Të drejtat islame të njeriut
Në këtë edicion do të flasim rreth pozitës së të drejtës për lirinë e bindjes në Islam.
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut". Në edicionin e kaluar shqyrtuam deri diku lirinë e të menduarit dhe bindjes, si dhe vështrimin special të Islamit ndaj lirisë së bindjes. Liria e bindjes është një prej çështjeve me një sfidë të madhe për fetë hyjnore dhe për shkollat e mendimit njerëzor, prandaj për këtë arsye gjatë gjithë historisë janë zhvilluar shumë diskutime rreth kësaj çështje. Liria e bindjes nga njëra anë, si një hallkë e lidhjes së besimit me Zotin, është një çështje fetare dhe nga ana tjetër, si një e drejtë e përbashkët e të gjithë njerëzve, konsiderohet një çështje botërore.
Islami si një fe gjithëpërfshirëse e cila u drejtohet të gjithë njerëzve të botës, përveçse i fton njerëzit që ta pranojnë fenë duke menduar dhe të largohen nga çfarëdo lloj bindjeje të imponuar dhe nën presion, gjithashtu e lë të hapur rrugën për diskutime mes mendimtarëve dhe krijon rastin për çfarëdo lloj mendimi të ndryshëm me kusht që ai të mos ushtrojë presion dhe të mos dëmtojë karakteristikat paqësore të Islamit. Islami deri në një masë të madhe i qëndron besnikë lirisë së mendimit dhe bindjes, sepse i fton njerëzit që të mendojnë në lidhje me pranimin e Islamit. Kur'ani i shenjtë ka kujtuar individët e shoqërisë me emrat "nas" (njerëz) dhe "muminun" (besimtarë) dhe duke i ftuar ata që të mendojnë, ka udhëzuar që ta pranojnë fenë dhe rrugën e drejtë. Në procesin e udhëzimit të njerëzve në Kur'an, përveçse janë qortuar njerëzit e pamend deri në nivelin e kafshëve 4 këmbësh dhe në anën tjetër është vlerësuar mençuria, gjithashtu thuhet se ajetet kur'anore janë shpallur për ata të cilët mendojnë dhe logjikojnë për t'i kuptuar ato. Zoti i madhëruar në ajetin 43 të sures Ankebut thotë: "Këta janë shembuj që sjellim ne për njerëzit, por nuk i kupton askush përveç të diturve". Në këtë mënyrë mund të vërehet një lidhje logjike mes diturisë dhe besimit. Feja është një sistem i mësimeve dhe diturive e cila është shpallur nga Zoti i madhëruar për përkryerjen e njeriut dhe njeriu fetarizmin, bindjen dhe besimin me zemër në këto mësime, duhet t'i zbatojë në praktikë në sferën e jetës individuale dhe shoqërore. Islami e konsideron njeriun përgjegjës që të bëjë përpjekje për ta zbuluar të vërtetën dhe për ta gjetur bindjen e drejtë. Njeriu posedon mendje edhe të menduar, prandaj në mënyrë të lirë duhet ta përdori mendimin e tij. Çdo person pranë Zotit është përgjegjës dhe duhet të bëjë përpjekje që ta pranojë fenë e besimit në Zotin Një dhe të largohet nga idhujtaria dhe mohimi i Zotit. Mirëpo Islami nuk dëshiron që këtë bindje ta imponojë me forcë për njerëzit, për arsye se bindjet me zemër dhe besimi fetar krijohet nëpërmjet mendjes dhe pranimit me ndërgjegje, prandaj feja islame nuk dëshiron ta ndryshojë me urrejtje dhe me forcë bindjen e dikujt tjetër. Zoti i madhëruar përveçse i tregon njeriut rrugën e drejtë, me deklarimin se çdo individ është i lirë që të pranojë ose të mos pranojë besimin islam, ka hedhur poshtë me këmbëngulje çfarëdo përpjekje që bëhet me forcë për imponimin e bindjes. Zoti i madhëruar në shpjegimin e shkallëve të devotshmërisë dhe largimit nga dëshirat e egos, në ajetin 29 të sures Kehf në Kur'anin e shenjtë, i drejtohet Profetit s.a.v.s duke i thënë: "Thuaj kjo është e vërteta nga ana e Zotit, çdo kush që dëshiron, le të besojë dhe çdo kush që nuk dëshiron, le te mos besojë".
