Dobësimi i rolit të OKB gjatë kryesimit të Ban Ki Moon
(last modified Sat, 14 Jan 2017 02:15:24 GMT )
Janar 14, 2017 03:15 Europe/Tirane

Më 31 Dhjetor 2016, përfundoi viti i dhjetë i mandatit të Ban Ki Moon në krye të OKB dhe më 1 janar 2017, kryesinë e kësaj organizate e mori 67 vjeçari Antonio Guterres, i cili u bë sekretari i nëntë i përgjithshëm i OKB.

Sekretari i përgjithshëm është posti më i lartë administrativ i OKB. Antonio Guterres është i nënti sekretar i përgjithshëm i kombeve të Bashkuara dhe europiani i katër që merr kryesinë e kësaj organizate. Deri tani, sekretarët e përgjithshëm të OKB kanë qenë nga Europa, Afrika, Azia juglindore dhe Azia lindore. Interesant është fakti se deri tani askush nga rajoni i Lindjes së Mesme nuk është zgjedhur në postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB. Sekretari i parë i përgjithshëm i OKB ishte norvegjezi Trigoli, i cili ishte i pari dhe i vetmi sekretar i përgjithshëm që dha dorëheqjen për shkak të armiqësisë së ish BS ndaj tij. Suedezi Dak Hamer Shuld ishte i vetmi sekretar i përgjithshëm i OKB, mandati i të cilit përfundoi me vdekjen e tij. Egjiptiani Butros Gali  ishte i vetmi sekretar i përgjithshëm i OKB që u privua nga një mandat i dytë në krye të OKB për shkak të vetos së SHBA. Uashingtoni pretendoi se Butros gali ishte i paaftë për kryerjen e reformave në OKB. Antonio Guterres është i vetmi sekretar i përgjithshëm i OKB që më parë ka qenë kryetar qeverie. Ai nga viti 1995-2002 ka qenë kryeministër i Portugalisë.

 

Në Janar 2007, Ban Ki Moon u zgjodh sekretari i tetë i përgjithshëm i OKB duke pasuar ganezin Kofi Anan. Gjatë mandatit 10 vjeçar në kryer të OKB, Ban Ki Moon vizitoi 154 shtete. Më 31 Dhjetor 2016, Ban Ki Moon e la OKB-në në kushtet kur roli i kësaj organizate gjatë kësaj periudhe është dobësuar dukshëm dhe kur kjo organizatë ka humbur kredibilitetin e saj kryesisht tek vendet në zhvillim. Gjatë kryesimit të Ban Ki Moon, OKB u kthye në një mjet presioni në duart e SHBA kundër vendeve të tjera që nuk ndjekin politikat e diktuara nga Uashingtonit. Sekretari i përgjithshëm i OKB në lidhje me krizat rajonale e ndërkombëtare dhe sidomos në krizat në vendet arabe mbajti qëndrime të njëanshme në përputhje të plotë me politikat e Shtëpisë së bardhë. Në nenin 100 të Kartës së OKB thuhet se “sekretari i përgjithshëm dhe punonjësit e OKB në kryerjen e detyrave të tyre nuk duhet të pranojnë urdhra nga asnjë qeveri apo funksionar i huaj. Ata janë vetëm funksionarë të OKB dhe duhet të distancohen nga çdo veprim që është në kundërshtim me dispozitat e mandatit të tyre ndërkombëtar.”

 

