Speciale për ditën e Arbainit Husejnit
(last modified Fri, 11 Oct 2019 17:32:01 GMT )
Tetor 11, 2019 19:32 Europe/Tirane
  • Speciale për ditën e Arbainit Husejnit

Sot është sita e 20-të e muajit safar dhe dita e dyzetë e martirizimit të Husejn bin Ali (a.s.). Një ditë kjo kur myslimanë futën në zimbajtje të një burri të madh që jeta e Islamit është rezultat i martirizimit të tij.

Sot është sita e 20-të e muajit safar dhe dita e dyzetë e martirizimit të Husejn bin Ali (a.s.). Një ditë kjo kur myslimanë futën në zimbajtje të një burri të madh që jeta e Islamit është rezultat i martirizimit të tij. Arbaini tregon kujtimin e martirizimit të Husejn bin Ali (a.s.) dhe shokëve të tij besnikë në ditën e Ashurasë. Arbaini i Imam Husejnit (a.s.) tregon trimërinë dhe sakrificën e atyre të cilët për ruajtjen dhe qëndrueshmërinë e fesë Islame dhe Kur’anit të shenjtë, kanë sakrifikuar dhe hequr dorë nga çdo gjë që kishin dhe vetëm të vërtetën dhe luftën për drejtësi e kanë vendosur prioritet të jetës së vet.

Atija e cila është prej myslimanëve shiitë dhe dashamirëse e Ehli Bejtit (r.a.), thotë: “Ne së bashkur me Xhabir bin Abdullah arritëm në Qerbela për ta vizituar varrin e Imam Husejnit (a.s.). Xhabir bin Abdullah së pari shkoi te lumi Eufrat dhe aty pastroi trupin e vet dhe veshi rroba të reja. Pastaj u nis drejt varrit të pastër. Ai çdo hap që bënte, shqiptonte emrat e Zotit. Kur u afrua pranë varrit të Imam Husejnit (a.s.) tha: “Atije më kap dorën time dhe vendose mbi varr!” Sapo arriti dora e Xhabirit mbi varr, ai e humbi vetëdijen dhe pasi erdhi në vete, tre herë thirri: “O Husejn! O Husejn! O Husejn!” Pastaj tha: “Si nuk i përgjigjet i dashuri pyetjes së të dashurit të tij?” Pastaj ai e dha përgjigjen e vet duke thënë: “Si mund të jep përgjigjen ty ai të cilit i janë prerë damarët e qafës dhe tani ekziston distancë e madhe mes kokës dhe trupit të tij? Dëshmoj që ti je i biri i më të mirëve prej profetëve dhe biri i zotërisë së të dërguarve të Zotit”. Xhabir bin Abdullah në kohën kur kishte ngulur sytë në varret e dëshmorëve, me këto fjalë i përshëndeti dëshmorët duke thënë:

«اَلسَّلامُ عَلَیکُمْ ایها الاَرْواحُ اَلَّتی حَلَّتْ بِفِناءِ قَبْرِ الْحُسَینِ وَ اَناخَتْ بِرَحِله اَشْهَدُ اَنَّکُمْ اَقَمْتُمْ الصَّلوة و اتَیتُم الزَّکوْة، وَ اَمَرْتُمْ بِالْمَعْروُفِ وَ نَهیتُمْ عَنِ الْمُنْکَرِ وَ جاهَدْتُمُ الْمُلْحِدینَ وَ عَبَدْتُمُ اللهَ حَتّی اتیکُمَ الْیقین.»

“Përshëndetja e Zotit qoftë mbi ju o shpirtra të cilët kanë zbritur pranë Husejnit dhe janë vendosur përkrah tij! Unë dëshmoj që ju keni kryer namazin dhe keni dhënë zekatin, keni urdhëruar në vepra të mira dhe keni ndaluar veprat e këqija dhe keni luftuar kundër jobesimtarëve dhe të pafeve dhe keni adhuruar Zotin deri në çastin e vdekjes!”.

Xhabir bin Abdullah më pas tha: “Betohem në Atë i cili ka dërguar Hazretin Muhamed s.a.v.s., që edhe ne jemi pjesëmarrës në atë vend ku jeni ju!”. Atije tha: “O Xhabir! Si jemi ne pjesëmarrës, në kohën kur ne nuk kemi qenë në këtë fushë dhe nuk kemi përjetuar vështirësi dhe nuk kemi luftuar me shpatë, ndërsa këta të dashur, kanë sakrifikuar jetën e tyre dhe kokat e tyre janë këputur nga koka dhe fëmijët e tyre janë kapur rob?!” Xhabir tha: “Oj Atije! Kam dëgjuar nga i dashuri im Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. i cili ka thënë: “Çdo person që e do një grup, ai ringjallet së bashku me ata dhe çdo kush që e do një veprim të një personi, do të jetë pjesëmarrës me atë në atë veprim”.

