Të drejtat islame të njeriut
https://parstoday.ir/sq/radio/world-i23710-të_drejtat_islame_të_njeriut
Në këtë edicion do të flasim rreth arsyes së dënimit të rëndë për ata që braktisin fenë islame.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Gusht 03, 2016 10:04 Europe/Tirane

Në këtë edicion do të flasim rreth arsyes së dënimit të rëndë për ata që braktisin fenë islame.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut". Në edicionin e kaluar thamë se Islami e konsideron njeriun përgjegjës për ta zbuluar të vërtetën dhe për të bërë përpjekje për ta gjetur bindjen e drejtë, për këtë arsye i fton njerëzit që të mendojnë në lidhje me pranimin e fesë islame. Islami beson se njeriu në mënyrë të lirë duhet ta përdorë mendjen dhe të menduarin e tij për ta pranuar në mënyrë të vetëdijshme fenë e besimit në Zotin Një dhe të largohet nga idhujtaria dhe besimi në shumë zota. Natyrisht se Islami nuk dëshiron që këtë bindje ta imponojë me forcë për individët. Kjo është për arsye se bindjet e zemrës dhe bindjet e fesë krijohen nëpërmjet mendjes dhe me pranimin e tyre me ndërgjegje, prandaj me dhunë dhe forcë nuk mund të ndryshohet bindja e një personi. Zoti i madhëruar duke treguar rrugën e drejtë për njerëzimin, ka ftuar njerëzit që ta zgjedhin rrugën e drejtë pa kurrfarë detyrimi dhe force. Nga ana tjetër, sipas urdhëresave të Kur'anit të shenjtë, në Shtetin Islam, myslimanët kanë për detyrë që me jomyslimanët të sillen mirë deri në atë masë saqë kjo sjellje të mos bëhet shkak që jomyslimanët të vendosin hegjemoninë e tyre mbi shoqërinë myslimane. Myslimanët duhet të kenë bashkëjetesë paqësore me jomyslimanët dhe t'i trajtojnë ata me dashuri dhe duke zbatuar drejtësinë. Tani duke marrë parasysh faktin se Islami është fe e lirisë së bindjes dhe nuk lejon dhunë dhe detyrim në zgjedhjen e bindjes, shtrohet pyetja se megjithë këtë liri që ekziston në zgjedhjen e bindjes, për çfarë arsye feja islame ka paraparë dënime të rënda për ata që braktisin fenë islame?

Parimi i lirisë së bindjes në Islam është i bazuar në besimin me zemër i cili është kundër çfarëdo lloji të detyrimit dhe presionit. Duke marrë parasysh këtë vështrim të gjerë, Islami nuk u ka lejuar besimtarëve myslimanë që ta braktisin fenë e tyre. Braktisja e fesë islame është qortuar në mënyrë të ashpër në Kur'anin e shenjtë. Ajo që tërheq vëmendjen këtu është fakti se në asnjë ajet kur'anor në lidhje me braktisjen e fesë, nuk është caktuar ndonjë dënim që duhet të ekzekutohet në këtë botë materiale, mirëpo në sunetin e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe në këshillat e imamëve ma'sum (a.s.), si edhe në pikëpamjen e dijetarëve dhe juristëve islamë, janë caktuar masa të ashpra ndëshkimi. Në Kur'anin e shenjtë në mënyrë të përsëritshme individët që braktisin fenë janë quajtur me emra si të mashtruar nga djalli, ata që kanë pësuar humbje, mohues dhe të ngjashëm me këto fjalë. Kjo vërehet edhe në një paralajmërim që u është bërë besimtarëve në ajetin 217 të sures Bekare në Kur'anin e shenjtë ku thuhet: "Çdo kush prej juve që braktisë fenë dhe të vdesë në këtë gjendje, ai vdes si jobesimtar dhe të gjitha veprat e tij në këtë botë i kanë humbur atij dhe në botën tjetër do të jetë prej banuesve të përhershëm të ferrit". Juristët e shkollës shiite njerëzit që braktisin fenë i kanë ndarë në dy grupe: "Mortad fetri" është ai cili lind mysliman, mirëpo bëhet jobesimtar dhe "mortad meli" është ai  i cili sëpari ka qenë jobesimtar dhe është bërë mysliman  dhe pastaj përsëri bëhet jobesimtar.

