Haxhi Ibrahimist
(last modified Sat, 17 Aug 2019 08:02:14 GMT )
Gusht 17, 2019 10:02 Europe/Tirane
  • Haxhi Ibrahimist

Në ceremoninë e Haxhit një turmë e madhe njerëzish të pasionuar me dashurinë e Zotit, shkojnë drejtë tokës së shpalljes për të organizuar një kongres madhështor. 

Tani janë ditët e Haxhit dhe vizitorët janë nisur drejt një rrugëtimi për të cilin kanë pritur në të gjitha çastet e tërë jetës së tyre që të vije koha e realizimit të kësaj dëshire të tyre. Në ceremoninë e Haxhit një turmë e madhe njerëzish të pasionuar me dashurinë e Zotit, shkojnë drejtë tokës së shpalljes për të organizuar një kongres madhështor. Haxhi në krahasim me programet e tjera edukative siç është namazi dhe agjërimi, shoqërohet me dy kushte të kohës dhe vendit, me fjalë të tjera në çdo ditë dhe në çdo muaj dhe në çdo vend e territor nuk mund të kryhen ritualet e Haxhit dhe besimtari të bëhet haxhi. Në programin edukativ dhe moral të Haxhit, vërejmë një lidhje të historisë dhe gjeografisë. Pikërisht për këtë arsye, Haxhi ashtu sikur agjërimi, në vend të një muaji, duhet të kryhet në disa ditë të caktuara dhe në kohëra të caktuara. Haxhi ndryshe nga namazi dhe agjërimi, kryhet vetëm në disa rajone të caktuara, në tokën e shenjtë, zanafillën e besimit në një Zot dhe në vendin e sigurt të historisë. 

Haxhi në kuptimin etimologjik, do të thotë vendosja për një lëvizje dhe ecje drejt destinacionit. Në kuptimin terminologjik, Haxhi është rrugëtim drejt vendit të shenjtë, qytetit të Mekës në muajin Dhil-Hixhe dhe me qëllim të vizitës së Shtëpisë së Zotit, Qabes dhe organizimit të Kongresit të Madh Islamik. Zoti i madhëruar për realizimin e këtij rrugëtimi të robërisë së njeriut para Zotit dhe arritjes në pozitën e afrimit pranë Zotit, e ka urdhëruar Hazretin Ibrahim a.s. që ta pastrojë privatësinë e Shtëpisë së Tij nga çdo gjë që pengon këtë rrugëtim shpirtëror në mënyrë që vizitorët hyjnorë në Shtëpinë e Zotit të mendojnë vetëm për Atë dhe të sillen rreth saj dhe të lirohen nga errësira në mënyrë që të bëhen mysafirë në shtëpinë e dashurinë dhe të përgatiten me të vetmin Zot të gjithësisë. 

Në atë kohë kur Hazreti Ibrahimi a.s. me ndihmën e djalit të tij Hazretit Ismail a.s., vendosi themelet e Qabes, tha: “O Zot! Unë po e lë birin tim të banojë në një shkretëtirë të thatë pranë një shtëpie në mënyrë që ta kryejnë namazin”. Pastaj Hazreti Ibrahim a.s. gjithashtu tha: “O Zot! Bëri zemrat e njerëzve që të përkushtohen ndaj tyre furnizoji ata me begatinë tënde me shpresë që ata të falënderojnë Ty!”. Në transmetime fetare thuhet, pasi që Hazreti Ibrahim a.s. e përfundoi ndërtimin e Qabes, atij i erdhi shpallja e Zotit i cili i tha: “O Ibrahim, ftoji njerëzit që të vijnë dhe ta vizitojnë këtë Shtëpi!” Hazreti Ibrahim a.s. tha: “O Zot! Në këtë shkretëtirë, kush mund ta dëgjojë zërin tim?” Atij i erdhi përgjigja se ti ke përgjegjësi të kumtosh thirrjen dhe unë kam përgjegjësi përhapjen e mesazhit. Prandaj, Hazreti Ibrahim a.s. me urdhrin e Zotit të madhëruar hipi mbi një gur dhe thirri: “O njerëz! Një shtëpi ekziston për Zotin, prandaj ejani dhe vizitojeni atë!” Ndërkohë Zoti i madhëruar thirrjen e dërgoi në veshët e të gjithë njerëzve deri në ditën e Kiametit dhe ata iu përgjigjen kësaj thirrje dhe lëshuan sloganin “Lebejk, All-llahumme lebejk”. Që nga ajo kohë, Haxhi me begatitë e panumërta shpirtërore, njerëzore dhe shoqërore ndodhet para besimtarëve myslimanë që synojnë afrimin pranë Zotit.

