Me rastin e ditës së parë të muajit Muharrem
(last modified Sat, 22 Aug 2020 06:46:10 GMT )
Gusht 22, 2020 08:46 Europe/Tirane
  • Me rastin e ditës së parë të muajit Muharrem

Muharrem! Ti po vjen për çdo vit që t’i lidh zemrat tona të përmalluara për Qerbelanë dhe dhimbjet e saj, për Ashuranë dhe vuajtjet e saj, për Husejnin dhe shokët e tij besnikë të martirizuar!

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: “Për martirizimin e Husejnit (a.s.), në zemrat e besimtarëve ekziston një ngrohtësi dhe zjarr që kurrë nuk ftohet dhe kurrë nuk shuhet”.

Erdhi Muharremi. Nëna i vesh këmisha të zeza fëmijëve. Edhe vetë ajo është veshur në të zezë dhe në sytë e saj është ulur një pikëllim i rëndë. Me të dëgjuar emrin e Husejnit (a.s), thuajse zjarri i dashurisë së brendshme po ndizet me flakë më të mëdha, nxjerr rënkime të thella dhe lotët i rrjedhin nga sytë. Nëna që nga fëmijëria, i ka rritur fëmijët me dashurinë ndaj Husejn bin Ali (a.s.), nipit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe sa herë që kanë pirë ujë, pastaj kanë thënë: “Es-Selamu alejk ja eba Abdullah”. Edhe babai është i veshur në të zeza dhe pret me padurim shkuarjen në ceremonitë e zimbajtjes në mënyrë që ekzistencën e vet ta hedhë në detin e pafund të dashurisë për Husejnin (a.s.) dhe ta gjallërojë zemrën me atë dashuri. Muharremi është muaji i dashurisë dhe sakrificës së zemrës për Husejnin (a.s.).

Sa mirë u bë që erdhe o muaji Muharrem! Ti je preteksti më i mirë për të treguar dashurinë e sinqertë të atyre që e dashurojnë Imam Husejnin (a.s.). Ti je preteksti më i mirë për të vajtuar për Husejnin (a.s.) dhe për Ali Asgharin dhe Abul-Fazlin. Muharrem! Ti për çdo vit vjen që t’i lidh zemrat tona të përmalluara për Qerbelanë dhe dhimbjet e saj, për Ashuranë dhe vuajtjet e saj, për Husejnin dhe shokët e tij besnikë të martirizuar! Muhamrrem, ti je arka e sekreteve të grave dhe fëmijëve të gëzuar të cilët në tendat e vetmisë, zemrën e vet e kanë të forcuar me Abas bin Ali ndërsa takimi me Husejnin (a.s.) u pastron të gjithë pikëllimin nga fytyra e tyre. Çfarë po bënë ti me neve, o muaji Muharrem?! Me çfarë mirësie dhe dashurie po i çon të dashuruarit deri te tenda e Husejn bin Ali (a.s.) dhe po merr leje nga zotëria për hyrjen tonë. O Husejn, po na jep neve edhe aftësinë për ta njohur veten në mënyrë që ashtu sikur shokët e ty besnikë, po sikur flutura rreth qiriut, të djegim e të sakrifikojmë krahët tanë. “Edkhul ja Aba Abdullah?!”

Çështja e Imam Husejnit (a.s.) dhe Ashura është e gjallë në histori përgjithmonë, sepse në këtë ngjarje, e vërteta qëndron dhe reziston përball të pavërtetën dhe Imam Husejni (a.s.) duke sakrifikuar jetën e vetë dhe duke flijuar fëmijët e vetë dhe duke martirizuar shokët e tij besnikë, nuk u largua as për një çast të vetëm nga rruga e të vërtetës. Kjo vlerë e madhe është e lavdëruar nga të gjithë fetë hyjnore dhe nga të gjitha ndërgjegjet e zgjuara përgjatë gjithë historisë.

Shkrimtari i krishterë Antuan Bara, autor i librit “Husejni në mendimin e krishterizmit”, në lidhje me madhërinë e Imam Husejnit (a.s.) thotë: “Imam Husejni (a.s.) është margaritar i pavdekshëm dhe i përhershëm i feve hyjnore. Husejni (a.s.) deri në fund të botës është ndërgjegjja e të gjitha feve, për arsye se kryengritja e Husejnit (a.s.) ka qenë për shkak të besimit të gjyshit të tij Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe Husejni (a.s.) është sjell dhe ka vepruar në bazë të ndërgjegjes kolektive të Umetit Islam. Lëvizja e Husejnit (a.s.) si një vullkan ka shpërthyer në shpirtin e Umetit Islam dhe ka shkaktuar tronditje dhe lëkundje shumë të madhe. Imam Husejni (a.s.) me këtë lëkundje morale dhe shpirtërore, dëshironte të zgjonte ndërgjegjët zhytura në mëkat dhe t’i lirojë ato nga humnera e mëkateve”.

