Speciale për javën e Unitetit (2)
Atë e emëruan me emrin "Muhamed" që do të thotë i lavdëruar dhe i pëlqyer. Me këtë emër deri në atë askënd nuk e kishin emëruar. Ky emër ashtu sikur bartësi i tij, ishte i zgjedhur nga Zoti i madhëruar dhe në librat qiellor të mëparshëm ishte lajmëruar ardhja e tij me këtë emër.
Atë e emëruan me emrin "Muhamed" që do të thotë i lavdëruar dhe i pëlqyer. Me këtë emër deri në atë askënd nuk e kishin emëruar. Ky emër ashtu sikur bartësi i tij, ishte i zgjedhur nga Zoti i madhëruar dhe në librat qiellor të mëparshëm ishte lajmëruar ardhja e tij me këtë emër. Aktualisht janë të rrallë ata njerëz të cilët akoma nuk e kanë dëgjuar emrin "Muhamed", për arsye se mbi 1.5 miliardë njerëz në botë e përshëndesin dhe dërgojnë përshëndetje për këtë emër dhe kjo dëshmon dashurinë dhe besimin e njerëzve ndaj misionit të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe nën dritën e fesë së tij, njerëzit manifestojnë dashurinë dhe mirësinë ndaj njeri-tjetrit, respektojnë vlerat njerëzore dhe mbajnë lartë flamurin e Njëshmërisë së Zotit të Madhëruar. Muhamed s.a.v.s. është një fenomen madhështor dhe i çuditshëm i krijimit. Ai është kuptim i jetës për ata të cilët kërkojnë burimin e jetës dhe ai është si një rojtar vëzhgues i cili nga një pikë e lartë vëzhgon armikun dhe vrapon në drejtim të njerëzve për t'i shpëtuar ata.
Njeriu përgjatë jetës së tij gjithnjë është në kërkim të një shëmbëlltyre të cilën do ta vendos model për jetën e tij dhe ta ndjekë atë në një çështje të veçantë ose në mënyrë absolute në të gjitha fushat e jetës në mënyrë që të arrijë në destinacionin e tij caktuar. Modelet në çështje të tilla si arsimore dhe edukative, të mësuarit, psikologjinë, epistemologjinë, administrim, gëzojnë një pozitë të lartë dhe ndikimi i këtyre modeleve në asnjë mënyrë nuk mund të mohohet. Islami, kjo shkollë kulturore dhe edukative gjithashtu nuk ka neglizhuar këtë çështje dhe ka prezantuar modele të dobishme në nivele të ndryshme. Zoti i madhërishëm në ajetin 21 të sures Ahzab në Kur'anin e shenjtë, modelet më të mira dhe më të larta i ka përshkruar në këtë mënyrë:
«لَقَدْ کَانَ لَکُمْ فِی رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِمَن کَانَ یَرْجُوا اللَّهَ وَالْیَوْمَ الْاَّخِرَ وَذَکَرَ اللَّهَ کَثِیراً
"Në mënyrë të prerë për ju i Dërguari i Zotit është shëmbëlltyre dhe model i mirë. Për atë i cili beson në Zotin dhe në ditën e Kiametit dhe e kujton shumë Zotin e madhëruar".
Ky ajet i Kur'anit të shenjtë i drejtohet të gjithë myslimanëve në përgjithësi në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet dhe nga ky ajet kur'anor konkludojmë se ndjekja e personalitetit të pashembullt të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. nuk kufizohet me ndonjë periudhë të caktuar kohore ose me ndonjë rajon të caktuar të botës dhe Hazreti Muhamed s.a.v.s. është një shëmbëlltyrë e veçantë për të gjithë njerëzit në çdo vend dhe në çdo kohë dhe ky universalizëm nuk bënë kurrfarë përjashtimi. Në realitet, një prej dispozitave kryesore të besimit dhe shpalljes së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., është në ndjekjen e rrugës dhe mësimeve Hazretit Muhamed s.a.v.s. i cili ka përjetuar shumë vuajtje dhe bërë shumë mund në rrugën e Zotit dhe në shpëtimin e njerëzve.
Në Kur'anin e shenjtë janë shumë të rrallë ata të cilët janë lavdëruar dhe vlerësuar si Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s.. Hazreti Muhamed s.a.v.s. nga aspekti i Kur'anit të shenjtë nga njëra anë, është një njeri ashtu si të gjithë njerëzit e tjerë dhe jeton ashtu si njerëzit e tjera, ushqehet si njerëzit e tjerë, flenë etj., mirëpo si një xhevahir që shkëlqen në mesin e gjërave të tjera, edhe ai është si një margaritar i pastër dhe i shndritshëm në mesin e njerëzve. Nga aspekti i Kur'anit të shenjtë, privilegji i Hazretit Muhamed s.a.v.s. është në këtë se ai është njeriu më i përkryer pranë Fronit Hyjnor. Ai është udhëheqës dhe lider i të gjithë njerëzve dhe pas përkryerjes shpirtërore dhe hyjnore të tij, e ka themeluar një civilizim të ri e cili është model i drejtësisë islame. Nga ky aspekt, Kur'ani i shenjtë e ka prezantuar atë si një shëmbëlltyrë dhe model të përkryer për njerëzimin.

