Marshi i Arbainit, një media me mesazh të Ashurasë
https://parstoday.ir/sq/radio/world-i91849-marshi_i_arbainit_një_media_me_mesazh_të_ashurasë
Bota dhe opinioni publik gjatë ditëve të kaluara kanë qenë dëshmitar i një fenomeni të pashoq të quajtur "Marshi më i Madh në Botë". Lëvizja më e madhe fetare për të vizituar vendet e shenjta në botë e cila organizohet me rastin e përvjetorit të Arbainit dhe në sytë e mediave të ashtuquajtura "të lira" perëndimore, jo vetëm që nuk është parë, por është anashkaluar tërësisht dhe në disa raste është paraqitur në mënyrë armiqësore.  
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Tetor 21, 2019 16:51 Europe/Tirane
  • Marshi i Arbainit, një media me mesazh të Ashurasë

Bota dhe opinioni publik gjatë ditëve të kaluara kanë qenë dëshmitar i një fenomeni të pashoq të quajtur "Marshi më i Madh në Botë". Lëvizja më e madhe fetare për të vizituar vendet e shenjta në botë e cila organizohet me rastin e përvjetorit të Arbainit dhe në sytë e mediave të ashtuquajtura "të lira" perëndimore, jo vetëm që nuk është parë, por është anashkaluar tërësisht dhe në disa raste është paraqitur në mënyrë armiqësore.  

Edhe pse marshi në këmbë me rastin e Arbainit Husejnit njihet si tubimi më i madh njerëzor që organizohet për çdo vit me pjesëmarrje më të madhe të njerëzve se sa vitin paraprak, mirëpo për fat të keq shumë prej mediave të njohura të botës, në këtë drejtim ushtrojnë censurën më të madhe të mundshme. Nga çfarëdo këndvështrimi medial që shikohet, pavarësisht dimensionit shpirtëror të kësaj ngjarje, kjo ngjarje ka disa vlera  informative njëkohësisht dhe një media me qasje profesionale duhet ta mbulojë këtë ngjarje, por ajo çfarë ndodhi në realitet është gjë tjetër.

Ngjarja e marshit të Arbainit është aq shumë e madhe sa që nuk ka nevojë fare për zmadhim. Nëse do të arrijmë të mbulojmë të gjithë realitetin që ndodhë atje, do të bëjmë një punë të madhe dhe nëse do të arrijmë të informojmë publikun në mënyrë të drejtë për praninë e këtij numri të madh të njerëzve me një përbërje të veçantë dhe të pashoq, atëherë çfarë nevoje do të ketë për zmadhim?!

Pamje nga marshi i Arbainit Husejnit

Ndërkohë pyetja qëndron këtu, pse kjo mrekulli e pashembullt e historisë bashkëkohore nuk është vendosur në vëmendjen e rrjeteve botërore të informimit? Pse këto media që janë mbi 32 mijë rrjete informative, nuk kanë interesim dhe as dëshirë për ta mbuluar këtë tubim të miliona njerëzve dhe më shumë kërkojnë të paraqesin imazhe negative dhe ekstremiste më shumë se sa një transmetim pozitive dhe shpresëdhënës?  Pse mediat e botës shumë lehtë anashkalojnë këtë ngjarje e cila ka elemente si tubimi më i madh vjetor i njerëzve dhe rruga më e gjatë e marshit në këmbë në botë në një prej rajoneve me sfida më të mëdha në botë?

Në fillim të shikojmë çfarë është e kaluara e kësaj lëvizje ndërtuese të civilizimit, paqësore dhe predikuese në epokën bashkëkohore?

Pas rrëzimit të regjimit të ish-diktatorit irakian Sadam Husejn, myslimanët shiitë të Irakut gjetën rastin që në mënyrë të hapur në përvjetorin e Arbainit Husejnit, pa frikë nga forcat e regjimit, të marshojnë në këmbë deri në mauzoleun e Imam Husejnit (a.s.) në Qerbela. Historianët këtë traditë e konsiderojnë të vjetër gati sa edhe vetë tragjedinë e Ashurasë, duke datuare që nga koha kur Xhabir bin Abdullah Ansari, një prej shokëve të Hazretit Muhamed s.a.v.s., në periudhën e pushtetit të dhunshëm Emevit dhe pavarësisht se ishte një plak i moshuar, në të dyzetat e martirizimit të Imam Husejnit (a.s.) (Arbainin), duke ecur në këmbë shkoi në Qerbela dhe vizitoi varret e dëshmorëve të tragjedisë së Ashurasë. Ai më këtë veprim përveçse tregoi respektin e vet ndaj familjes së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe ndaj dëshmorëve të Qerbelasë, ai dërgoi edhe mesazhin e tij politik për pushtetin e dhunshëm dhe diktator emevit.