Në bazë të kësaj, liria e bindjes duhet të konsiderohet pjesë e urtësisë së Zotit dhe as profetët nuk kanë të drejtë ta shkelin atë. Në këtë mënyrë Zoti i madhëruar në kuadër të një prej çështjeve të besimit në Zotin Një, pozitën e Profetit s.a.v.s. e pranon deri në nivel të vërejtjes për njerëzit, por ai në sjelljen e tij nuk duhet të përdor forcë ose t'i detyrojë njerëzit që të besojnë. Zoti i madhëruar në ajetin 99 të sures Junes në Kur'anin e shenjtë duke iu drejtuar Profetit s.a.v.s., thotë: "Nëse Zoti yt do të dëshironte, të gjithë njerëzit që jetojnë në tokë do të besonin në mënyrë të detyruar. A dëshiron ti që njerëzit me detyrim të besojnë në Zotin?!". Prandaj edhe në kohën kur u themelua Shteti Islam, ai ka paraparë traktate dhe konventa për besimtarët në Zotin Një edhe nëse ata nuk janë bërë myslimanë. Nënshkruesit e këtyre traktateve jo vetëm që kishin mundësi që në mënyrë të lirë të manifestojnë fenë dhe të kryejnë ritualet e tyre fetare, por edhe në disa çështje juridike dhe shoqërore përkundër ligjeve që sundonin në shoqërinë islame, ata kishin të drejtë të zbatojnë rregullat e tyre të veçanta. Në lidhje me idhujtarët, gjithashtu nëse ata nuk ngritën që të luftojnë kundër Islamit, Shteti Islam parimisht nuk ka të bëjë asgjë me bindjen e tyre. Nuk kryen hetime rreth bindjes së tyre dhe asnjë njeri nuk e dënon për shkak të bindjes së tij. Larmia e bindjeve është një realitet që as Islami nuk e mohon atë, por e pranon sepse alternativë e Islamit në lidhje me këtë çështje është dialogu i lirë dhe diskutimet mendore. Feja islame duke ftuar njerëzit në rrugën e Zotin nëpërmjet urtësisë (do të thotë diturisë, shkencës, logjikës dhe argumentimit) sëbashku me këshillat e mira dhe nëpërmjet diskutimeve dhe debateve konstruktive, hap rrugën e dialogut në mënyrën më të mirë dhe nëpërmjet kësaj të ftuarit i konsideron të lirë për të vendosur të pranojnë ose të mos pranojnë të vërtetën, pa kurrfarë ofendimi dhe poshtërimi të asnjërës palë). Zoti i madhëruar në ajetin 125 të sures Nahl duke ju drejtuar Profetit s.a.v.s., thotë: "Me urtësi dhe këshillë të mirë, ftoji njerëzit në rrugën e Zotit! Debato me ata dhe argumento pranë tyre me metodën më të mirë! Zoti i madhëruar më mirë se çdo kush tjetër e di se kush ka humbur rrugën dhe Ai është më i ditur rreth njerëzve të udhëzuar". Në përballjen e bindjeve me ndjekësit e Librit të Shenjtë, gjithashtu në Kur'anin e shenjtë në suren Ankebut në ajetin 46 thuhet: "Mos polemizoni me ithtarët e Librit, përveç në mënyrë më të mirë... dhe thuajuni atyre ne besojmë në çdo gjë që është shpallur nga Zoti për ne dhe për ju. Zoti ynë dhe i juaji është një dhe ne jemi të dorëzuar pranë Tij". Në këtë mënyrë dhe duke përdorur një fjalor me edukatë, miqësor dhe të argumentuar dhe larg çfarëdo lloj polemike të dhunshme dhe ofenduese, si dhe duke përdorur çështjet e përbashkëta dhe jo përçarëse, ofrohet rruga më e mirë për përballjen e ideve dhe metoda më e mirë për të kuptuar të vërtetën dhe për të krijuar mirëkuptim me dashuri dhe respekt. Prandaj, dëgjimi i pikëpamjeve të ndryshme të cilat në llojin e tyre krijohen nga bindje të ndryshme, në Islam është pranuar me krah hapur dhe robërit e Zotit janë lajmëruar që të dëgjojnë fjalët dhe si të udhëzuarit e mençur, të zgjedhin rrugën më të mirë. Zoti i madhëruar në ajetin 17 dhe 18 të sures Zumer në Kur'anin e shenjtë në lidhje me këtë thotë: "... pra, lajmëroji robërit e mi! Ata të cilët i dëgjojnë fjalët dhe ndjekin më të mirat prej tyre; ata janë të cilët i ka udhëzuar Zoti dhe ata janë të mençurit". Në këtë mënyrë mençuria dhe të menduarit përkrah kërkesë natyrore për të vërtetën, sëbashku me logjikën e mendimit të lirë në një atmosferë të hapur dhe të lirë, krijojnë kushtet që njeriu të zgjedh rrugën më të mirë të lumturisë.
