Moszbatimi i Marrëveshjes për normalizim anulon konferencën e donatorëve
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) pajtohen që për momentin nuk ka vend për diskutime për organizimin e konferencës së donatorëve për Kosovën dhe Serbinë, e cila ishte parashikuar në Marrëveshjen për normalizimin e raporteve, e arritur nga liderët, më 27 shkurt në Bruksel dhe në Aneksin e zbatimit që u dakordua më 18 mars në Ohër.
Teksti i marrëveshjes parashikonte organizimin e konferencës së donatorëve, 150 ditë pas arritjes së marrëveshjes, me qëllim krijimin e një pakoje financiare për Serbinë dhe Kosovën, por pagesa do të bëhej vetëm pasi të konstatohej se të gjitha pikat e marrëveshjes janë zbatuar. Meqenëse asnjëra palë nuk ka zbatuar asnjërën nga pikat, për momentin nuk ka disponim për mbajtjen e konferencës së donatorëve në Bruksel. Me këtë rast, përfaqësuesit e disa shteteve anëtare të BE-së theksuan se përgjegjësia, për heqjen nga agjenda të planeve për konferencë të donatorëve, është e të dyja palëve, sepse as Kosova e as Serbia nuk kanë filluar zbatimin e marrëveshjeve. Anulimi i mundshëm i këtij takimi do të ishte një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë e Brukselit ndaj Prishtinës, për shkak të mosrespektimit të kërkesave ndërkombëtare lidhur me çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.