Pas Xhabir bin Abdullah Ansari, kjo traditë me të gjitha baticat dhe zbaticat, është ruajtur përgjatë historisë dhe çdo herë kur aparati i pushtetit nuk lejonte myslimanët të mbanin këtë traditë, myslimanët shiitë detyroheshin në mënyrë të fshehur dhe larg syve të pushtetit dhe vetëm gjatë natës të ecnin në këmbë në drejtim të Qerbelasë. Me vendosjen e regjimit Ba'th në Irak, regjimi politikë i këtij vendi që nga fillimi filloi të ushtrojë një politikë shtypëse ndaj myslimanëve shiitë. Prej veprimeve të dhunshme të regjimit Ba'th ishte ndalimi me dhunë i ceremonive të zimbajtjes për myslimanët shiitë dhe Sadam Husejni gjatë sundimit të tij 30 vjeçar, kishte ndaluar rreptësishtë çfarëdo lloj ceremonie për zimbajtjen në përkujtim të Ehli Bejtit (a.s.).

Pas  rrëzimit të regjimit të Sadam Husejnit, u krijuan rrethanat për organizimin e këtij marshi dhe kësaj vizite vjetore dhe kolektive duke ecur në këmbë drejt mauzoleut të Imam Husejnit (a.s.). Sipas statistikave ekzistuese, nga 2 deri 3 milionë njerëz në vitin 2003 kanë marrë pjesë në ceremoninë e Arbainit Husejnit dhe për çdo vit është shtuar numri i pjesëmarrësve në këtë marsh. Me përmirësimin relativ të situatës në Irak, myslimanët shititë, sunitë por edhe besimtarët e feve të tjera nga vende të ndryshme të botës shkonin në Irak për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Kjo pjesëmarrje është rritur aq shumë sa që sipas statistikave zyrtare të shtetit të Irakut, në vitin 2012, mbi 10 milionë njerëz kanë marrë pjesë në këtë marsh dhe në vitin tjetër disa raporte kanë bërë të ditur për pjesëmarrjen e 15 milionë vizitorëve në Qerbela. Kjo shifër në vitet e mëpasshme ka shkuar deri në 20 milionë vizitorë.

Mediat hegjemoniste dhe vehabiste të Arabisë Saudite në fillim janë munduar që duke anashkaluar këtë marsh madhështor, të mos e mbulojnë këtë ngjarje në raportet e tyre informative. Edhe pamjet e publikuara nga mediat e tjera të botës, gjithashtu nuk tregonin realitetin e kësaj epopeje madhështore. Mediat e mëdha ndërkombëtare përgjatë viteve me radhë e kishin bërë zakon që në kuadër të programeve për zimbajtjen e myslimanëve shiitë për martirizimin e Imam Husejnit (a.s.), t'i tregojnë publikut të tyre vetëm skena nga goditja e kokës me shpatë e me thika dhe rrahja e vetës me zinxhir me gjemba që zhvillohen në disa zona të caktuara në Afganistan, Irak dhe Pakistan. Për këto media, deri para kësaj periudhe, çështje interesante në ceremonitë e zimbajtjes në muajin muharrem dhe safar, ishin vetëm këto skena. Në këto media, ritualet fetare të myslimanëve paraqiten në ekrane televizive si veprime të detyrueshme dhe që bëhen pa kurrfarë qëllimi, dëshire apo mirësie. Pamjet të cilat publikojnë këto media në lidhje me Islamin, janë të barabarta me fundamentalizmin dhe në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe lirisë, prandaj gjithnjë paraqesin një imazh të myslimanëve si individë fanatik, të dhunshëm dhe pa logjikë.

Mirëpo gjatë viteve të fundit, ky marsh është organizuar në mënyrë aq shumë madhështore dhe në një hapësirë aq shumë spirituale dhe shpirtërore dhe në qetësi të plotë sa që disa media perëndimore për të ruajtur kredibilitetin e vet, më në fund u detyruan që ta mbulojnë këtë ngjarje me raportet e tyre informative. Mirëpo ky mbulim informativ nuk është në atë mënyrë që të tregohen realiteti dhe përmasat e mëdha të kësaj ngjarje, por mbulon vetëm ngjarje të rëndësisë së dytë ose të tretë si ofrimi i shërbimeve falas dhe kushtet e sigurisë së Irakut.

