Speciale për Javën e Unitetit (6)
Atë e kanë quajtur Muhamed. Emri do të thotë i lavdëruar dhe i pëlqyer. Fjalët, veprat dhe qenia e bekuar e Hazretit Muhamed s.a.v.s. nuk ishin gjë tjetër përveçse virtyte të lavdëruara dhe të pëlqyera nga të gjithë deri në atë masë sa që në asnjë veprim dhe fjalë, nuk mund të qortohet dhe kritikohet ai.
Sot është përvjetori i lindjes së bekuar të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Duke uruar këtë ditë të bekuar, iu ftojmë të ndiqni këtë program special të përgatitur me këtë rast.
Në atë natë, qielli i Mekës ishte mbushur me yje. Ajo ishte një natë e pasionit, një natë e dashurisë dhe e entuziazmit dhe nata e shfaqjes së dritës dhe nata e përsëritjes së manifestimit të të dërguarve të Zotit. Kishte përfunduar nata e gurit dhe tani kishte ardhur agimi. Banorët e botës hyjnore kishin zbritur në tokë për ta dorëzuar amanetin e vetë. Aminja kishte katër muaj që ishte zhytur në pikëllim e zi për shkak të humbjes së bashkëshortit të saj, Abdullahut. Tani e gjithë qenia e saj ishte mbushur me dritë dhe dielli shkëlqeu në gjoksin e saj dhe përfundoi nata e vetmisë dhe e pikëllimit. Muhamedi lindi dhe toka mori aromën e botës hyjnore. Urime të gjithëve përvjetori i lindjes së Profetit të fundit të Zotit Hazretit Muhamed s.a.v.s., lindjes së diellit të udhëzimit dhe shpëtimit!
Përshëndetja e Zotit qoftë mbi Muhamedin, atëherë kur vendosi ballin e dashurisë mbi tokë për të manifestuar madhërinë e të qenit rob i Zotit!
Përshëndetja e Zotit qoftë mbi Muhamedin atëherë kur ai e përshëndeti nënën e vetë me “Selam” dhe engjëjt lavdëruan bukurinë e tij të pashembullt!
Përshëndetja e Zotit qoftë mbi Muhamedin atëherë kur toka e mirëpriti atë dhe qielli ia pat zili tokës!
Përshëndetja e Zotit qoftë mbi Muhamedin atëherë kur shtëpia e mikut u mbush me aromën e dashurisë dhe lutjet e namazit të tij rrëmbyen zemrën e qiellit!
Përshëndetja e Zotit qoftë mbi Muhamedin atëherë kur hapi gojën për të falënderuar dhe lartësuar Zotin Një dhe aroma e besimit të një Zot mbushi rrugët e Mekës!
Përshëndetja e Zotit qoftë mbi Muhamedin atëherë kur rezistenca e tij e ftoi dashurinë që të shikojë dhe të dashuruarit nga legjenda u shndërrua në të vërtetën!
Përshëndetja e Zotit qoftë mbi Muhamedin atëherë kur ai e zgjodhi kurbetin me qëllim të afrimit pranë Fronit Hyjnor dhe me begatinë e ekzistencës së tij, bota u udhëzua drejt dritës.
Përshëndetja e Zotit qoftë mbi Muhamedin atëherë kur ai e mori emrin “Muhamed” dhe u lavdëruar pranë Zotit Një dhe të gjithë engjëjve!
Hazreti Muhamed s.a.v.s. është një njeri i përkryer. Zemra e tij është vendi në të cilin ka zbritur shpallja hyjnore dhe minierë e misionit hyjnor. Ai erdhi për të shpëtuar njerëzit nga errësira dhe për t’i udhëzuar ata drejt dritës. Udhëzimi dhe udhëheqja është një punë shumë e vështirë. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. me natyrën qenësore të pastër, me shpirt të qëndrueshëm si shkëmbi, me një përkushtim të lartë si qielli, me një durim sa i gjithë deti dhe me një zemër të mbushur me pasion dhe dashuri, i pranoi me shpirt të gjitha vështirësitë e rrugës për ta çuar umetin e vetë deri në destinacionin e caktuar. Ai këtë rrugë e kaloi në atë mënyrë që Zoti i madhëruar e bëri atë shëmbëlltyrë të qëndrueshëm për të gjithë botën njerëzore dhe në ajetin 21 të sures Ahzad në Kur’anin e shenjtë thotë:
لَقَدْ کانَ لَکُمْ فی رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِمَنْ کانَ یرْجُوا اللَّهَ وَ الْیوْمَ الْآخِرَ وَ ذَکَرَ اللَّهَ کَثیرا
“Natyrisht që për juve ekziston një shëmbëlltyrë e mirë në jetën e të Dërguarit të Zotit, për ata të cilët shpresojnë në mëshirën e Zotit dhe në ditën e Ringjalljes dhe e kujtojnë Zotin shumë”. Ky Profet i nderuar s.a.v.s. në njohjen dhe dashurinë ndaj Zotit të madhëruar kishte arritur deri në atë shkallë sa që askush dhe sa Xhibrili, engjëlli i afërt pranë Fronit Hyjnor dhe i besuari i shpalljes së hyjnore, nuk kishte kapacitet për të arritur në atë shkallë të lartë. Megjithëkëtë, ai ka jetuar në mesin e njerëzve dhe pa kurrfarë madhërie dhe privilegji të veçantë, deri në atë masë sa që ishte vështirë të dallohet ai nga njerëzit e zakonshëm. Nëse një njeri i panjohur hynte në grumbullin e njerëzve, pyeste: “Cili prej juve është Muhamedi?”. Ai çonte dorën e modestisë lartë dhe thoshte: “Unë jam Muhamedi”. Enes bin Malik thotë: “Njerëzit nuk e donin askënd aq sa e donin Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s., megjithëkëtë ku ai hynte në një vend, njerëzit që ishin aty nuk ngriheshin në këmbë, për arsye se dinin se ai nuk e pëlqen këtë veprim”.