Këto fjalë dolën nga zemra me plotë dhimbje e Xhabir bin Abdullah Ansari që ishte prej as’habëve të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe u shqiptuan me gjuhën e tij. Ai kishte vendosur këmbën në atë vend të shenjtë për të vizituar varret e dëshmorëve të Qerbelasë dhe kur ai kishte arritur në Qerbela, tani kishin kaluar 40 ditë nga ajo tragjedi. Është transmetuar se Imam Saxhadi (a.s.) dhe Hazreti Zejnebe (s.a.) së bashku me të afërmit e tjerë të Imam Husejnit (a.s.) në atë kohë arritën në Qerbela dhe u bashkuan me Xhabir bin Abdullah Ansari. Ai e mori në përqafim Imam Saxhadin (a.s) dhe ka qarë shumë. Xhabir bin Abdullah pranë varrit të Imam Husejnit (a.s) qëndroi tre ditë së bashku me familjen e atij zotërisë dhe mbajtën zi për dëshmorët e Qerbelasë.

Pas tragjedisë së Ashurasë, familja e Imam Husejnit (a.s.) ishte një faktor i rëndësishëm për zgjimin dhe vetëdijesimin e njerëzve për kryengritjen pas Imam Husejnit (a.s.). Jezidi ishte i dehur nga fitorja sipërfaqësore e tij dhe karvanin e Imam Husejnit (a.s.) të zënë robër lufte, në Kufe dhe në Sham e kishte prezantuar si grup rebel. Mirëpo prania e Imam Saxhadit (a.s.) dhe e Hazretit Zejenebe (s.a.) u bë shkak që të zbulohen shumë të vërteta dhe njerëzit të njihen më shumë me familjen e Profetit të nderuar të Islamit Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Ata nga njëra anë ishin ilaç për dhimbjet dhe vuajtjet e robërve të Qerbelasë dhe nga ana tjetër ishte një faktor i rëndësishëm në zgjimin dhe vetëdijesimin e popullit dhe për të krijuar rrethanat për lëvizje që u organizuan pas tragjedisë së Qerbelasë. Këto lëvizje dhe këto revolucione vazhduan deri në shkatërrimin e strukturave të pushtetit të dinastisë Emevite. Kur Ubejdullahu, guvernatori i Kufes u irritua dhe u zemërua shumë nga fjalët e qarta të Imam Saxhadit (a.s.) dhe Hazretit Zejenebe (s.a.) në mesin e një turme të madhe të njerëzve dhe e kërcënoi me vrasje Imam Saxhadin (a.s.), Imam Saxhadi iu përgjigj atij: “O i biri i Zijadit, apo na frikëson neve me vrasje?! A nuk e dinë se martirizimi është fisnikëri. O njerëz unë jam Aliu i biri i Husejn bin Aliut. Unë jam i biri i atij të cilit ia kanë thyer nderin, ia kanë plaçkitur pasurinë dhe çdo gjë që kishte dhe i kanë robëruar familjen e tij. Unë jam i biri i atij të cilit ia kanë këputur kokën në lumin Eufrat, në kohën kur ai nuk i kishte bërë të padrejtë askujt dhe nuk e kishte mashtruar askënd kurrë. Nëse i Dërguari i Zotit iu thotë juve se ju më keni vrarë të birin tim dhe keni thyer nderin tim dhe ju nuk jeni nga unë, atëherë me çfarë fytyre do ta shikoni atë?!”.  

Nga ana tjetër, Hazreti Zejnebe (s.a.) ka bërë përpjekje që të zbulojë perdet e devijimit dhe injorancës nga mendjet e njerëzve dhe t’i shpëtojë ata nga gjumi i neglizhencës. Gjithashtu të shpjegojë rolin kryesor të Ehli Bejtit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. në shoqëri. Ajo i kujtoi njerëzve përgjegjësinë e tyre ndaj fesë të cilën e kishte sjell Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s.. Hazreti Zejnebe (s.a.) me masat dhe veprimet e matura, si një predikuese dhe një drejtuese e aftë, ka drejtuar zhvillimet pas martirizimit të Imam Husejnit (a.s.) në atë mënyrë që e ka bërë të qartë vërtetësinë e Imam Husejnit (a.s.) dhe të rrugës së tij për të gjithë njerëzit. Ajo duke shpjeguar motivet e kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.) dhe shkaqet e saj, me armën e logjikës dhe argumentit, vetëdijesoi opinionin publik në lidhje me aspektet dhe dimensionet e kësaj kryengritje për të vërtetën dhe të drejtën. Hazreti Zejnebe (s.a) në fjalimin e saj tha: “O Jezid! Tani kur na ke ngushtuar të gjitha rrethanat në këtë botë dhe neve si robër lufte na ke bredhur andej e këndej, po mendon se na ke poshtëruar pranë Zotit dhe t’i je bërë i dashur dhe i respektuar para Zotit?... Atëherë ndalu pak më ngadalë! A ke harruar fjalët e Zotit i cili ka thënë: “Ata të cilët kanë mohuar Zotin dhe janë rebeluar para urdhrave të tij, nëse u japim rast dhe afat kohor atyre, të mos mendojnë se kjo është në favor të tyre. Ne u japim afat atyre që të shtojnë mëkatet e veta dhe për ata është përgatitur një dënim i ashpër dhe poshtërues”.   

