Krizë në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi
(last modified Fri, 18 Aug 2023 18:51:29 GMT )
Gusht 18, 2023 20:51 Europe/Tirane
  • Krizë në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

Me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës së Selanikut”, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të mirëpresë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve anëtare të BE-së për një darkë informale mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit.

Ftesës së Mitsotakis i janë përgjigjur pozitivisht presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, të cilët do të marrin pjesë në darkë. Serbia dhe Mali i Zi do të përfaqësohen përkatësisht nga presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Jakov Milatov. Maqedonia e Veriut dhe Kosova, nga kryeministrat Dimitar Kovacevski dhe Albin Kurti. Bosnja dhe Hercegovina do të përfaqësohet nga Presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Boriana Christo. Por Shqipëria e ftuar në nivel Presidencial nuk do të përfaqësohet. Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka refuzuar ftesën e Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, për një darkë informale që do të zhvillojë në Athinë me liderët e Ballkanit Perëndimor. Begaj ka refuzuar të marrë pjesë në takim për shkak të axhendës së përcaktuar më herët, sipas një përgjigje për mediat nga presidenca shqiptare. Ajo çka bie në sy është se Mitsotakis nuk e ka ftuar Kryeministrin Edi Rama në këtë takim ku janë ftuar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq. Kjo mund të lidhet edhe me  refuzimin e ftesës nga Begaj. Kjo lëvizje e Kryeministrit grek vjen në një kohë kur marrëdhëniet midis dy vendeve duket se kanë hyrë në krizë pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, pjesë e minoritet grek, i cili prej disa muajsh ndodhet në paraburgim i akuzuar për blerje votash.

 

Tags