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. është si një kapiten anije i cili në kohën kur anija e tij përballet me stuhitë më të fuqishme dhe me valët më të mëdha të detit, nuk tregon as dobësinë më të vogël dhe as frikën më të vogël në veten e tij. Së bashku me besimtarët e tjerë, Hazreti Muhamed s.a.v.s. merr kazmën në dorë dhe gërmon hendek, për ta ruajtur moralin dhe gjakftohtësinë e shokëve të tij, bënë shaka me ata dhe për të ngrohë zemrën dhe shpirtin e tyre, i inkurajon ata për të lexuar Kur'anin e shenjtë dhe për të recituar poezi heroike, ai vazhdimisht ua tërheq vëmendjen atyre për të kujtuar Zotin dhe i lajmëron ata për një të ardhme të shkëlqyeshme dhe për shënimin e fitoreve të mëdha. Ai paralajmëron për komplotet e hipokritet dhe u jep atyre vigjilencën e nevojshme. Ai nuk neglizhon as për një çast pozicionimin e drejtë të forcave luftëtare dhe për zgjedhjen e metodave dhe taktikave më të mira ushtarake dhe njëkohësisht me këtë ai nuk pushon së shfrytëzuari të rrugëve të ndryshme për neutralizimin e armiqve. Po, ai është prijësi më i mirë dhe shëmbëlltyra e besimtarëve në këtë fushë dhe në të gjitha fushat e tjera.
Zoti i madhëruar në ajeti 4 të sures Kalam në Kur'anin e shenjtë e prezanton Hazretin Muhamed s.a.v.s. posedues së moralit më të mirë duke thënë: "Dhe ti ke moral të madhërishëm dhe të dalluar". Zoti i madhëruar në këtë ajet lavdëron moralin e mirë të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe e vlerëson atë të madhërishëm. Kur'ani i shenjtë e përmend edhe këtë fakt se suksesi i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. në kryerjen e misionit të tij hyjnor, ishte sjellja dhe morali i tij i mirë. Pastaj kulmin e solidaritetit dhe dashurisë së Hazretit Muhamed s.a.v.s ndaj njerëzve e përshkruan në këtë mënyrë: "Pranë jush ka ardhur një i Dërguar i mëshirshëm dhe prej llojit tuaj. Ai është i Dërguari që pikëllohet shumë për vuajtjet tuaja dhe ai lakmon njerëzit e udhëzuar dhe është i mëshirshëm dhe sillet me dashuri ndaj besimtarëve". (Surja Tevbe, 128). Me padyshim jeta dhe vepra dhe fjalët e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., është një shëmbëlltyrë konstruktive për një jetë të ngritur dhe secili që është në kërkim të gjetjes së shpëtimit dhe lumturisë duhet t'i hedhë një vështrim këtij modeli tërheqës dhe ta ndjek këtë shëmbëlltyrë.

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. është një personalitet i pashembullt i cili në kryerjen e misionit të tij hyjnor, ka vepruar shumë bukur dhe me maturi shumë të madhe dhe ishte i shpejtë në procesin e vendimmarrjes. Ai ishte njeri me durimin më të madh, kishte bujari më të madhe se sa të gjithë të tjerët, ai hante ushqim të thjeshtë dhe ulej në tokë ashtu si njerëzit e thjeshtë. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. posedonte faktorin me ndikimin më të madh, personaliteti i fuqishëm dhe pastërtia e sjelljes së tij, ushtronte ndikim të thellë dhe të gjithanshëm mbi çdo person. Të folurit dhe heshtja e tij, të dyja ishin plotë me urtësi dhe këshilla konstruktive. Enes bin Malek thotë: "Për dhjetë vite kam qenë shoqërues dhe shërbyes i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe betohem në Zotin e madhëruar se ai kurrë nuk ka folur fjalë nënçmuese dhe të mërzitshme, për kryerjen e asnjë pune nuk më ka qortuar dhe ndëshkuar dhe kurrë nuk më ka thënë pse dhe për çfarë e bëre një veprim të tillë".
