmë dhe konfirmim nga mendja dhe të menduarit. Vlera e vërtetë e fesë Islame dhe përputhja e saj me natyrën qenësore të njeriut, përcaktohet pikërisht këtu. Në kohën kur fetë e tjera, forcën e mendjes edhe në çështjet më sekondare e kanë mbajtur të stagnuar dhe të ngurtë, Islami e ka respektuar dhe e ka konsideruar të lirë mendjen deri në atë masë saqë edhe në lidhje me parimet e bindjeve ku pranimi i tyre për të gjithë është i obliguar, imitimin e konsideron të pamjaftueshëm dhe të papranueshëm dhe kërkon që njeriu të mendojë dhe të logjikojë në parimet e bindjes dhe besimit. Myslimanët kanë për obligim që të mendojnë në parimet e bindjes së tyre. Islami parimet e bindjeve nuk i pranon, përveçse nëpërmjet të menduarit dhe hulumtimit në këtë fushë. Kjo do të thotë se besimi në tevhid (njëshmëri) dhe në fjalën "La ilahe il-lallah" pranohet nga një mysliman vetëm atëherë kur ai të ketë arritur në besimin në Zotin Një duke menduar dhe logjikuar. Kjo është për arsye se tevhidi është një çështje mendore dhe racionale. Ashtu sikur mësuesi i thotë nxënësit të tij që të bëjë përpjekje dhe ta zgjidhë detyrën e matematikës. Nëse mësuesi do ta shkruajë zgjidhjen e detyrës për nxënësin, atëherë nxënësi do të arrijë në përgjigje pa bërë përpjekje dhe pa u munduar dhe në të ardhmen nuk do të mund t'i zgjidhë problematikat më të ndërlikuar dhe do të përballet me probleme. Nga njëra anë, nëse një person me të vërtetë do të mendojë në lidhje me parimet e besimit dhe gjatë këtij procesi atij do t'i paraqitet një problem dhe një dilemë në mendjen e tij, ai ka të drejtë që këtë problem ta paraqesë dhe ta diskutojë me dijetarët e fushës përkatëse derisa t'i mënjanohet atij dilema. Paraqitja e pyetjeve në lidhje me çështjet e parimeve të fesë, është një çështje e nevojshme. Për këtë arsye shumë njerëz pyetnin Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe prijësit fetarë dhe ata iu përgjigjeshin atyre.
Liria e mendimit është rezultat i talentit njerëzor të njeriut i cili mund të mendojë në lidhje me çështje të ndryshme. Njeriu pasi është një qenie racionale dhe mendore, posedon forcën për të menduar rreth çështjeve. Nëpërmjet të menduarit që bënë rreth çështjeve, njeriu arrijnë t'i zbulojë deri diku të vërtetat. Ky talent njerëzor patjetër duhet të jetë i lirë. Progresi dhe përkryerja e njeriut varët pikërisht nga kjo liri. Zoti i madhëruar i ka dhënë njeriut mendjen që të mendojë me atë dhe të zbulojë të pazbuluarat. Kur'ani i shenjtë në ajetin 78 të sures Nahl thotë: "Zoti iu ka nxjerrë juve nga barku i nënës në kohën kur ju nuk dinit asgjë..." Sipas këtij ajeti, njeriu vije në këtë botë injorant dhe ka për detyrë që të bëhet i ditur. Si mund të bëhet ai i ditur? Duke menduar dhe duke lexuar duhet të bëhet i ditur. Kjo do të thotë se njeriu në çdo çështje duhet të mendojë deri në atë masë sa ka talentin dhe nëpërmjet rrugës dhe metodës shkencore ta zgjidhë atë çështje. Të menduarit shkencor është nevojë dhe obligim sepse njerëzimi ka nevojë për lulëzimin dhe zhvillimin e mendimeve. Deri këtu thamë se liria e të menduarit dhe e bindjes është një prej lirive themelore të njeriut e cila është saktësuar edhe në dokumentet e të drejtave të njeriut. Thamë gjithashtu se Islami është një prej feve qiellore që ka një përkushtim të veçantë ndaj të menduarit dhe mendjes së njeriut dhe e konsideron atë edhe si një adhurim fetar dhe e paraqet atë edhe në sferën e parimeve të bindjes. Vlen të theksohet se Islami trajton çështjen e lirisë së bindjes nga një këndvështrim bukur. Ky përkushtim i Islamit ka dallim të veçantë me themelet e të menduarit të mendimtarëve të tjerë, për arsye se ai bazohet në shpalljen hyjnore dhe në një burim tjetër përveç të të menduarit të njeriut materialist.