Në bazë të nenit 18 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Qytetare dhe Politike, "secili njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë. Kjo e drejtë përfshinë lirinë për të pranuar ose për të mos e pranuar një fe ose bindje sipas zgjedhjes së tij, gjithashtu përfshinë lirinë e manifestimit të fesë ose bindjes e tij, në mënyrë individuale ose shoqërore, në mënyrë të hapur ose të fshehur, në kryerjen e adhurimit dhe  ritualeve dhe veprimeve të tjera fetare". Tani shtrohet kjo pyetje, duke marrë parasysh të menduarin e ngritur të Islamit në lidhje me lirinë e bindjes, si mund të shpjegohet ekzistenca e dënimit për braktisjen e fesë? Cila është filozofia e dënimit të rëndë si ekzekutimi me vdekje për krimin e braktisjes dhe daljes nga feja islame? Një prej çështjeve të rëndësishme që tërheq vëmendjen në lidhje me braktisjen e fesë, janë argumentet e vërtetimit të këtij krimi në jurisprudencën islame. Sipas mendimit të Imam Khomeinit (ra), njohësit të madh të jurisprudencës dhe shkencave islame, braktisja e fesë vërtetohet me dëshminë e dy njerëzve të drejtë ose pas përsëritjes dy herë nga individi. Për lëshimin e vërdiktit të braktisjes së fesë, gjithashtu i akuzuari duhet të jetë i moshës së rritur, me mendje të shëndoshë dhe që gëzon lirinë e zgjedhjes dhe veprimi i tij të jetë i qëllimtë. Duke marrë parasysh këto argumente, kushtet për të vërtetuar braktisjen e fesë duken të jenë të vështira. Nga ana tjetër, dëshmia e dy njerëzve të drejtë rreth sjelljeve sipërfaqësore të atij që ka braktisur fenë, duhet të jetë në shoqërinë islame që ka ndikim shoqëror. Në braktisjen e bindjeve fetare, deri në kohën kure braktisja e fesë të kufizohet vetëm me besimin shpirtëror dhe lidhjen zemërore të tij me Zotin, forca dhe detyrimi nuk ka efekt dhe nuk do të kenë dobi. Brenda kësaj sfere, individi në mënyrë të lirë e zgjedh lumturinë ose vuajtjen. Është e natyrshme që nëse individi zgjedh rrugën e vuajtjes dhe të humbjes, ka kryer një mëkat të madh dhe në botën tjetër do ta përjeton rezultatin e këtij veprimi të keq. Çështje tjetër është kjo që Shteti Islamik nuk ka të drejtë që të hetojë njerëzit për bindjet e tyre. Prandaj nëse një person në zemrën dhe ndërgjegjen e tij do ta braktisë fenë dhe nuk e zbulon braktisjen e fesë, Shteti  Islamik nuk do ta dënojë atë. Mirëpo braktisja praktike, është atëherë kur braktisja del nga territori i besimit me zemër dhe marrëdhënies personale të individit me Zotin dhe veprimet e tij bëhen shkak për degjenerim dhe shkaktojnë dëme në shoqërinë dhe shtetin. Në këtë rast braktisësi i fesë ka kryer një krim publik dhe e meriton ndëshkimin e ligjit sundues. Në këtë mënyrë dhe duke marrë parasysh të dy gjendjet e lartpërmendura, mes lirisë së bindjes dhe moslejimit të dhunës në fe nga njëra anë dhe ndalimit të braktisjes së fesë nga ana tjetër, mund të vendoset kjo lidhje logjike dhe të arrihet në konkludim se hadithet profetike përkatëse me dënimin me vrasje të braktisësit të fesë për të cilin pajtohen dijetarët e të gjitha shkollave juridike islame, përfshinë braktisësit e fesë të cilët kryejnë veprime praktike kundër rendit dhe sigurisë së shoqërisë. Me perceptimin e kësaj çështje, mund të thuhet se lëshimi i vërdiktit për dënimin e braktisjes së fesë bëhet në kohën kur individi të ketë deklaruar në mënyrë të hapur mohimin e Zotit, për ndryshe një vendim i tillë nuk mund të merret vetëm për shkak të mohimit të fesë në zemër ose në mënyrë personale. Kjo tregon se Islami thekson më shumë në aspektin politik dhe shoqëror të braktisjes së fesë dhe pastaj thekson në aspektin e tij publik dhe shoqëror dhe kjo bëhet për të parandaluar dëmet shoqërore të mohimit të fesë dhe për të asgjësuar komplotet e armiqve të Islamit.