Antuan Bara në vazhdim vë në dukje pavërtetësinë dhe humbjen e Jezidit dhe shton: “Nuk kishte mbetur shumë hapësirë derisa veprimet e pushtetit të asaj kohe, të shkatërronin edhe bindjet fetare të sapo vendosura në shoqëri. Ata kishin për qëllim vetëm pushtetin dhe kishin korruptuar dhe degjeneruar zemrën, shpirtit, arsyen dhe ndërgjegjen e njerëzve. Prandaj, titulli “Ndërgjegjja e feve deri në fund të botës” është një simbol i cili tregon se lëvizja e Husejnit (a.s.) është nga ana e Zotit të madhëruar dhe kryengritja e tij ishte ashtu siç ka qenë lëvizja e profetëve të Zotit. Prandaj, Imam Husejni (a.s.) ka sakrifikuar çdo gjë që kishte në fushëbetejën e luftës vetëm për ta ngritur sa më lartë fjalën e të vërtetës dhe për t’i shpëtuar njerëzit”.

Ngjarja e martirizimit të Imam Husejnit (a.s.) në vitin 61 hixhri kameri, nuk është e veçuar dhe e kufizuar vetëm për ditën e Ashurasë të atij viti, por është një luftë e vjetër e përballjes së frontit të së vërtetës dhe të pavërtetës. Lufta mes të së vërtetës dhe të pavërtetës është zhvilluar që nga lashtësia. Në luftën mes frontit të së vërtetës dhe të pavërtetës, nganjëherë froni i të pavërtetës gëzon një lloj superioriteti sipërfaqësor. Ky superioritet sipërfaqësor nganjëherë krijon pyetje dhe dileme themelore në mendjen e frontit të së vërtetës. Pyetje të tilla si përball armiqve të shumtë dhe frontit të tyre të gjerë, a duhet bërë rezistencë apo duhet dorëzuar? Esencialisht a është e mundur thyerja e armikut superfuqi? A ka vlerë të paguhet gjithë ky çmim i lartë për rezistencë? Çfarë do të jetë rezultati i kësaj lufte?

Pyetje të tilla kanë ekzistuar edhe në kohën e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., prandaj pikërisht për këtë arsye Zoti i madhëruar një sasi të madhe të ajeteve të Kur’anit të shenjtë i ka zbritur në përgjigje të këtyre pyetjeve. Përgjigje e Kur’anit të shenjtë në lidhje me këtë çështjeje është e prerë dhe Kur’ani flet për rezistencën dhe qëndresën.

Në ajetin 112 të sures Hud, Zoti i madhëruar i drejtohet Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s duke i thënë: “Qëndro dhe rezisto në këtë fe ashtu siç të kemi urdhëruar!”.

Imam Husejni (a.s.) gjithashtu duke u mbështetur në ajetet e Kur’anit të shenjtë dhe në mësimet e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., e ka njohur shumë mirë detyrën e vet hyjnore. Imam Husejni (a.s.) u përball me propozime të shumta që bëheshin nga ana e të afërmve të tij të cilët e inkurajonin atë të dorëzohet përball Jezidit, të bëjë besëlidhje me atë dhe të mendojë për poste pushteti, pasuri e qetësi që vijnë si rezultat i dorëzimit. Mirëpo besëlidhja e Imam Husejnit (a.s.) si nipi i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe si një personalitet me reputacion në mesin e myslimanëve, me Jezidin do të ishte vulë vërtetuese për të gjitha sjelljet dhe veprimet e këqija dhe të papëlqyeshme të pushtetit jezidian. Imam Husejni (a.s.) për këtë arsye kurrë nuk mund të bënte besëlidhje me pushtetit ateist jezidian dhe me një njeri të pafe siç ishte Jezidi. Në këtë mënyrë, Imam Husejni (a.s.) i cili ishte besimtar i vërtetë dhe prej robërve më të mirë të Zotit, pas shumë këshillave, tërheqjeve të vërejtjes dhe përpjekjeve për të korrigjuar sjelljen e pushtetit jezidian dhe për t’u kthyer në bazat fetare, në fund i mbeti vetëm një rrugë dhe ajo ishte deklarimi hapur i kundërshtimit dhe mospranimi i besëlidhjes me atë.