Tani ka shumë shekuj që është plotësuar lutja e Hazretit Ibrahim a.s. në mënyrën më të mirë. Kjo është për arsye se gjithnjë një turmë e madhe e vizitorëve me zemra plotë dashuri dhe sinqeritet, nxitojnë drejt atij vendi dhe Shtëpi është bërë vendi ku manifestohen pamjet më të pastra të robërisë së njeriut para Zotit. Haxhi është me plotë kujtime, mësime dhe me plotë ndjenja të pashembullta. Rrugëtarët e Shtëpisë së Zotit në Meke dhe Medine, vendosen në një atmosferë të mbushur me begati shpirtërore dhe në të gjitha këto vende kanë ndodhur me dhjetëra ngjarje dhe kujtime të madhërishme të historisë së Islamit dhe shumë luftëra të Profetit të nderuar të Islamit të cilat pasqyrohen para syve të hanxhinjve. Haxhi gjithashtu mund të konsiderohet ripërtëritje e besëlidhjes së besimtarëve me profetët e Zotit si Hazreti Adem a.s., Ibrahim a.s. dhe Hazretit Muhamed s.a.v.s., të dërguarin e fundit të Zotit. Imam Aliu (a.s.) në lidhje me pasionin dhe dashurinë e njerëzve për ta vizituar Shtëpinë e Zotit, thotë: “Njerëzit ashtu sikur të eturit që nxitojnë drejt burimit të ujit, janë nisur drejt saj dhe ashtu si pëllumbat, tregojnë pasionin e vet ndaj Shtëpisë së Zotit. Ata ndalen dhe qëndrojnë në vendet në të cilat kanë qëndruar profetët dhe ashtu si engjëjt të cilët sillen rreth Fronit Hyjnor, sillen rreth Qabes. Këta një “tregun” e adhurimit marrin fitime dhe nxitojnë drejt vendit në të cilin i falën mëkatet njerëzve. Zoti i madhëruar e ka bërë Qaben simbol të Islamit dhe e ka bërë atë shtëpi dhe vend të sigurt për ata që kërkojnë strehim”. 

Hazreti Ibrahim a.s. në mesin e profetëve dhe të dërguarve të Zotit, ka një pozitë të veçantë deri në atë nivel sa që Zoti i madhëruar në Kur’anin e shenjtë 69 herë ka përmendur emrin e tij në 25 sure dhe ka kujtuar njerëzve të tjerë atributet dhe virtytet e tij në Kur’anin e shenjtë dhe e ka prezantuar atë si model dhe shëmbëlltyrë për myslimanët dhe të gjithë besimtarët. Duke marrë parasysh faktin se Hazreti Ibrahim a.s. është prijës i njerëzve dhe shëmbëlltyrë e mirë për besimtarët, secili veprim i tij në Haxh është porositur si një traditë-sunet i Profetit ose si një vepër e preferuar dhe e pëlqyeshme, prandaj edhe ky Haxh ka mbetur si “Haxhi Ibrahimist”. Prandaj Zoti i madhëruar për ta mbajtur gjallë pozitën e Ibrahimit a.s., thotë: 

«و اذ جعلنا البیت مثابةً للنّاس و امناً و اتّخذوا من مقام ابراهیم مصلّی...

“Dhe (kujtojeni) atë kohë kur shtëpinë e Qabes e kemi bërë vendkthimi dhe qendër të sigurt dhe të sigurisë për njerëzit dhe (për të kujtuar) pozitën e Ibrahimit, zgjidhni një vend për vete që ta adhuroni Zotin”.

