Pompeo shpreh shqetësim rreth aktiviteteve turke në Mesdheun Lindor
(last modified Sun, 13 Sep 2020 19:03:34 GMT )
Shtator 13, 2020 21:03 Europe/Tirane
  • Pompeo shpreh shqetësim rreth aktiviteteve turke në Mesdheun Lindor

Tensionet në rritje në Mesdheun Lindor midis Greqisë, Qipros, nga njëra anë dhe Turqisë, nga ana tjetër, mbi burimet e energjisë e kanë shtyrë BE të marrë një qëndrim të qartë dhe të paralajmërojë Ankaranë.

Shtetet e Bashkuara tani janë bashkuar me Evropën dhe shprehën shqetësim të fortë për veprimet e vazhdueshme të Turqisë në rajon. Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo, i cili të Shtunën mbërriti në Qipro, në një takim me Presidentin qipriot tha: Ne jemi thellësisht të shqetësuar për vazhdimi e operacioneve të Turqisë për të zbuluar dhe nxjerrë burimet natyrore në Mesdheun lindor dhe vendet e rajonit duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë paqësore dhe diplomatike, duke marrë parasysh sigurinë, energjinë dhe burimet detare. Në përgjigje, Presidenti i Republikës së Qipros, Nikas Anastasiades, kërcënoi në mënyrë verbale Turqinë për ta paditur atë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe u kërkoi Shteteve të Bashkuara të përballen me aktivitetet e Turqisë në Mesdheun lindor.  Duke marrë një qëndrim kundër Ankarasë, Uashingtoni tani praktikisht është futur brenda kornizës së qëndrimit të unifikuar të kampit Perëndimor kundër Turqisë.  Në fakt, Turqia shpresonte të fitonte mbështetjen politike të SHBA në konfliktin aktual, në të cilin Ankaraja është në njërën anë dhe Bashkimi Evropian në anën tjetër. Por Shtetet e Bashkuara, të cilat luajnë një rol udhëheqës në NATO, me sa duket hezitojnë të tendosin më tej marrëdhëniet e tyre me Bashkimin Evropian dhe anëtarët e NATO-s duke mbajtur një qëndrim pro-turk. Greqia dhe Qiproja, së bashku me disa vende evropiane, veçanërisht Franca, kanë theksuar se veprimet e Turqisë në kërkimin e burimeve të gazit në territorin ekonomik monopol të dy vendeve janë të paligjshme dhe kanë paralajmëruar Ankaranë për pasojat e këtij veprimi. Nga ana tjetër, Turqia pretendon se thjesht po kërkon zbatimin e të drejtave të saj në territorin e saj detar dhe ekonomik në Egje dhe Mesdheun Lindor. Duke pasur parasysh insistimin e të dy palëve në pozicionet e tyre, këto vende janë praktikisht të rreshtuar ushtarakisht në Detin Egje dhe Mesdheun Lindor, duke paralajmëruar njëri tjetrin duke mbajtur stërvitje detare dhe ajrore.  Mes tensioneve në rajonin midis Turqisë, Greqisë dhe Qipros, Ministria Turke e Mbrojtjes njoftoi të Premten se do të zhvillonte një stërvitje tre-ditore nga e Shtuna në të Hënë në zonën pranë brigjeve të Qipros me municione të vërteta.  Ndërkohë, Kryeministri Grek njoftoi të Shtunën blerjen e avionëve luftarakë Rafale, helikopterë dhe silurëve për të forcuar mbrojtjen e vendit kundër kërcënimit turk. Duke pasur parasysh intensifikimin e përgatitjeve dhe veprimeve ushtarake nga të dy palët në konfliktin aktual, si dhe vendimin e Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione ndaj Turqisë për shkak të aktiviteteve të saj të vazhdueshme në Mesdheun Lindor dhe Detin Egje, tensionet në këto ujëra pritet të përshkallëzohen. Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh qëndrimin e qartë të Pompeo, Shtetet e Bashkuara besojnë se është Turqia ajo që, si shkak i tensioneve aktuale, duhet të ndalojë veprimet e saj në këto dy zona detare.

 


 

Tags