Në tragjedinë e Qerbelasë që ndodhi më 10 Muharrem të vitit 61 hixhri kameri, të shikuarit e numrit të vogël të shokëve besnikë të Imam Husejnit (a.s.) përball ushtrisë disa mijëra personave të Jezidit, në mendjen e njeriut mund ta çonte vetëm disfatën, mirëpo historia ka treguar se rezistenca në rrugën e ngritjes së fesë dhe fjalës së vërtetë të Zotit, është e pavdekshme dhe do të bëhet inspirim i kryengritjes së të shtypurve përball arrogantëve përgjatë gjithë historisë.

Në realitet motivi më i madh i kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.) është çështja e urdhërimit të veprave të mira dhe ndalimin e veprave të këqija, ashtu siç thotë ai vet në porosinë për vëllain e vet Muhamed bin Hanefije ku ka thënë: “Kryengritja ime nuk është në bazë të ambicieve të egos. Unë nuk po bëj kryengritje me qëllim rebelimit, degjenerimit, shkatërrimit dhe ushtrimit të dhunës, por motivi im është korrigjimi dhe reformimi i Umetit të gjyshit tim, të Dërguarit të Zotit dhe qëllimi im është urdhërimi i veprave të mira dhe ndalimi i veprave të këqija”.

Në atë kohë pushteti Emevit kishte lëkundur dy shtylla të mëdha dhe të rëndësishme të Islamit dhe urdhërimi i veprave të mira dhe ndalimi i veprave të këqija jo vetëm që ishte lënë anash tërësisht, por edhe veprat e ndaluara konsideroheshin të lejuara dhe veprat e lejuara konsideroheshin si të papëlqyeshme.  

Imam Husejni (a.s.) pas ceremonisë së Haxhit dhe lutjeve me plotë dashuri në shkretëtirën e Arafatit, u nis në drejtim të Irakut të sotshëm dhe qytetit Kufe në mënyrë që me përkrahësit e vet nga qyteti i Kufës të bënte rezistencë përball Jezidit. Mirëpo dëshpërim për ata të cilët besën e vet e shitën për para dhe u rreshtuan në ushtrinë e Jezidit. Imam Husejni (a.s.) gjatë rrugës së tij nga Mekja në drejtim të Kufës, shumë herë ka theksuar këtë çështjeje se qëllimi i tij është ripërtëritja e fesë së të Dërguarit të Zotit, Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe urdhërimin e veprave të mira dhe ndalimin e veprave të këqija. Imam Husejni (a.s.) në përballjen e parë me Hurrin dhe ushtrinë e tij ka thënë: “A nuk po shikoni se nuk po veprohet sipas të së drejtës dhe të vërtetës dhe nuk po parandalohet e pavërteta?! Në kohën kur besimtari për zbatimin e këtij urdhri të rëndësishëm, duhet të jetë i përmalluar për t’u takuar me Zotin”.

Imam Husejni (a.s.) me rezistencën e vet përball të pavërtetës, të gjithë njerëzve dhe të gjithë gjeneratave u ka mësuar këtë çështjeje të rëndësishme që të qëndrojnë dhe insistojnë në fjalën e tyre të vërtetë dhe fitorja është fryt i rezistencës. Ashtu sikur populli iranian duke u inspiruar nga mësimet dhe vlerat e kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.), ka rezistuar derisa e ka përmbysur regjimin despotik dhe derisa e ka çuar në fitore Revolucionin Islamik. Ky revolucion gjithashtu në bazë të po atyre mësimeve, po vazhdon rrugën e vet në përballje me arrogantët dhe tiranët. Rezistenca Islamike e Libanit, qëndresa e palëkundur e palestinezëve, rezistenca e popullit të Jemenit, rezistenca e popullit të Sirisë, çlirimi i popullit të Irakut nga dhuna dhe tirania e Sadam Husejnit dhe dëbimi i forcave ushtarake të Amerikës dhe qëndresa e popujve të tjerë liridashës, të gjitha janë fryt i kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.). Ata besojnë në premtimet e vërteta hyjnore dhe e dinë se dhuna dhe padrejtësia është diçka që mund të zhduket dhe në fund bota do të bëhet vend i vendosjes së drejtësisë dhe virtyteve të larta njerëzore. Muaji Muharrem vjen për çdo vit që të na mësojë mësimet e lirisë dhe të na tregojë neve sakrificën e njerëzve të mëdhenj që kanë bërë për liri dhe të na njohë neve me qëllimet tona të larta njerëzore dhe hyjnore. Pikërisht për këtë arsye Imam Khomejni (ra) ka thënë: “Muajt Muharrem dhe Safar janë ata që e mbajnë gjallë Islamin” dhe “Shkolla e Husejnit (a.s.) është shkolla e ndërtimit të njeriut”.

Tags