Prill 15, 2024 20:57 Europe/Tirane
  • Kanani: Irani nuk kërkon përshkallëzim të tensioneve në rajon

Operacioni hakmarrës i Iranit kundër Izraelit ishte një masë e nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur sigurinë kombëtare të vendit, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Naser Kanani të hënën, më 15 prill, në konferencën e tij javore për shtyp.

“Veprimi i Iranit ishte i nevojshëm dhe proporcional dhe synonte objektet ushtarake. Irani veproi për të mbrojtur sigurinë dhe interesat e tij kombëtare përballë mosveprimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe sjelljes së papërgjegjshme të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës”, tha ai.

Republika Islamike nuk po kërkon një përshkallëzim të tensioneve rajonale, sqaroi ai, duke shtuar megjithatë se Irani do të veprojë më fuqishëm brenda kornizës së Kartës së Kombeve të Bashkuara për të penguar dhe ndëshkuar çdo agresor që kalon vijat e kuqe të tij.

Kanani tha se Irani, si një fuqi që krijon siguri, po ushtronte të drejtën e tij të natyrshme për të mbrojtur veten sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

“Irani, aparati i tij diplomatik dhe forcat e tij të armatosura vepruan në mënyrë profesionale. Ata dhanë një përgjigje legjitime ndaj aktit të agresionit të regjimit izraelit”, theksoi zëdhënësi iranian, duke shtuar: “Irani veproi në mënyrë logjike dhe të përgjegjshme”.

“Ne kemi dhënë paralajmërimet e nevojshme përpara se të ndërmarrim veprime. Ne kemi vepruar me forcë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.

Lidhur me dënimin e operacionit hakmarrës të RII nga disa vende perëndimore, Kanani tha se këto të fundit duhet të kenë parasysh faktin se veprimi i Iranit ishte legjitim. Ai u bëri thirrje këtyre vendeve që të mirëpresin përmbajtjen e Iranit në lidhje me sigurinë dhe paqen rajonale në muajt e fundit.

Në vend që të hedhin akuza kundër Iranit, shtetet perëndimore duhet të pyesin veten se çfarë bënë gjatë shtatë muajve të gjenocidit të kryer nga regjimi izraelit në Rripin e Gazës, theksoi ai, duke shtuar: “Pse këto vende nuk morën përgjegjësinë e tyre ligjore dhe morale ndaj Palestinës? ".

 

Tags