Deklarata e Balfourit dhe krijimi i Lindjes së Mesme
(last modified Thu, 09 Nov 2017 08:31:49 GMT )
Nëntor 09, 2017 09:31 Europe/Tirane

2 nëntori përkon me 100 vjetorin e nxjerrjes së deklaratës së Balfourit. Kjo deklaratë ka ndikuar në krijimin e Lindjes së Mesme.

Sa i përket deklaratës së Balfourit, është e rëndësishme të përmendim 2 tema të caktuara. Së pari deklarata e Balfourit doli vetëm një vit pas akordit Sykes–Picot në të cilin territoret arabe dhe të Lindjes së Mesme u ndanë mes Francës dhe Anglisë. Së dytë deklarata e Balfourit mund të thuhet se është faza e dytë e krijimit të faktorit sionist. Faza e para ka nisur në vitin 1897. Në atë kohë Theodor Harzel, në vitin 1897 në takimin Bazel njoftoi zyrtarisht krijimin e sionizmit. Kjo epokë zgjati 20 vjet, d.m.th. deri në vitin 1917 dhe gjatë saj botës iu prezantua dhe iu bë e qartë kuptimi i sionizmit. Në fazën e dytë e cila nis me deklaratën e Balfourit dhe vazhdoi deri në vitin 1948, u mendua për formimin e një vendi për hebrenjtë dhe për realizmin e këtij objektivi si territor u caktua Palestina. Në realitet, thelbi kryesor i deklaratës së Balfourit ishte krijimi i kushteve për krijimin e vendit hebre. Për të qenë një vend duheshin plotësuar katër kushte që ishin qeveria, sovraniteti, populli dhe territori. Kjo është në një kohë kur hebrenjtë nuk kishin territor. Përveç kësaj regjimi hebraik nuk kishte popullsinë e duhur për të krijuar një vend dhe në kohën e nxjerrjes së deklaratës së Balfourit, vetëm 9% e banorëve të Palestinës përbëhej nga hebrenjtë. Njëkohësisht me shpalljen e Palestinës si vendin për krijimin e regjimit të Izraelit, nisi edhe emigrimi i hebrenjve nga e gjitha bota në drejtim të Palestinës. Duke pasur parasysh karakterin e deklaratës së Balfourit, kjo deklaratë ishte tepër e rëndësishme për ndërtimin e Lindjes së Mesme. Duhet theksuar fakti se në dy shekujt e kaluar, në formimin e Lindjes së Mesme, ka qenë gjithnjë faktori i huaj dhe jashtë rajonit dhe kryesisht fuqitë perëndimore, ai që ka ndikuar në formimin e këtij rajoni. Faktori kryesor në nxjerrjen e deklaratës së Balfourit ishte Anglia që në atë kohë konsiderohej si një prej fuqive kryesore ndërkombëtare. Arthur James Balfour, ish ministër i jashtëm i Anglisë dhe një prej mbështetësve kryesore të lëvizjes sioniste, është ai që nxori deklaratën e Balfourit. Kjo deklaratë kritikohet ashpër për shkak se një vend i tretë ka marrë vendim për ndarjen e një vendi tjetër dhe krijimin e një shteti të ri. Me këtë veprim Anglia synonte të shtrinte influencën e saj në Lindjen e Mesme. Hamid Ahmadi, profesor universiteti dhe ekspert i çështjeve të Lindjes së Mesme, është i mendimit se rrënjët e krizave aktuale në Lindjen e Mesme duhen kërkuar në konfliktet dhe tensionet e fuqive kolonizatore rivale të njëra tjetrës, tek imperializmi dhe më pas tek sjelljet e Amerikës dhe interesat e tyre në rajonin e Lindjes së Mesme. Anglia me vendosjen e hebrenjve në Lindjen e Mesme synonte të krijonte një bazë të sigurt për sundimin e saj në botën arabe. Për këtë arsye në vitin 1917 pas bisedimeve të gjata me liderët sionistë dhe duke marrë mbështetjen e Amerikës, nxori deklaratën e Balfourit. Kjo deklaratë në një formë ishte përpjekje për të mbajtur Francën jashtë rajonit strategjik dhe të pasur me naftë. Politikanët e njohur të Britanisë, kanë protestuar kundër marrëveshjes Sykes–Picot dhe kanë thënë se për shkak të saj Franca do të afrohej në kufijtë e kanalit të Suezit dhe për këtë Palestina duhej hequr nga kontrolli i francezëve. Përpjekjet anti-franceze të Anglisë mundësuan nxjerrjen e deklaratës së Balfourit dhe më pas dorëzimin e Palestinës tek sionistët. Anglezët ishin të mendimit se lëvizja sioniste pas luftës do të ishte tepër e varur tek mbështetja politike dhe ushtarake e Anglisë dhe për pasojë Anglia do të merrte zotërimin dhe kontrollin e plotë mbi Palestinën.