Dashuria e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. ndaj të gjithë njerëzve gjithashtu ishte e njohur për të gjithë njerëzit dhe zemra e mëshirshme e tij, i përkiste të gjithë njerëzve. Hazreti Muhamed s.a.v.s. gjithnjë pyeste për gjendjen e shokëve të tij dhe solidarizohej me ata në të gjitha çështjet. Nëse ai nuk e takonte një person për tre ditë, ai i pyeste të tjerët për gjendjen e tij. Nëse kishte shkuar në udhëtim, ai lutej për atë nëse ai ndodhej në shtëpinë e vet, shkonte dhe e vizitonte atë. Edhe armiqtë përfitonin nga deti i mëshirës dhe i dashurisë së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. Në betejën e Bedrit, myslimanët me urdhrin e Hazretit Muhamed s.a.v.s., morën nën kontroll burimet e ujit në atë rajon dhe hapën një gropë dhe e përgatiten ujin në atë, ndërsa kur armiqtë u afruan pranë burimeve për të shfrytëzuar ujin, Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. urdhëroi që askush të mos i pengojë ata nga shfrytëzimi i ujit. Nga ana tjetër, drejtësia e Hazretit Muhamed s.a.v.s në të gjitha fushat ekzekutive, ligjvënëse, morale dhe intelektuale, është një privilegj shumë i dalluar i tij deri në atë masë sa që edhe në lëvizjen dhe ekzekutimin e veprimit më të vogël, edhe në të shikuarit e të tjerëve nuk bënte as padrejtësinë më të vogël. Imam Xhafer Sadik (a.s.) ka thënë: "I Dërguari i Zotit s.a.v.s. edhe shikimet e veta i ndante në mënyrë të drejtë mes shokëve të tij të gjithë shokët e tij i shikonte me drejtësi".

Një prej karakteristikave qenësore të njeriut, është racionalizmi dhe prirjet logjike. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. duke u mbështetur në këtë karakteristik, në bazë të urtësisë dhe arsye, i ftoi njerëzit në të vërtetën dhe përkrah saj me anë të këshillave të mira të shoqëruara me dashuri dhe butësi, arriti të depërtojë në zemrën dhe mendjen e njerëzve. Nga ky aspekt, Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. edhe në thirrjen e njerëzve drejt rrugës së Zotit, gjithashtu është shëmbëlltyra më e mirë. Kjo është për arsye se ai ishte i njohur shumë mirë me të gjitha parimet dhe metodologjinë e thirrjes dhe në këtë rrugë ka arritur sukseset më të mëdha. Tani Umeti Islam nën dritën e udhëzimeve të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., përbënë komunitetin më të madh fetar në botë dhe për çdo ditë shtohet numri i personave që e pranojnë fenë Islame. Kjo nuk është gjë tjetër, përveç rezultat i suksesit të madh të Hazretit Muhamed s.a.v.s. në përhapjen e mesazhit të tij hyjnor që gjallëron shpirtin e njeriut dhe luftën padrejtësinë.
Me padyshim se Hazreti Muhamed s.a.v.s. ishte një njeri shumë i madh dhe gjithashtu ka edukuar shumë burra të mëdhenj në prehrin e virtyteve të larta dhe përkryerjes së tij. Ai ishte një ligjvënës i mençur, një lider i aftë, një mbret që shtrinë drejtësinë dhe një Profet i devotshëm. Ai krijoi revolucionin më të madh në rruzullin tokësor. Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, në lidhje me këtë ka thënë: "Zoti i madhëruar na ka urdhëruar neve myslimanët që ta ndjekim Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s.. Kjo ndjekje dhe ky nënshtrim përfshin të gjithë sferat e jetës. Hazreti Muhamed s.a.v.s. jo vetëm në fjalët e veta, por edhe në sjelljet e tij, në formën e jetës së vetë, në mënyrën e të bashkëjetuarit të tij me njerëzit dhe me familjen, në trajtimin e miqve, në trajtimin e armiqve dhe të huajve, në sjelljet e tij ndaj të dobëtëve dhe të fuqishmëve dhe në të gjitha sferat e tjera është shëmbëlltyrë dhe model. Shoqëria islame e jona është me kuptimin e vërtetë të fjalës shoqëria islame e përkryer atëherë kur sjellja jonë të përputhet me sjelljen e Hazretit Muhamed s.a.v.s. Nëse nuk ekziston veprimi dhe sjellja qind për qind në përputhje me sjelljen dhe veprimin e Hazretit Muhamed s.a.v.s. – që nuk ekziston – të paktën duhet të ekzistojë ngjashmëri me sjelljen e atij zotërie, të paktën e kundërta e mënyrës së jetës së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. të mos sundojë mbi jetën tonë, të paktën të lëvizim në këtë rrugë".