Mali i Zi i pari në radhë për t’u anëtarësuar në BE
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i144712-mali_i_zi_i_pari_në_radhë_për_t’u_anëtarësuar_në_be
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë të martën në Bruksel se Mali i Zi është shteti më i avancuar kandidat në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe është i pari në radhë për t’u anëtarësuar në BE.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
May 30, 2023 19:56 Europe/Tirane
  • Mali i Zi i pari në radhë për t’u anëtarësuar në BE

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë të martën në Bruksel se Mali i Zi është shteti më i avancuar kandidat në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe është i pari në radhë për t’u anëtarësuar në BE.

Ai këtë e tha duke folur në Bruksel para gazetarëve së bashku me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë në selinë e BE-së prej kur është zgjedhur në postin e presidentit të këtij shteti. Borrell ka falënderuar Malin e Zi për përshtatje me qëndrimet e Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë. Ai ka thënë se ka forca të cilave nuk i pëlqen kjo politikë e Malit të Zi dhe dëshirojnë ta destabilizojnë atë. Prandaj, tha Borrell, BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Malin e Zi të përballet me këto sfida. “Jetojmë në kohën e agresionit rus në Ukrainë dhe në këtë situatë është e domosdoshme të ruajmë orientimin strategjik të Malit të Zi për integrim në BE“, ka thënë Borrell. Presidenti Millatoviq ka shprehur po ashtu bindjen se Mali i Zi do të jetë shteti i ardhshëm anëtar i BE-së dhe se procesi i anëtarësimit do të përshpejtohet tash pasi është krijuar edhe një mbështetje më e madhe për këtë proces edhe në BE.