Akuzat e Trump kundër Iranit dhe kundërpërgjigjja ndaj tyre
Donald Trump, presidenti i Amerikës, në fjalimin e tij të fundit në lidhje me strategjinë e re të qeverisë së këtij vendi ndaj Iranit dhe marrëveshjes bërthamore, përveç ofendimeve ndaj popullit iranian, ka paraqitur edhe disa akuza kundër Iranit.
Disa prej këtyre akuzave janë vetëm përsëritje e akuzave të kaluara dhe atyre u janë kundërpërgjigjur autoritetet iraniane. Megjithëkëtë, për shkak të vëmendjes së opinionit publik të botës ndaj këtij fjalimi, duket të jetë e domosdoshme që edhe njëherë t’u jepet përgjigje akuzave të Donald Trump kundër popullit dhe qeverisë së Iranit.
Presidenti i Amerikës në fjalimin e tij polemik rreth marrëveshjes bërthamore, pretendoi se Irani është munduar të kryejë një sulm me shpërthimin e një bombe në një restorant në Uashington. A është e vërtetë kjo akuzë?
Akuza kundër Iranit për përpjekje për të kryer sulm me anë të shpërthimit në një restorant në kryeqytetin e SHBA-ve, daton që nga ngjarja kur autoritetet e sigurisë së Amerikës dhe disa media amerikane pretenduan se një agjent i forcave Sepahe Kods të Gardës Revolucionare të Iranit ka bërë përpjekje që të vrasë Adel Xhubejr, ambasadorin e Arabisë Saudite në atë kohë në SHBA. Erik Holder, prokurori i përgjithshëm i Amerikës në vitin 2011, pretendoi se një person me shtetësi amerikano-iraniane i quajtur Mansur Arbab Sajar, i ka dhënë para një karteli të drogës për ta vrarë Adel Al-Xhubejr. Ai gjithashtu pretendoi se një person me emrin Ali Gholam Shakuri për të cilin thuhet se është një oficer i brigadës Kods të Gardës Revolucionare të Iranit, ishte implikuar në këtë komplot. Arbab Sajar u arrestuar pas një kohe dhe amerikanët pretenduan se Sahkuri ishte arratisur nga Amerika. Personaliteti i dyshimtë i Arbab Sajar dhe e kaluara e tij e dyshimtë për bashkëpunim me bandat e drogës, i dha shkas të përshtatshme autoriteteve të sigurisë së Amerikës në mënyrë që në kulmin e tensioneve të Teheranit me vendet perëndimore në lidhje me programin paqësor të energjisë atomike të Iranit, të ndezin një komplot të ri për të ushtruar presion më të madh kundër Iranit. Shpalljen person të arratisur të një të ashtuquajturi oficer të Gardës Revolucionare të Iranit dhe arrestimin e një trafikanti të automjeteve të vjetra, krijoi shumë dilema serioze në lidhje me këtë komplot i cili pas një kohe u vendos në harrës gati tërësisht. Aktualisht Donald Trump për të arsyetuar sabotimet dhe moszbatimin e zotimeve të Amerikës ndaj marrëveshjes bërthamore dhe për ta ndezur më shumë iranofobinë në botë, ka filluar ta përdorë një dosje të vjetër dhe të pavërtetuar si kjo për përpjekjen e Iranit për ta vrarë ministrin aktual të jashtëm të Arabisë Saudite.
Presidenti i Amerikës gjithashtu pretendoi se Irani duke prodhuar mbi 130 tonë ujë të rëndë, ka shkelur marrëveshjen bërthamore. A është e vërtetë kjo akuzë?
