Irani dënon sulmin terrorist në Balucistan të Pakistanit
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit(MPJI), ka dënuar shpërthimin terrorist të së enjtes në provincën Balucistan të Pakistanit.
Behram Kasemi, zëdhënës i MPJI, ditën e enjte dënoi sulmin terrorist në një qendër të shiitëve në Balucistan të Pakistanit, sulm që la të vrarë e të plagosur me dhjetëra persona dhe shprehu ngushëllimet për qeverinë, popullin e Pakistanit dhe familjarët e viktimave. Në mesazhin e tij Behram Kasemi tha: Të tilla sulme të tmerrshme kryhen për të prishur stabilitetin dhe për të krijuar përçarje dhe konflikte ndër-sektare dhe për këtë është e nevojshme që mes kombit dhe qeverisë së Pakistanit të ruhet uniteti dhe vigjilenca në luftën kundër terrorizmit dhe në përpjekjet për çrrënjosjen e këtij fenomeni në Pakistan. Nga sulmi terrorist në qendrën Sufian në jugperëndim të Pakistanit, 18 persona kanë humbur jetën. Ky është sulmi më i fundit ndaj një etnie në Pakistan i cili përveç të vrarëve ka plagosur 30 persona të tjerë. Vlen të theksohet se ISIS ka marrë përsipër përgjegjësinë për kryerjen e këtij sulmi terrorist.