Ky mbulim në nivel të ulët medial i marshit madhështor të Arbainit në mediat perëndimore është aq shumë i njëanshëm dhe me qëllime politike dashakeqëse sa që u ngjallën edhe protestime nga ana e disa mediave të pavarura të Evropës. Për shembull, një radio evropiane "Austan" e Norvegjisë në një raport të saj, marshin e Arbainit Husejnit e ka quajtur si tubimin më të madh fetar dhe politik dhe si një ngjarje të pashembullt, ndërsa ka theksuar se mediat perëndimore me mbulimin në nivel shumë të ulët të kësaj ngjarje të madhe botërore me pjesëmarrjen e 20 milionë njerëzve nga më shumë se 80 vende të botës dhe me anashkalimin e kësaj ngjarje të madhe, kanë bërë një gabim shumë të madh medial. Në këtë raport thuhet: "Ky mosmbulim në nivel të duhur i marshit të Arbainit në mediat perëndimore nuk është rezultat i një zbrazëtire, por nuk është edhe larg mendjes që disa fuqi politike dhe fetare në perëndim të cilat drejtojnë mediat e botës, kanë penguar drejtpërdrejtë këtë çështje. Skenat të cilat kanali ynë i radios i ka vëzhguar nga kanalet satelitore shiite të Irakut, tregojnë se ajo çfarë ndodhë në marshin e Arbainit është një ngjarje fetare e pashembullt. Pjesëmarrësit në këtë ngjarje në numër janë shumë më shumë se sa ceremonia e Haxhit që zhvillohet në Meke të Arabisë Saudite".

Revista amerikane "Huffington Post" gjithashtu është një tjetër media perëndimore e cila ka kritikuar ashpër mbulimin politikë të kësaj ceremonie nga ana mediave të tjera dhe ka shkruar: "Si është e mundur që drejtuesit e mediave në perëndim nuk anashkalojnë as tubimet më të vogla në Angli ose me qindra tubime të tjera të kufizuara në vendet e ndryshme të botës dhe publikojmë me dhjetëra filma e raporte e analiza në lidhje me ato tubime, ndërkohë që kanë anashkaluar këtë tubim madhështor dhe paqësor njerëzor dhe po kalojnë pranë kësaj ngjarje në mënyrë tërësisht indiferente dhe me heshtje absolute?"

Në reagim ndaj të gjitha këtyre veprimeve joprofesionale në mediat e shkruara dhe vizuale, por edhe në rrjetet sociale, duhet thënë se bojkotimi i marshit madhështor të Arbainit Husejnit në mediat perëndimore është një gjë e natyrshme dhe plotësisht mund të perceptohet dhe nga këto media nuk mund të pritet gjë tjetër, përveç këtyre sjelljeve.

E dimë se funksionet e rëndësishme të ceremonisë së Arbainit Husejnit janë të përditësuara dhe kjo ngjarje paraqet një potencial dhe një fuqi të butë shumë të madhe, të cilën e posedon shoqëria myslimane sidomos myslimanët shiitë. Pjesëmarrja e mbi 20 milionë njerëzve në këtë ceremoni, tregon një fuqi të butë të cilën perëndimorët kanë frikë ta prezantojnë në ekranet televizive të tyre dhe për ata asgjë nuk është më e vështirë se sa pjesëmarrja e njerëzve. Edhe më parë shumë herë e kemi vërejtur që në vendet perëndimore të gjitha grupeve dhe minoriteteve ideologjike, fetare dhe kulturore u lejohet të zhvillojnë veprimtarinë e vetë, mirëpo të menduarit racional dhe burimor shiitë për shkak të lëkundjes së strukturës së sundimit sekulariost dhe anti-fetar të Perëndimit, nuk i jepet një leje e tillë për veprimtari të lirë. Pikërisht për këtë arsye parandalimi i mbulimit medial të marshit të Arbainit Husejnit gjithashtu bëhet në kuadër të kësaj politike dhe tregon se çfarë potenciali i lartë ekziston në këtë lëvizje shpirtërore dhe në realitet në mbajtjen gjallë të qëllimeve të kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.) dhe përhapjen e liridashjes dhe kërkimit të së vërtetës.

Në realitet ajo të çfarë nuk mund dhe nuk dëshirojnë ta shprehin mediat e sistemit hegjemonist në rajone të ndryshme të botës, vë në dukje këtë të vërtetë se të dashuruarit e rrugës dhe emrit të Imam Husejnit (a.s.) pavarësisht çfarë kombësie, race, gjuhe dhe shkolle fetare që i takojnë, shkojnë për të marshuar në këtë rrugë dhe për të deklaruar se rruga e Imam Husejnit (a.s.) për drejtësi e liri dhe dinjitet njerëzore, akoma po vazhdon. Pjesëmarrja e tyre në skenën e madhe dhe të gjerë të marshit të Arbainit, tregon se kjo gjallëri do të shtohet për çdo ditë e më tepër dhe pikërisht për këtë arsye frika e mediave të perëndimit e lindjes nga mbulimi medial i këtij fenomeni të pashoq, do të shtohet për çdo ditë e më tepër.

Në rrethana të tilla ceremoni e marshit të Arbainit Husejnit për shkak të pikërisht llojllojshmërisë së individëve që marrin pjesë në këtë ngjarje nga anë e mbanë bota, në vete kjo ngjarje mund të luajë rolin medial. Një rol ky që më shumë se çfarëdo lloj raporti tjetër dhe lajmi medial, mund të tregojë rëndësinë e kësaj ngjarje heroike dhe fetare për të gjithë botën.