Irani në bazë të marrëveshjes bërthamore me Grupin 5+1 është zotuar se përveç reduktimit të centrifugave të veta dhe reduktimit të sasisë dhe nivelit të forcës së uraniumit të pasuruar, të reduktojë edhe rezervat e ujit të rëndë deri në 130 tonë. Raportet e ANEA si autoriteti i vetëm për të deklaruar qëndrim në lidhje me zbatimin e marrëveshjes bërthamore nga ana e Iranit, vazhdimisht kanë konfirmuar se Irani ka respektuar dhe po respekton zotimet e veta në kuadër të kësaj marrëveshje. Teherani ka vërtetuar zbatimin e qëndrimeve të veta dhe sasinë shtesë të ujitë të rëndë e ka shitur tek palët e interesuara të huaja dhe një pjesë të tij e ka deponuar në Oman për të ofruar për shitje në tregjet ndërkombëtare. Natyrisht se në bazë të raporteve të ANEA, në disa raste për shkak të mospërputhjes së sasisë së prodhimit të ujit të rëndë me procesin e shitjes së këtij produkti strategjik ose deponimit të tij në vendin tjetër, rezervat e ujit të rëndë kanë kaluar kuotën e 130 tonëve, mirëpo menjëherë pas informimit të ANEA rreth kësaj çështje, kuota e prodhimit të këtij produkti është reduktuar nën tavanin e caktuar. Me fjalë të tjera, kalimi i kësaj kuote ka ndodhur vetëm për shkak të shfaqjes së problemit teknik, prandaj nuk konsiderohet shenjë për shkeljen e marrëveshjes nga ana e Iranit. Për këtë arsye edhe ANEA ka vlerësuar bashkëpunimin e Teheranit dhe në tetë raportet e saj zyrtare ka konfirmuar se Irani zbaton plotësisht marrëveshjen bërthamore dhe ka respektuar sasinë e caktuar të rezervave të ujitë të rëndë. Megjithëkëtë, Donald Trump po bënë përpjekje të keqshfrytëzojë një çështje plotësisht teknike dhe tërësisht të përfunduar si një mjet për ta prishur një marrëveshje ndërkombëtare.
Gjithashtu një pjesë e akuzave të fundit të presidentit të Amerikës kanë të bëjnë me centrifugat e Iranit; kjo akuzë çfarë dimensione përmban?
Irani në bazë të marrëveshjes bërthamore, në mënyrë të ligjshme posedon 5060 centrifuga të llojit IR-1 të cilat janë instaluar në objektin bërthamor të Natanzit. Këto centrifuga prodhojnë një sasi të caktuar të uraniumit të pasuruar në nivel 3.67 %. Është vendosur që deri në kohën e caktuar në marrëveshjen bërthamore, Irani të posedojë dhe të shfrytëzojë këto centrifuga për prodhimin e lëndëve bërthamore në këto përmasa. Mirëpo, marrëveshja bërthamore e ka lejuar Iranin që njëkohësisht me këtë, të kryej hulumtime mbi gjeneratat e reja të centrifugave. Një prej llojeve të këtyre centrifugave të reja, përbëhet nga centrifugat IR-8 të cilët e pasurojnë uraniumin tetë fish më shumë se sa centrifugat e gjeneratës së parë. Republika Islamike e Iranit synon që pas kalimit të afatit kohor të caktuar në marrëveshjen bërthamore, t'i fusë në funksion edhe centrifugat e gjeneratës së re dhe të prodhojë lëndë të mjaftueshme për centralin bërthamor të Busheherit. Rusia si palë implementuese e centralit bërthamore të Busheherit ka një kontratë 10 vjeçare për shitjen e lëndëve bërthamore Iranit që nevojiten si karburante për centralin bërthamor të Busheherit. Prandaj, pikërisht për këtë arsye Republika Islamike e Iranit insiston në prodhimin e lëndëve bërthamore të nevojshme për këtë central. Ndërkohë që presidenti amerikan me paraqitjen e akuzave të pavërteta, synon që Irani të privohet edhe nga hulumtimet shkencore dhe teknike dhe të mos lejohet që pas përfundimit të afatit të kufizimeve kohore sipas marrëveshjes bërthamore, Irani të arrijë në nivelin e prodhimit të mjaftueshëm të lëndëve bërthamore si karburante.
Nga ana tjetër, presidenti i Amerikës pretendon se Irani pas mbarimit të afatit të kufizimeve të caktuara në marrëveshjen bërthamore, do të ecë drejt prodhimit të armëve bërthamore. Kjo akuzë deri në çfarë mase përputhet me realitetin?
