Futboll: Shtohet numri i ekipeve në botëror
FIFA vendosi të ndryshojë formatin e fazës finale të kampionatit të Botërorit të futbollit. Mbledhja e mbajtur në Zyrih miratoi në mënyrë unanime propozimin e presidentit Gianni Infantino për rritjen e skuadrave pjesëmarrëse në fazën finale të këtij kompeticioni nga 32 në 48, një format ky që do të nisë të aplikohet në vitin 2026.
Sipas kësaj skeme do të rritet edhe numri ië ndeshjeve nga 64 në 80 që do të luhen në 32 ditë dhe faza paraprake do te jete me 16 grupe të përbëra nga 3 skuadra. Faza me eliminim direkt ku do të kualifikohen 2 të parat e çdo grupi, do të nisë pikërisht më 1/16 e finaleve deri në finalen e madhe. Por çfarë do të thotë kjo për vendin tonë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka thënë: Diskutimi për shtimin e skuadrave në finalet e botërorëve është një diskutim i hershëm, që u shtrua në tryeza që në vitin 2015. Më vjen mirë që sot ky diskutim ka marrë një përgjigje pozitive dhe Këshilli i FIFA-s ka vendosur që të shtohet numri i skuadrave nga 32 në 48. Ky është një zhvillim pozitiv për futbollin në përgjithësi botëror, nxit akoma më shumë vendet në zhvillimin e futbollit. Konsiderohet një nga vendimet pozitive të këtij fillim viti.