Me padyshim se njohja e një shëmbëlltyre me këtë pozitë kaq të lartë, do ta ndihmojë njeriun për të kaluar rrugën drejt pastërtisë dhe të vërtetës dhe dritës. Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, Ajetullah Khamenei në lidhje me domosdoshmërinë për njohjen e personalitetit të Hazretit Muhamed s.a.v.s., ka thënë: “Dimensionet e personalitetit të Profetit të nderuar të Islamit asnjë njeri nuk është i aftë t’i shpjegojë në mënyrë të plotë dhe të paraqet një imazh të afërt me realitetin rreth personalitetit të Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Atë çfarë ne gjatë gjithë historisë e kemi njohur rreth të personalitetit të Hazretit Muhamed s.a.v.s., është vetëm një hije nga ekzistenca e tij shpirtërore dhe e brendshme dhe e vërtetë nga ky personalitet i nderuar. Mirëpo edhe kjo masë e njohjes është e mjaftueshme për myslimanët në mënyrë që së pari të garantojë lëvizjen e tyre drejt përkryerjes dhe përpara syve të tyre të vendosë majën më të lartë të virtyteve njerëzore dhe kulmin e përkryerjes njerëzor dhe së dyti, t’i inkurajojë ata për unitetin islam dhe mbledhjen e tyre rreth atij boshtit. Prandaj, ne u sugjerojmë të gjithë myslimanëve të botës që të punojnë shumë më tepër rreth dimensioneve të personalitetit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., rreth jetës dhe veprës së tij, moralit dhe mësimeve tij që kanë mbetur të shkruara në vepra dhe në tekste të ndryshme”.
Prandaj, pikërisht për këtë arsye, në këtë program me rastin e përvjetorit të lindjes së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., do t’i hedhim një vështrim kalimthi disa pjesëve të jetës së kësaj shëmbëlltyre hyjnore.
Banorët e rajonit Taif duke e ofenduar dhe duke e goditur me gurë, e kishin dëbuar nga qyteti të Dërguarin e fundit të Zotit s.a.v.s. kurse ai me zemrën plotë dhimbje, kishte shkuar në një kopsht në periferi të qytetit dhe me shumë lodhje ishte ulur nën një pemë. Ai shikoi drejt qiellit dhe tha: "O Zoti i mëshirshëm! O Zot, që je më i mëshirshmi prej të mëshirshmëve! Ti je Zot i njerëzve të dobët dhe Zoti i im, çdo vështirësi në rrugën tënde është e ëmbël, mirëpo o Zoti i madhëruar, ndihma jote për mua është më e ëmbël. Prandaj, strehohem te Ti, sepse drita jote i zhduk të gjitha errësirat!”.
Lutjet e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. pranë Zotit të madhëruar ishin aq shumë tërheqëse dhe të pëlqyeshme sa që krijuan një ndryshim të brendshëm te Ataba dhe Shejbeh, pronarët jobesimtarë të atij kopshti, të cilët urdhëruan shërbëtorin e tyre që t’i çojë një pjatë me rrush Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Shërbëtori me kureshtje shikonte fytyrën hyjnore dhe të qetë të Profetit të nderuar të Islamit dhe çuditej se për çfarë arsye njerëzit e atij rajoni e kishin maltretuar këtë burrë të nderuar. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. me të shikuar shërbëtorin, u ngrit nga vendi dhe e falënderoi atë, ndërsa kur futi një kokërr rrushi në gojë, tha: “Bismilahirrahmanirrahim” (Në e emër të Zotit mëshiruesit, mëshirëplotit).