Republika Islamike e Iranit vazhdimisht ka deklaruar se prodhimi i armëve bërthamore nuk ka vend në strategjinë ushtarake të këtij vendi. Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, si autoritet fetar, ka lëshuar një dekret fetar në lidhje me këtë çështje dhe e ka shpallur haram dhe të ndaluar në bazë të dispozitave të Sheriatit Islam, çfarëdo lloj përpjekje për prodhimin ose përdorimin e armëve bërthamore. Zotimet e Iranit në kuadër të marrëveshjes bërthamore dhe caktimi i kufizimeve kohore, janë caktuar në kuadër të këtyre objektivave. Sidoqoftë, nëse palët e tjera, sidomos Amerika do të zbatojnë zotimet e veta në kuadër të marrëveshjes bërthamore, qeveria e Republikës Islamike të Iranit në fund të vitit të tetë të marrëveshjes bërthamore do ta çojë protokollin shtesë për ratifikim në Parlamentin Islamik, me kusht që edhe qeveria e Amerikës njëkohësisht të dërgojë në Kongres planin për heqjen e të gjitha sanksioneve përkatëse me programin atomik të Iranit. Në këtë mënyrë dhe me ratifikimin e protokollit shtesë nga ana e Parlamentit Islamik të Iranit, praktikisht disa lloje të inspektimeve të ANEA-s mbi aktivitetin atomik të Iranit do të bëhen të përhershme. Mirëpo disa lloje të tjera në bazë të të drejtave legjitime të Iranit, do të anulohen në fund të përfundimit të afateve 5 vjeçare, 8 vjeçare, 10 vjeçare, 15 vjeçare dhe 25 vjeçare. Megjithëkëtë, Trump po bënë përpjekje që duke anashkaluar këtë proces, të krijojë frikë në lidhje me të ardhmen e aktivitetit paqësor atomik të Iranit dhe të krijojë probleme për marrëveshjen bërthamore. Qeveria e Amerikës me krijimin e termit "perëndimi i marrëveshjes bërthamore", pretendon se Irani pas përfundimit të afateve të kufizimeve të vendosura në marrëveshjen bërthamore, do të shkojë drejt prodhimit të armëve bërthamore. Kjo është në kohën kur kjo marrëveshje bërthamore parimisht nuk ka perëndim dhe zotimi i Iranit për mohimin e armëve bërthamore është i përhershëm.
Presidenti i Amerikës ka pretenduar se djali i Osama bin Laden, ish-liderit të organizatës terroriste Al Kaida ka qenë në Iran dhe për këtë arsye Irani konsiderohet mbështetës i terroristëve që kanë kryer sulmin e 11 shtatorit të vitit 2001; deri në çfarë mase mund të jetë e vërtetë kjo akuzë?
Në bazë të dëshmive të pamohuara të cilat janë publikuara nga autoritetet amerikane të inteligjencës, individët si Osama bin Laden në vitet 1980-ta, me financimin dhe armatimin e CIA-s, janë zhvilluar dhe rritur në Afganistan për të luftuar kundër ushtrisë së kuqe të ish-Bashkimit Sovjetik. Këta individë pas një kohe krijuan grupin terrorist Al Kaida dhe ndihmuan aleatin e tyre grupin Taliban që të sulmojë disa rajone brenda në territorin e Iranit. Natyrisht se veprimet terroriste të grupit Taliban dhe Al Kaida në fund rezultuan në dëm të Amerikës dhe krijuan tragjedinë e 11 shtatorit të vitit 2001. Qytetarët e Teheranit në atë kohë disa orë pas ndodhjes së kësaj ngjarje, u mblodhën në një shesh në Teheran dhe ndezën qirinj në shenjë nderimi për viktimat e këtij sulmi. Pas kësaj ngjarje, gjithashtu, grupet e mbështetura nga Irani në Afganistan në atë kohë filluan sulme të ashpra kundër pozicioneve të forcave të grupit Taleban dhe Al Kaida. Këto sulme ishin aq efikase sa që pa avancimin e këtyre forcave tokësore, bombardimet ajrore të Amerikës në Afganistan kurrë nuk do të kishin patur sukses. Njëkohësisht me këtë, roli që ka luajtur Irani në konferencën e Bonit në fund theu