Ministri i Jashtëm i Iranit arrin në Moskë për bisedime mbi rajonin
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian ka mbërritur në Moskë për të zhvilluar bisedime me homologun e tij rus mbi zhvillimet rajonale.
Amir-Abdollahian drejton një delegacion të rangut të lartë në vizitën e tij në kryeqytetin rus, e cila po zhvillohet me ftesë të Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov. Diplomatët e lartë iranianë dhe rusë planifikojnë të diskutojnë mënyrat për të luftuar kërcënimet terroriste dhe kontrabandën ilegale të drogës, si dhe kontributet ndërkombëtare në rindërtimin e Afganistanit gjatë takimit të tyre të planifikuar për të Mërkurën. Duke folur në një ceremoni për të mirëpritur Amir-Abdollahian pas mbërritjes së tij, Ambasadori i Iranit në Moskë Kazem Xhalali tha se kjo është vizita e parë e ministrit të jashtëm iranian që nga emërimi i tij dhe pas anëtarësimit të plotë të Republikës Islamike në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Amir-Abdollahian dhe Lavrov gjithashtu do të zhvillojnë bisedime rreth qëndrimit parimor të Teheranit dhe Moskës për Sirinë dhe rifillimin e bisedimeve për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Si nënshkruese e marrëveshjes bërthamore, Rusia ka mbështetur të drejtën e Iranit për energji bërthamore paqësore dhe ka theksuar nevojën për të rifilluar bisedimet e Vjenës që synojnë ringjalljen e marrëveshjes historike.