Putin: Shoh mençuri në sulmin hakmarrës iranian ndaj Izraelit
(last modified Tue, 16 Apr 2024 19:02:38 GMT )
Prill 16, 2024 21:02 Europe/Tirane
  • Putin: Shoh mençuri në sulmin hakmarrës iranian ndaj Izraelit

Gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus, Presidenti iranian Ebrahim Raisi, duke iu referuar suksesit të operacionit "Premtimi i Vërtetë", paralajmëroi Izraelin për një reagim të frikshëm, të gjerë dhe më të dhimbshëm se ai i mëparshmi në rast të ndonjë veprimi kundër Iranit.

Gjatë një bisede telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin, këtë të martë, 16 prill, duke përshëndetur qëndrimet parimore dhe konstruktive të qeverisë ruse në lidhje me të drejtën e Iranit për t'u mbrojtur ndaj goditjes izraelite kundër seksionit konsullor të Iranit në Siri, Ebrahim Raisi e përshkroi këtë sulm si një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare duke përfshirë Konventën e Vjenës dhe një kërcënim për paqen botërore.

“Roli destruktiv i Shteteve të Bashkuara dhe disa shteteve perëndimore, dhe mosveprimi i organeve ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit përballë sulmeve të regjimit sionist kundër seksionit konsullor të ambasadës iraniane në Siri, e shtynë Iranin që të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të kryejë operacione kundër qendrave që kishin kryer agresion kundër nesh”, tha Presidenti Raisi.

Presidenti iranian shtoi: “Operacioni Premtimi i Vërtetë, qëllimi i të cilit ishte ndëshkimi i agresorit, ishte një sukses. Tani, ne deklarojmë se veprimi më i vogël kundër interesave të Iranit sigurisht që do të rezultojë në një përgjigje të ashpër, të gjerë dhe të dhimbshme kundër të gjithë autorëve të tij“.

Presidenti iranian vlerësoi përpjekjet diplomatike të qeverisë ruse për të penguar komplotet e Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve evropiane në Këshillin e Sigurimit.

Putin, nga ana e tij, dënoi aktin e regjimit sionist kundër seksionit konsullor të ambasadës iraniane në Siri dhe e quajti atë në kundërshtim me standardet dhe normat ndërkombëtare. “Përgjigja e Iranit ndaj këtij akti kriminal ishte mënyra më e mirë për të ndëshkuar agresorin dhe një shenjë e mençurisë së udhëheqjes iraniane”, tha presidenti Putin.

Putin kritikoi ashpër sjelljen e Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve perëndimore në lidhje me de-përshkallëzimin në rajon. “Ne jemi të bindur se Irani është një nga shtyllat e stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, tha ai.

Presidenti iranian dhe ai rus shqyrtuan gjithashtu bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme të tregtisë, energjisë, transportit dhe teknologjisë, duke theksuar nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe forcimin e bashkëpunimit të tyre.