Liria e fesë dhe e bindjes nga pikëpamja e Islamit, që nga fillimi ka qenë një çështje e vlefshme dhe e respektuar, për arsye se urdhëresat e Kur'anit të shenjtë gjithmonë kanë qenë në kuadër të thirrjes së njerëzve për bashkëjetesë paqësore me jomyslimanët. Kur'ani i shenjtë në mësimet e tij, myslimanët i quan "umeti moderator" dhe i prezanton ata si "umeti shëmbëlltyrë", ndërsa në lidhje me pozitën më të lartë të Islamit, deklaron se çdo kush që zgjedh një fe tjetër përveç Islamit, ajo nuk do të pranohet. Mirëpo në sferën shoqërore, duke marrë parasysh faktin se për shkak të lirisë së bindjes dhe mosdetyrimit të fesë, me dashje ose pa dashje mund të ndodhë që disa individë në mënyrë të pavarur dhe larg çdo lloj konflikti të jetojnë me bindje të tjera në shoqërinë islame, në këtë mënyrë nuk mbetet rrugë tjetër përveç bashkëjetesës me ata. Në lidhje me këtë Islami, në lidhje me ndjekësit e Librit dhe në lidhje me jomyslimanët e tjerë, në kuadër të bashkëjetesës ka qëndrime më të ndryshme. Ndjekësit e Librit si hebrenjtë, të krishterët etj., për shkak se besojnë në Zotin, në ditën e Kiametit dhe në vepra të mira, kanë vlerat e tyre pranë Zotit ashtu sikur myslimanët dhe ata nuk duhet të kenë frikë sepse në ditën e Kiametit llogaria e tyre do të jetë e ndarë nga ajo e idhujtarëve. Me këtë pozitë relative që i përket grupeve të lartpërmendura, krijohen kushtet për bashkëjetesë paqësore mes atyre dhe myslimanëve. Kusht paraprak për këtë bashkëjetesë paqësore është traktati i cili nënshkruhet mes Shtetit Islam dhe ndjekësve të Librit që jetojnë në shoqërinë islame dhe ata pas nënshkrimit të traktatit të quajtur "Dheme", kanë të garantuar sigurinë, qetësinë dhe pavarësinë, si dhe gëzojnë mundësin për të krijuar marrëdhënieve miqësore me myslimanët. Jomyslimanët e tjerë (do të thotë idhujtarët dhe të tjerët), mund të ndodhë që të jetojnë në ambientin plotë dashuri me myslimanët dhe që të shoqërohen me ata, pavarësisht se Zoti i madhëruar ndalon myslimanët që krijojnë miqësi me idhujtarët. Zoti i madhëruar në ajetin 8 të sures Mumtehinet thotë: "Zoti nuk e ndalon bamirësinë dhe zbatimin e drejtësisë ndaj atyre të cilët nuk kanë luftuar me ju në rrugën e fesë dhe nuk iu kanë dëbuar juve nga vendbanimet tuaja, për arsye se Zoti i do ata që zbatojnë drejtësinë". Për këtë arsye, nëse ata edhe pse janë idhujtarë por nuk i luftojnë myslimanët, në kuadër të bashkëjetesës jo vetëm që nuk është e ndaluar të trajtohen me dashuri dhe drejtësi, por bamirësia ndaj idhujtarëve të tillë është njësoj sikur drejtësia dhe Zoti i madhëruar i do ata që zbatojnë drejtësinë. Ky mësim i Islamit është një parim i përgjithshëm i cili përcakton detyrën e shoqërisë islame ndaj jomyslimane të pa dhunshëm dhe myslimanët mund të krijojnë marrëdhënie miqësore me idhujtarët e tillë deri në atë masë saqë ata të mos vendosin hegjemoninë e tyre mbi shoqërinë islame.