Fjalimi i Hazreti Zejnebe (s.a.) në Kufe dhe gjithashtu në oborrin mbretëror të Jezidit, në realitet ishte një analizë e plotë rreth gjendjes së shoqërisë islame në atë kohë që është shprehur me fjalët më të bukura dhe më të thella dhe me ndikimin më të madh. Hazreti Zejnebe (s.a.) synonte këtë që njerëzit në bazë të racionalizmit dhe logjikës të gjykojnë dhe të vlerësojnë vetë. Ajo shumë mirë e dinte se Imam Husejni (a.s.) nuk i përket vetëm një rajon ose vetëm një periudhe kohore. Ajo shpjegonte dimensionet dhe aspektet e lëvizjes së Imam Husejn bin Ali (a.s.) në atë mënyrë që kjo kryengritje të jetë inspirim i të gjithë popujve të cilët janë të shtypur nën thundrën e zullumqarëve dhe kështu ndodhi në të vërtetë. Hazreti Zejnebe (a.s.) me shpirt të lartë dhe me forcën e qëndrueshmërisë, vet ka mbajtur hapur fletoren e kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.) në mënyrë që edhe tani gjithashtu dosja e kryengritjes së imam Husejnit (a.s.) është e hapur për të gjitha gjeneratat dhe gjithnjë inspiron ata. Ajo vetë në fjalimin e tij përball Jezidit ka thënë: “O Jezid! Zbato të gjitha intrigat që ke dhe bëri të gjitha përpjekjet tuaja që mund t’i bësh, mirëpo betohem në Zotin e madhëruar se pavarësisht të gjitha këtyre përpjekjeve, nuk do të arrish të na shlyesh neve nga kujtesa e njerëzve dhe nuk do të arrish ta shuash dritën tonë të shpalljes hyjnore dhe nuk do të arrish të dëmtosh pozitën tonë. Njolla e turpit e këtij veprimi kurrë nuk do të pastrohet nga ti. Mendimi dhe verdikti ytë do të jetë i dobët dhe periudha e sundimit tënd e shkurtë, ndërsa njerëzit e tu do të shpërndahen në atë ditë kur të brohorit thirrja “Mallkimi i Zotit qoftë mbi zullumqarët!”.

Publikimi i mesazhit të gjakut të Imam Husejnit (a.s.) i dha madhështi kryengritjes së Qerbelasë dhe i bëri të qartë qëllimet dhe objektivat e vërtetë të kësaj kryengritje, në atë mënyrë që sot ngjarja e Qerbelasë nuk është një ngjarje historike e kufizuar për një kohë të veçantë, për arsye se kjo kryengritje ka tërhequr vëmendjen e njerëzve liridashës gjatë gjithë historisë për ruajtjen e vlerave njerëzore dhe për të jetuar me dinjitet dhe në liri. Në çdo vend kur një grup i besimtarëve ndodhet nën thundrën e dhunës dhe padrejtësisë së zullumqarëve, në një farë mënyre në atë vende përsëritet ngjarja e Qerbelasë. Prandaj edhe sot ata të cilët nëpërkëmbin të gjitha vlerat njerëzore për të ruajtur interesat e tyre të paligjshme dhe e konsiderojnë vetën pronar të pakontestueshëm të të gjithë botës, në realitet ata po vazhdojnë metodën injorante dhe zullumqare të Jezidit dhe përball atyre të cilët nuk pranojnë poshtërimin dhe sakrifikojnë çdo gjë për të realizuar të drejtat e tyre, janë vazhdues të rrugës dhe lëvizjes së Imam Husejnit (a.s.).

Sot është dita e vizitës së varrit të Imam Husejnit (a.s.). Mes të gjitha ditëve të vizitës së Imam Husejnit (a.s.), vizita në ditën e Arbainit ka karakteristika dhe privilegje të veçanta deri në atë masë sa që Imam Hasan Askeri (a.s.) e ka quajtur këtë vizitë si një prej shenjave të besimtarëve dhe ka thënë: “Besimtari ka pesë shenja: pesë kohët e namazit gjatë ditës, vizita e Arbainit, unazë në dorën e djathtë, vendosjen e ballit në dhe gjatë përuljes në sexhde dhe shqiptimi me zë të lartë “Bismilahi Rrahmani Rrahim” gjatë faljes së namazit”.

Edhe një herë miq të nderuar shprehim ngushëllimet tona me rastin e përvjetorit të Arbainit të Imam Husejnit (a.s.) dhe i dërgojmë përshëndetje pozitës së tij të lartë duke thënë: “Përshëndetja e Zotit qoftë mbi ty o Husejn! Unë dëshmoj që ti je i biri i më të mirit prej profetëve, i biri i prijësit të besimtarëve të devotshëm dhe biri i zonjës së zonjave të parajsës. Ti ke jetuar pastër dhe pastër ke vdekur, mirëpo zemrat e besimtarëve janë djegur e përvëluar nga ndarja jote. Përshëndetja e Zotit qoftë mbi ty dhe mbi njerëzit e pastër të cilët kanë sakrifikuar jetën në rrugën tënde!”.

Tags