Amir-Abdollahian: "Nuk ishte sulm"
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian ka vlerësuar gatishmërinë luftarake të sistemeve të mbrojtjes ajrore të Iranit dhe i ka përshkruar mjetet ajrore pa pilot të ushtrisë izraelite më shumë si lodra për fëmijë.
"Ajo që ndodhi mbrëmë nuk ishte një sulm," tha Amir-Abdollahian në një intervistë me NBC News ndërsa komentoi zhurmën e shpërthimeve në qytetin qendror të Iranit, Isfahan.
Diplomati i lartë iranian theksoi se Teherani nuk po kërkon të përshkallëzojë konfliktin nëse regjimi izraelit nuk kryen një marrëzi dhe nuk fillon një sulm të ri.
“Përderisa nuk ka aventurizëm të ri nga Izraeli kundër interesave tona, atëherë nuk do të kemi asnjë reagim të ri”, tha ai.
Amir-Abdollahian, megjithatë, nënvizoi se Irani do të përgjigjet në një nivel të menjëhershëm dhe maksimal në rast se Izraeli vendos të nisë një sulm.
“Nëse Izraeli ndërmerr një veprim vendimtar kundër vendit tim dhe kjo na vërtetohet”, tha ai, “përgjigja jonë do të jetë e menjëhershme dhe maksimale dhe do t'i bëjë ata të pendohen".
Ministri i Jashtëm iranian tha gjithashtu se Operacioni Premtimi i Vërtetë kundër Izraelit ishte vetëm një paralajmërim. “Ne mund të kishim goditur Haifën dhe Tel Avivin,” tha ai duke shtuar: “Ne gjithashtu mund të kishim vënë në shënjestër të gjitha portet ekonomike të Izraelit.”
"Por vijat tona të kuqe ishin civilët. Ne kishim vetëm një qëllim ushtarak", vuri në dukje Amir-Abdollahian.