Qëllimi i Haxhit Ibrahimist është pikërisht ai Haxh të cilin Zoti i madhëruar e ka bërë atë obligim për besimtarët dhe ka kërkuar nga Ibrahimi a.s. që ta kumtojë atë dhe Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. e ka gjallëruar atë në kohën e tij. Në të vërtetë, Haxhi Ibrahimist është pikërisht ai Haxh i vërtetë të cilin e kryen besimtarët me motiv të afrimit pranë Zotit dhe deklarimit të robërisë para Zotit dhe mohimit të idhujtarisë dhe mosbesimit. Haxhi Ibrahimist lufton simbolet e idhujtarisë dhe padrejtësisë, bënë përpjekje për ngritjen e fuqisë dhe dinjitetit të Islamit dhe myslimanëve, ndërsa nuk mendon vetëm për kryerjen e ritualeve dhe veprave sipërfaqësore, por përveç kësaj përkushtohet edhe në thellësinë dhe brendësinë e veprave të besimtarëve në të gjitha rrethanat. 
Ajetullah Khamenei, lideri i Revolucionit Islamik të Iranit, gjithashtu në lidhje me këtë çështje thotë: “Haxhi Ibrahimist është pikërisht Haxhi i Hazretit Muhamed s.a.v.s. në të cilin lëvizja drejt njëshmërisë dhe unitetit është shpirti dhe prioritet i të gjitha ceremonive dhe ritualeve. Haxhi është faktor i begatisë, udhëzimit dhe shtyllë kryesore në jetën dhe kryengritjen e Umetit të Unifikuar. Haxhi është i mbushur me dobi dhe përmendje të Zotit. Haxhi në të cilin popujt myslimanë e perceptojnë me të gjithë qenien e tyre ekzistencën e Umetit të unifikuar të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe praninë e tyre në atë dhe me ndjenjën e vëllazërisë dhe afrimit të popujve, çlirohet nga ndjenja e dobësisë, paaftësisë dhe humbjes së vetes. Haxhi Ibrahimist është ai në të cilin myslimanët lëvizin nga përçarja drejt bashkimit dhe sillen rreth Qabes me njohjen e kuptimit simbolik të saj, Qabes e cila është simbol i besimit në një Zot dhe çelës i distancimit dhe largimit nga idhujtaria dhe mosbesimit. Myslimanët nga aspekti sipërfaqësor i ritualeve dhe veprave të Haxhit, arrijnë në kuptimin e brendshëm dhe në shpirtin e tyre dhe përfitojnë nga ato veprime për ta zhvilluar dhe përmirësuar jetën e tyre dhe jetën e Umetit Islamik”.

Një çështje e rëndësishme është fshehur në kryerjen e obligimit të Haxhit dhe ajo është kjo që Haxhi është obligim për ata besimtarë të cilët kanë mundësi dhe kushte materiale të mira. Në sistemin fetar, çdo person i cili ka kushte materiale për të marrë pjesë në kongresin e madh të Haxhit dhe ka aftësi fizike që të kryejë me lehtësi të gjitha ritualet dhe të sigurojë të gjitha shpenzimet, atëherë ai ka për obligim që të shkojë dhe ta vizitojë “Shtëpinë e Zotit” në Meke dhe vendet e shenjta në Medine duke u shpërngulur nga vetja drejt Krijuesit të madhërishëm. Në realitet, gjithnjë ata të cilët kanë kushte të mira materiale në jetë, më shumë se të tjerët përballen me dëmtime dhe sjellje të devijuara shoqërore. 

Me fjalë të tjera, nëse pozita financiare e një personi nuk shoqërohet me edukim shpirtëror dhe moral, ajo mund të bëhet shkak që ai person të devijojë dhe të rebelohet para urdhrave hyjnor. Ndërkohë ai person i cili përfiton më shumë nga mirësitë hyjnore, posedon edhe aftësi fizike, kapacitet intelektual dhe kushte të mira ekonomike, ai duhet të ndjejë më shumë përgjegjësi për kryerjen e detyrave individuale dhe shoqërore. Prandaj, Haxhi është një çështje e obliguar për njerëzit me kushte të mira në mënyrë që këto kushte të mira të mos bëhen shkak që ata të ndjehen të privilegjuar në jetën shoqërore të tyre dhe ata të mos krenohen dhe të mos bëhen arrogant. 
Spikeri...
Qabeja është shtëpi e mysafirëve të Zotit dhe Hazreti Ibrahimi është kumtues i ftesës së bujarisë së Tij. Haxhi është një thirrje që bubullon në veshin e kohës dhe zë vend në shpirtin e miliona njerëzve besimtar të Zotit dhe kjo thirrje hyjnore fton të gjithë njerëzit nga çdo vend që të shkojnë drejt Qabes. 

Tags