Kur kanë kaluar 100 vjet nga deklarata e Balfourit, krijimi i shtetit të Izraelit asnjëherë nuk është pranuar nga qeveritë dhe opinioni publik i rajonit të Lindjes së Mesme. Një prej shkaqeve dhe arsyeve kryesore të destabilitetit, pasigurisë dhe dhunës në Lindjen e Mesme është pikërisht kjo dhe falsiteti dhe pushtimi i Palestinës nga ana e Izraelit u bë shkak që ky regjim të mos njihet nga vendet islamike. Me dobësimin e pozitës së Anglisë në sistemin botëror dhe kthimin e Amerikës në një prej fuqive botërore pas luftës së dytë botërore, Uashingtoni u kthye në një nga mbështetësit kryesorë të regjimit të Izraelit. Me fjalë të tjera deklarata e Balfourit, u hartua në atë formë që rajoni i Lindjes së Mesme gjithmonë të projektohet dhe ndërtohet nga fuqitë botërore.  Një prej ndikimeve më të rëndësishme të deklaratës së Balfourit është se në rajon është futur një faktor i cili nuk ka asnjë lidhje me identitetin fetar të rajonit dhe është në kundërshtim me fenë islame dhe atë hebraike. Ky faktor krijoi kushtet e favorshme për dhunë dhe luftë në Lindjen e Mesme. Regjimi sionist me luftërat e përsëritura dhe i mbështetur nga perëndimi, është bërë shkak për zgjerimin e dhunës në Lindjen e Mesme. Në realitet deklarata e Balfourit është faktori kryesor i konflikteve të stërzgjatura në Lindjen e Mesme, ku më kryesor është konflikti mes Izraelit dhe Palestinës. Një prej ndikimeve të deklaratës së Balfourit në ndërtimin e Lindjes së Mesme është ndarja e një pjese të Palestinës dhe dhënia e saj Izraelit gjë e cila ndihmoi në shpalljen e ekzistencës së regjimit të Izraelit në vitin 1948. Faza e tretë e formimit të regjimit të Izraelit nisi në vitin 1948. Në atë vit regjimi i Izraelit shpalli ekzistencën e tij dhe nisi fushatën për zgjerim duke pushtuar tokat palestinez dhe duke ndërtuar sa më shumë koloni në territoret e pushtuara. Kjo politikë shkaktoi konflikte, dhunë dhe luftëra të cilat kanë marrë jetën e mijëra personave dhe kanë detyruar me miliona palestinezë që të shpërngulen në vendet e tjera të botës sidomos në vendet fqinje të Palestinës. Dhuna dhe luftërat e Izraelit kundër Palestinës, Libanit dhe Sirisë, ishin pjesë e dhunës strukturore të këtij regjimi në Lindjen e Mesme. Sot disa vende arabe si Arabia Saudite me anë të luftërave dhe agresioneve kundër vendeve të tjera si lufta kundër Jemenit, synojnë të realizojnë qëllimet dhe interesat e tyre. Mes shembullit të sjelljes së Arabisë Saudite në Jemen dhe sjelljes së regjimit sionist kundër Palestinës dhe Libanit, ka ngjashmëri të madhe. Vrasja e fëmijëve, shpërngulja e civilëve, shkatërrimi i infrastrukturës, bllokada totale, vrasja dhe plagosja e civilëve, janë disa nga rastet e përbashkëta në sjelljet e regjimit Saudit dhe të regjimit sionist. Kjo ngjashmëri është një prej shkaqeve kryesore të afrimit të regjimit të Izraelit me regjimin e Arabisë Saudite në Lindjen e Mesme. Tani kanë kaluar 100 vjet nga nxjerrja e deklaratës së Balfourit nga ana e Anglisë. Edhe pse qeveria aktuale e Anglisë feston 100 vjetorin e nxjerrjes së kësaj deklarate, mirëpo kjo deklaratë ashtu siç në vitin 1916 krijoi një strukturë false dhe të varur në Lindjen e Mesme, ajo në këtë rajon ka imponuar luftë, përleshje, konflikte, evakuim të civilëve, si dhe ka krijuar kushtet që fuqitë perëndimore të ndërhyjnë në Lindjen e Mesme me pretekstin e ruajtjes së sigurisë së Izraelit.