Shërbëtori me çudi e pyeti: “Njerëzit e këtij rajoni nuk janë të njohur me fjalinë që the tani. Ti nuk e fillon punën tënde duke përmendur idhujt “Lat” dhe “Uza”? Hazreti Muhamed s.a.v.s. u përgjigj: “Çdo gjë është nga ai Zot i cili është Perëndi dhe i mëshirshëm. Ti prej nga je?”. Shërbëtori u përgjigj: “Jam nga Ninva, nga ai qytet në të cilin ka jetuar Profeti Junes”. Hazreti Muhamed s.a.v.s. me butësi tha: “Vëllai im Junesi ishte Profet i Zotit, ashtu sikur që edhe unë jam Profet i Zotit dhe jam dërguar për të udhëzuar dhe shpëtuar njerëzit”. Pastaj Hazreti Muhamed s.a.v.s. i citoi disa ajete kur’anore në lidhje me Profetin Junes. Ajetet e bukura të Kur’anit të shenjtë ndikuan aq shumë mbi shërbëtorin sa që ai përulje i puthi dorën Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Pronarët e kopshtit të cilët prej së largu shikonin se çfarë po ndodhë, në mënyrë të ashpër e thirren shërbëtorin të kthehej. Shërbëtori i cili ishte entuziazmuar me takimin e Profetit të fundit të Zotit, pa i kushtuar vëmendje qortimit nga ana e padronëve të vetë, tha: “Ky burrë që është ulur nën hijen e asaj peme, është zotëria i të gjithë njerëzve mbi rruzullin tokësor. Ai është ai profet i pritur të cilin e ka lajmëruar Hazreti Isau a.s. për neve. Betohem në Zotin se sot asnjë fes, përveç fesë së tij nuk është e pranuar pranë Zotit të madhëruar. Ai i cili nuk i bashkohet atij, është në rrugën e humbur”.
Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ishte një personalitet i pashembullt i cili në kryerjen e detyrës së vetë që ishte kumtimi i shpalljes hyjnore, ka vepruar shumë bukur dhe me maturi të plotë. Pastërtia e sjelljes së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. ushtronte ndikim të thellë mbi çdo njeri. Hazreti Muhamed s.a.v.s. në mënyrë praktike ka refuzuar çfarëdo lloj diskriminimi, pabarazie dhe krenarie në bazë të shtresave të shoqërisë. Shokët e tij kanë transmetuar se gjatë periudhës së shpalljes hyjnore, e kanë shoqëruar atë në një udhëtim. Në një rajon ata janë ndaluar të pushojnë. Dëshiruan të therin një dele dhe për të përgatisin ushqim për të ngrënë. Një prej shoqëruesve tha: “Unë do ta bëj therjen e deles”. Tjetri tha: “Unë do ta përgatisë mishin”. I treti tha: “Unë do ta pjeku mishin”. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. tha: “Unë do të mbledh dru për të ndezur zjarrin”. Në këtë kohë shokët i thanë: “O i Dërguari i Zotit, ju jeni të lodhur dhe nuk keni nevojë të mundoheni më tepër. Më mirë është që ju të pushoni nën hijen e pemëve derisa të përgatitet ushqimi dhe na lejoni që ne t’i bëjmë këto punë!” Profeti i nderuar i Zotit tha: “Edhe ju jeni të lodhur nuk është e drejtë që të gjithë të punojnë dhe unë të qëndrojë pa punë. Ju kryeni punën tuaj dhe unë duke mbledhur dru, do ta kryej detyrën time. Në këtë mënyrë edhe Zoti do të jetë i kënaqur”. Pastaj tha: “Zoti i madhëruar nuk e pëlqen që një rob në mesin e robërve të tjerë të konsiderojë privilegje dhe të bëjë dallim. Unë nëse ulem këtu dhe ju shkoni e i bëni të gjitha punët, atëherë unë për vete kam konsideruar privilegje. Zoti i madhëruar nuk dëshiron që një rob të jetë në këtë gjendje.
Në fund të këtij programi duke uruar edhe një herë përvjetorin e lindjes së Hazretit Muhamed s.a.v.s., po transmetojmë një thënia të Imam Aliut (a.s.) i cili thotë: “O Zot! O shtrirës i tokave dhe lartësuesi i qiejve, dërgo përshëndetjet më të mira dhe më të sinqerta dhe të mirat dhe begatitë më të mëdha për Muhamedin, robin dhe të Dërguarin tënd! Ai i cili gjithashtu është vula e profetëve të mëparshëm, hapës i dyerve të mbyllura dhe zbardhësi i të vërtetës, ai që ka ndriçuar rrugën për njerëzit e humbur, zemrat që ishin zhytur në të keqe e në mëkate, janë udhëzuar për qenien e tij, ai që ka ngritur flamujt e të vërtetës , ai që është i besuari i shpalljes tënde dhe ruajtës i diturisë dhe sekreteve hyjnore, ai që është dëshmitar i ditës së ringjalljes, ai që është i dërguari yt për të kumtuar të vërtetat dhe ai që është i dërguari yt për njerëzit. O Zot! Shpërbleje atë me më shpërblimin më të mirë nga deti i mirësisë dhe bujarisë e fisnikërisë tënde!”