Gjeneral Bakeri: Izraeli nuk do lejohet të sulmojë Sirinë sipas dëshirës
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit deklaroi se Izraeli nuk mund të lejohet të shkelë territorin sirian sipas dëshirës.
"Nuk është e pranueshme që regjimi sionist të shkelë sovranitetin dhe integritetin e Sirisë përmes tokës ose ajrit sa herë që të ketë dëshirë," tha të mërkurën gjenerali Muhamed Bakeri duke folur në kryeqytetin sirian Damask gjatë një konference për shtyp me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Arabe Siriane, gjeneral Ali Abdullah Ajub. Ushtria izraelite kryen sulme të rregullta mbi objektivat e Sirisë, shumica e kohës duke pretenduar se godet konvojet e destinuara për lëvizjen e rezistencës libaneze të Hezbollahut. Gjithashtu, Izraeli ka ofruar trajtim mjekësor për terroristët ekstremistë të plagosur në fushat e betejës në Siri në spitalet në terren në Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli. Gjenerali Bakeri tha se ndodhet në Siri për të deklaruar se Teherani është përkrah Damaskut në luftën kundër terrorit. "Republika Islamike e Iranit thekson se respektimi i integritetit territorial të vendeve të rajonit është një parim i pandryshueshëm", tha Bakeri duke shtuar: "Ne besojmë se sa herë që një vend duhet të kërkojë të kryejë operacione ushtarake brenda një vendi tjetër, duhet ta bëjë këtë duke respektuar integritetin territorial të vendit dhe me ftesën e tij." Nga ana e tij, Gjenerali Ali Abdullah Ajub, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Arabe Siriane, tha se kontigjentet e forcave turke të vendosura në Siri janë atje në mënyrë të paligjshme. Ai tha se ndryshe nga ajo që pretendon Ankaraja, forcat turke nuk janë në Siri, sipas një marrëveshjeje të arritur në kryeqytetin kazak të Astanasë mbi zonat e reduktimit të tensionit në Siri. Ajub gjithashtu tha se grupet terroriste që vepronin në Siri po i afrohen vdekjes së tyre dhe se mbështetja e Shteteve të Bashkuara nuk do të ndihmonte në mbijetesën e këtyre grupeve.