Në lidhje me të qenurit krim të braktisjes së fesë në islam, duhet të merret parasysh se në fillim të çështjes, bindja është një çështje individuale që i përket ndërgjegjes së individëve e cila bëhet bazë e rrugës dhe sjelljes së lirë dhe të pavarur të njerëzore. Mirëpo duhet pranuar që për shkak se individët janë shoqërorë, bindja individuale padyshim se ka ndikim bartës pak a shumë mbi të tjerët. Kjo bartje dhe ky transferim mund të mendohet edhe në hipotezat e tjera të bindjeve. Në braktisjen e fesë hipoteza qëndron në këtë se individi që braktis fenë, mendon se me hulumtim dhe studim ka arritur të zbulojë disa dobësi të  fesë dhe ka gjetur një fe më të mirë. Ky ndërrim i bindjes ushtron ndikim negativ mbi opinionin publik sidomos mbi personat të cilët janë në mesin e myslimanëve vetëm në bazë të imitimit dhe jo në bazë të bindjes së bazuar mbi të menduarin. Në fillim të Islamit hebrenjtë për ta thyer moralin e personave që kishin pranuar rishtazi fenë islame, dërgonin misionarë në rajone të ndryshme myslimane dhe ata në mënyrë sipërfaqësore bëheshin myslimanë. Këta persona pas një periudhe largoheshin nge feja islame dhe e prezantonin atë si një fe e cila nuk e meriton të ndiqet. Si rezultat i këtij veprimi, krijohej një lëkundje në besimin e disa myslimanëve. Prandaj për të parandaluar komplote të tilla, në fenë islame janë paraparë masa ndëshkuese. Kjo çështje është e mundshme edhe në  rrethanat aktuale dhe ky komplot mund të përsëritet edhe tani nga armiqtë e islamit. Kjo ndjeshmëri bëhet edhe më e madhe kur sistemi islamik të sundojë në shoqëri. Kjo është për arsye se mund të ndodhë që të krijohen probleme në marrëdhënien e shtetit me popullin dhe në këtë rast braktisja e fesë dhe ndikimet shoqërore të saj, janë kundër rendit publik të shoqërisë. Braktisja e fesë dhe deklarimi i këtij veprimi në mënyrë të hapur është një lloj ngritje e flamurit të luftës kundër Islamit dhe shoqërisë myslimane, krijon probleme në rendin dhe qetësinë e bindjeve fetare dhe shpirtërore të shoqërisë, si dhe krijon rrethana për përhapjen e mosbesimit dhe dobësimin e myslimanëve dhe të shoqërisë islame. Ndoshta arsye se në Islam – përkundër parimeve të pranuara nga të drejtat e njeriut në perëndim – është paraparë dënim i rëndë si ekzekutimi më vdekje për braktisjen e fesë, është kjo që braktisja e fesë është një prej armëve më të rrezikshme kundër qëllimit më të madh të krijimit që është pikërisht adhurimi dhe afrimi pranë Zotit të madhëruar. Kjo është për arsye se braktisja e fesë prish qetësinë fetare të shoqërisë. Një person i tillë me manifestimin e braktisjes fetare, krijon probleme në stabilitetin e besimit të shoqërisë dhe në parimin e besimit në Zotin Një. Prandaj braktisja e fesë islame deri në kohën kur nuk arrin në fazën e manifestimit dhe deklarimit në mënyrë të hapur, nuk e bënë të obliguar ekzekutimin me vdekje kundër braktisësit të fesë dhe nëse një mysliman në çfarëdo mënyrë informohet se një person tjetër  ka braktisur fenë, ai nuk është i obliguar ta vrasë personin që ka braktisur fenë islame. Prandaj filozofia e dënimit të personit që braktisë fenë në Islam, është ruajtja dhe mbrojtja e frontit të brendshëm të vendit islam dhe parandalimi i shkatërrimit të tij, si dhe parandalimi i depërtimit të faktorëve të huaj dhe hipokritëve. Sidomos kur merret parasysh fakti se ky dënim nuk është kundër atij personi i cili mbanë në brendësi bindjen e tij dhe nuk e deklaron atë në mënyrë të hapur, por përfshinë vetëm atë person i cili deklaron dhe predikon bindjen e tij heretike në mënyrë të hapur kundër rendit ekzistues në shoqëri.