bllokadën politike në Afganistanin e pas regjimit Taliban dhe krijoi kushtet e përshtatshme për organizimin e zgjedhjeve të para të lira presidenciale dhe për fitoren e Hamed Karzai në Afganistan. Natyrisht se gjatë muajve me plotë trazira pas rrëzimit të regjimit Taliban në Afganistan dhe duke marrë parasysh vijën e gjatë kufitare që ekziston mes Iranit dhe Afganistanit dhe Pakistanit, është e mundur që edhe disa elementë të grupit Taliban dhe Al Kaida të kenë depërtuar në disa pjesë të territorit të Iranit. Megjithëkëtë, autoritetet e sigurisë së Iranit shumë shpejtë morën masa për tu përballur me këtë situatë dhe kanë arrestuar elementë të këtyre grupeve terroriste. Padyshim se nëse nuk do të ishte vigjilenca dhe veprimi me kohë i autoriteteve iraniane të sigurisë kundër grupit terrorist Taliban dhe Al Kaida, kushtet e sigurisë së Afganistanit do të bëheshin shumë më të këqija dhe më kritike ndërsa vendet perëndimore do të përballeshin shumë më shumë me kërcënimet terroriste. Megjithëkëtë, George W. Bush, ish-presidenti i Amerikës në atë kohë, në vend të falënderimit për veprimet anti-terroriste të Iranit, emrin e këtij vendi e vendosi në listën e "boshtit të së keqes". Aktualisht edhe një presidenti tjetër republikan i Amerikës synon që duke ngjallur dosjen e mbyllur të pranisë së djalit të kreut të Al Kaidas, t'i arsyetojë veprimet e tij kundër Iranit!
Në fund, presidenti i Amerikës informoi edhe për bashkëpunimin bërthamor të Iranit dhe Koresë Veriore në fushën e prodhimit të armëve; a është e vërtetë kjo akuzë?
Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet miqësore mes qeverisë së Iranit dhe Koresë Veriore nuk janë të fshehura për askënd. Megjithëkëtë, Republika Islamike e Iranit parimisht nuk synon prodhimin e armëve bërthamore që të dëshirojë të ketë bashkëpunim me një vend si Koreja Veriore në lidhje me këtë çështje. Irani vazhdimisht ka dënuar kryerjen e testimeve të armëve bërthamore nga çfarëdo vendi të jenë duke përfshirë edhe ato të Koresë Veriore dhe ka theksuar zhdukjen e të gjitha armëve bërthamore në botë. Përveç kësaj aktiviteti atomik paqësor i Iranit, sidomos futja në funksion të ciklit të karburanteve bërthamore, është bërë vetëm në bazë të potencialeve vendore duke shmangur çfarëdo lloj varësie nga faktorët e huaj në këtë drejtim, gjithashtu nuk ekziston kurrfarë shenje ose dëshmie në lidhje me bashkëpunimin e Iranit dhe Koresë Veriore në fushën e prodhimit ose testimit të armëve bërthamore. Duke marrë parasysh nivelin e armiqësisë së vjetër të Amerikës me popullin e Iranit, nëse amerikanët do të posedonin edhe dëshminë më të vogël në lidhje me këtë lloj bashkëpunimi, atëherë deri më tani do të krijonin shumë kriza ndërkombëtare për iranianët. Për këtë arsye, paraqitja e pretendimeve të tilla të pavërteta nga ana disa funksionarë të kaluar dhe aktual të Amerikës duke përfshijë edhe Donald Trump, presidentin e këtij vendi, nuk ka tërhequr vëmendjen e Bashkësisë Ndërkombëtare.
Tani u bë e qartë se asnjë prej akuzave të paraqitura kundër Iranit nga ana e presidentit të Amerikës, nuk kanë kurrfarë baze të vërtetë dhe bëhen vetëm në kuadër të politikës iranofobiste dhe për të arsyetuar sabotimet e SHBA-ve ndaj marrëveshjes bërthamore. Edhe niveli i dënimeve të këtyre deklaratave në nivel botëror ka treguar se këto akuza të paraqitura janë të pabesueshme dhe nuk ushtrojnë kurrfarë ndikimi mbi pikëpamjet e qarqeve botërore ndaj Republikës Islamike të Iranit.