Irani thekson mbi sigurinë e kufijve me Pakistanin
Ministri i brendshëm i Iranit z. Abdolreza Rahmani Fazli i ka bërë thirrje Pakistanit që të marrë masa të shpejta për të përmirësuar sigurinë përgjatë kufijve të tij me Iranin.
Në një bisedë telefonike me ministrin federal pakistanez për kontrollin e brendshëm dhe të drogës Nisar Ali Khan të hënën, Rahmani Fazli tha se Islamabadi duhet të parandalojë infiltrimin e terroristëve në Iran, kontrabandën e narkotikëve dhe kalimin e paligjshëm në Iran nga shtetasit afganë nga kufiri pakistanez. Ai vuri në dukje sulmin e fundit terrorist kundër rojeve kufitare iraniane që shërbejnë në kufirin juglindor të vendit pranë qytetit Mirxhaveh dhe shtoi se incidenti nuk pritej duke marrë parasysh marrëdhëniet e afërta mes dy vendeve. Ministri iranian ftoi Ali Khanin të bëjë një vizitë në Teheran dhe tha: "Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë sa më shpejt një konferencë mbi bashkëpunimin mbi çështjet e sigurisë, ekonomike dhe kufitare". Më 26 prill, 11 roje kufitare iraniane u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në përleshjet pranë Mirxhaveh në provincën juglindore iraniane të Sistan Baluchestanit. I ashtuquajturi grupi terrorist Xhaish ul Adl mori përgjegjësinë për sulmin, i cili u nis nga territori pakistanez. Sulmuesit u arratisën në territorin pakistanez menjëherë pas sulmit. Rahmani Fazli gjithashtu bëri thirrje për ndërveprim të shtuar ekonomik dhe bashkëpunim tregtar mes dy vendeve, duke thënë: "Bashkëveprimi ekonomik në zonat kufitare mund të krijojë siguri të qëndrueshme përgjatë kufijve të përbashkët". Ministri pakistanez, nga ana e tij, tha se vendi i tij është i vendosur për të zbatuar marrëveshjet dypalëshe. Ai shtoi se kryeministri pakistanez e ka ngarkuar atë me zbatimin e marrëveshjeve.