Irani i kërkon Turqisë t’i japë fund ndërhyrjes në Siri
Irani deklaroi se është duke ndjekur nga afër sulmin ushtarak turk në rajonin veriperëndimor Afrin të Sirisë, duke bërë thirrje për ndërprerjen e shpejtë të operacionit turk në Siri.
Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane z. Behram Kasemi tha të dielën se Republika Islamike e Iranit shpresonte që operacioni në Afrin do të përfundonte menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e krizës në zonat kufitare Turqi-Siri. "Vazhdimi i krizës në Afrin mund të çojë në forcimin e grupeve terroriste dhe takfiriste në zonat veriore të Sirisë dhe të ndezë përsëri flakët e luftës dhe shkatërrimit në këtë vend," shtoi ai. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit theksoi më tej rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Sirisë, duke respektuar sovranitetin e saj kombëtar dhe duke parandaluar çdo masë, e cila do të intensifikojë krizën humanitare në vend. Irani pret që të gjitha vendet, veçanërisht Turqia, të ndjekin zgjidhjen e krizës siriane përmes qasjeve politike dhe të vazhdojnë të luajnë një rol konstruktiv dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre në këtë drejtim, tha Kasemi. Ai theksoi se kriza në Siri i ka rrënjët në ndërhyrjet e paligjshme të fuqive jashtë-rajonale dhe të regjimit izraelit. Kasemi tha se kriza humanitare e Sirisë do të vazhdojë për sa kohë që SHBA dhe aleatët e saj vazhdojnë praninë e tyre të paligjshme në këtë vend në kundërshtim me vullnetin e qeverisë legjitime të Sirisë. Nga ana e tij, Presidenti sirian Bashar Asad të dielën dënoi operacionin ushtarak të Turqisë në Afrin, duke deklaruar se ofensiva ishte pjesë e mbështetjes së Ankarasë për grupet terroriste takfiriste që vepronin brenda vendit të rrënuar nga konflikti. "Agresioni brutal i Turqisë në qytetin sirian të Afrin nuk mund të ndahet nga politika e regjimit turk që nga dita e parë e krizës së Sirisë, e cila u ndërtua kryesisht në mbështetjen e terrorizmit dhe organizatave terroriste, pavarësisht nga emrat e tyre", tha Asad në një deklaratë të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve SANA. Edhe Rusia ka shprehur shqetësim në lidhje me një operacion ushtarak turk në rajonin Afrin të kontrolluar nga kurdët në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, duke u bërë thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtje. "Moska është e shqetësuar për këtë zhvillim. Ne u bëjmë thirrje palëve që të tregojnë përmbajtje", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse të publikuar të shtunën. Ndërkohë, një anëtar i dhomës së sipërme të komitetit të sigurisë të Dumës ruse tha të shtunën se Moska do të mbështeste Sirinë në mënyrë diplomatike dhe do të kërkonte në Kombet e Bashkuara që Turqia të ndalonte operacionin ushtarak në Afrin.