Irani dënon sulmin vdekjeprurës me të shtëna në Oman
Irani ka dënuar një sulm vdekjeprurës me të shtëna në Oman, i cili u krye pranë një xhamie në zonën "Wadi al-Kabir" në provincën Muskat.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Naser Kan'ani, e dënoi incidentin në një deklaratë të martën.
Të shtënat ndodhën gjatë një ceremonie myslimane shiite që shënonte Ashuranë, përkujtimin vjetor të martirizimit të Imam Husejnit, imamit të tretë të shiitëve dhe nipit të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi ta!).
Kan'ani i denoncoi akte të tilla përçarëse dhe shprehu solidaritetin e Iranit me qeverinë dhe popullin e Omanit kundër lëvizjeve të tilla që synojnë të mbjellin përçarje në shoqëri.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit ka kërkuar nga Zoti mëshirë dhe grada të larta për dëshmorët e këtij incidenti dhe durim e shpërblim për familjet e tyre.
Policia Mbretërore e Omanit tha të martën: “Incidenti rezultoi në vdekjen e pesë individëve, martirizimin e një polici dhe vdekjen e tre autorëve. Përveç kësaj, u plagosën 28 individë të nacionaliteteve të ndryshme. Autoritetet po vazhdojnë të mbledhin prova dhe të kryejnë hetime për të zbuluar rrethanat e incidentit”, tha policia në rrjetin social X.
Policia Mbretërore e Omanit nuk dha asnjë informacion për identitetin e sulmuesve dhe të viktimave, si dhe për motivet e tyre.
Ndërkohë, në Islamabad, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, gjithashtu e dënoi sulmin terrorist.
“Zemra ime është me familjet e viktimave. Unë kam udhëzuar ambasadën e Pakistanit në Muscat që të ofrojë të gjithë ndihmën e mundshme për të lënduarit dhe të vizitojë spitalet personalisht. Pakistani solidarizohet me Sulltanatin e Omanit dhe ofron asistencë të plotë në hetim”, tha ai në rrjetin social X.
Ministria e Jashtme pakistaneze citoi autoritetet e Omanit të thonë se "katër pakistanezë u martirizuan" në të shtënat.
“30 pakistanezë të tjerë po marrin trajtim në spitale”, tha ministria.
Ambasadori i Pakistanit në Muscat, Imran Ali, tha në një video se ai kishte vizituar disa nga të plagosurit në tre spitale lokale dhe se gjendja e tyre ishte "relativisht e sigurt".
Ali citohet të ketë thënë se të paktën 50 punëtorë emigrantë pakistanezë u plagosën në sulm. Gazeta "National" me bazë në Abu Dhabi citon Imran Aliun të ketë thënë se autorët kishin marrë peng shumë besimtarë në xhami, duke përfshirë gra dhe fëmijë, përpara se policia të ndërhynte dhe t'i lironte.
“Ishte një histori tmerri për ta. Ata shkuan për t'u falur për Muharrem dhe janë të tronditur nga ajo që kishte ndodhur. Sulmi ishte paramenduar ndaj frekuentuesve të pafajshëm të xhamisë dhe kjo është gjithçka që dimë tani për tani. Falënderojmë Zotin që tragjedia është shumë më e vogël se sa mund të ishte.”
Një dhunë e tillë është e rrallë në Oman, një nga vendet arabe më të sigurta dhe më të qëndrueshme, që tradicionalisht luan rolin e ndërmjetësit në mosmarrëveshjet rajonale.