Agresionet e regjimit të Izraelit kundër Gazës në vitet 2008, 2012 dhe 2014, gjenocidi në Sudan, kriza në Siri, agresioni i Arabisë Saudite kundër Jemenit, zgjerimi i ekstremizmit dhe terrorizmit si dhe kriza e refugjatëve mund të konsiderohen si sfidat kryesore të mandatit të Ban Ki Moon në krye të OKB. Padyshim, në këto kriza OKB-ja ishte i humburi absolut. Qëndrimi i OKB në krizën izraelito-palestineze që rezultoi me tre agresione izraelite kundër Gazës dhe me një intifadë, ishte krejtësisht pasiv. Në këtë periudhë 10 vjeçare, Asambleja e Përgjithshme e OKB miratoi disa rezoluta kundër krimeve të Izraeli ndaj popullit palestinez, por rezolutat e  Asamblesë së Përgjithshme të OKB nuk kanë karakter obligues. Megjithatë, në ditët e fundit të mandatit të Ban Ki Moon në krye të OKB, KS i OKB në sajë të abstenimit të SHBA, miratoi një rezolutë kundër Izraelit duke kërkuar ndalimin e ndërtimit të kolonive hebreje në territoret e pushtuara palestineze. Edhe në krizën në Siri, OKB dështoi plotësisht dhe vetë Ban Ki Moon pohoi se kriza në Siri ishte dështimi më i madh i OKB gjatë periudhës së kryesimit të tij. Tepër i dobët dhe pasiv ishte qëndrimi i Ban Ki Moon ndaj agresionit të Arabisë Saudite kundër Jemenit. Në një kohë kur emri i Arabisë Saudite ishte renditur në listën e shteteve që shkelin të drejtat e fëmijëve, Ban Ki Moon me presionet e Arabisë Saudite që është aleati kryesor i SHBA në Lindjen e Mesme, u detyrua t’a heqë emrin e Arabisë Saudite nga kjo listë. Kjo e bëri të qartë se OKB nuk është një organizatë e pavarur, por vegël në duart e fuqive të mëdha. Dështimet e OKB përballë krizave të mëdha ndodhën në një kohë kur në bazë të nenin 99 të Kartës së OKB, “sekretari i përgjithshëm i OKB mund të mbledhë Këshillin e Sigurimit për të vendosur mbi çdo çështje për të cilën ai gjykon se kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.” Gjatë kryesimit të Ban Ki Moon, OKB-ja nuk ndërmori ndonjë veprim efikas as përballë krizës së refugjatëve dhe zgjerimit të terrorizmit dhe ekstremizmit në botë.

Nën kryesimin e Ban Ki Moon, OKB-ja nuk mundi të ketë ndonjë sukses as në arritjen e objektivave të mijëvjeçarit e në veçanti përsa i përket zhvillimit të qëndrueshëm. Për arsye të shtimit të luftërave dhe konflikteve dhe paaftësisë së OKB për zgjidhjen e këtyre sfidave, varfëria në botë u shtua ndjeshëm në një kohë kur reduktimi i varfërisë ishte një nga objektivat kryesorë të mijëvjeçarit. Një nga sukseset e pakta të Ban Ki Moon në kryesimin e OKB kishte të bënte me përpjekjet për mbrojtjen e klimës dhe ambientit. Ai bëri përpjekje të shumta diplomatike me qëllim që çështja e ndryshimeve klimatike të vihet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Në këtë kuadër u nënshkrua traktati i Parisit në Dhjetor 2015. Ky traktat i obligon shtetet e botës të reduktojnë sasinë e gazrave serrë me qëllim që deri në vitin 2050, të ulet me 2 gradë rritja e ngrohjes globale. Gjithashtu, në konferencën e Parisit u kërkua nga vendet e pasura që deri në vitin 2020 t’u japin vendeve të varfëra 100 miliardë $ në vit për tu përballur me ndryshimet klimatike.

 

Në vitin 2007, kur mori kryesinë e OKB, Ban Ki Moon deklaroi se forcimi i rolit të OKB dhe i pozitës së kësaj organizate në rendin botëror do të jetë një nga objektivat kryesorë të punës së tij, por pozita e OKB në fund të mandatit 10 vjeçar të Ban Ki Moon është dobësuar ndjeshëm krahasuar me vitin 2007. Roli dhe kredibiliteti i OKB gjatë mandatit të Ban Ki Moon ka rënë dukshëm në sytë e shteteve dhe popujve të botës dhe Antonio Guterres e ka marrë kryesinë e kësaj organizate në rrethana shumë të disfavorshme. Nëse Guterres, përsa u përket krizave në Siri, Irak dhe Jemen, nuk do të dorëzohet përballë presioneve të fuqive të mëdha, ai mund të rikuperojë një pjesë të kredibilitetit të humbur të OKB.

 

Tags