Mars 21, 2024 11:14 Europe/Tirane
  • Blinken, edhe një herë në Lindjen e Mesme, konsultohet me Bin Farhan për zhvillimet në Gaza

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, mbërriti të mërkurën në Arabinë Saudite në vizitën e tij të gjashtë në Lindjen e Mesme.

Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, në kuadrin e avancimit të përpjekjeve për vendosjen e një armëpushimi në Rripin e rrethuar të Gazës, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken mbërriti të mërkurën në Jeddah për t'u takuar me autoritetet saudite dhe për të nisur një raund të ri bisedimesh rreth zhvillimeve të luftës në Rripin e Gazës dhe u takua me ministrin e Jashtëm saudit Faisal Bin Farhan.

Anthony Blinken tha se negociatat për të garantuar një armëpushim në luftën e Gazës, i cili lidhet me lirimin e të burgosurve sionistë nga Hamasi, janë "afër" një marrëveshjeje.

Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, krahas përpjekjeve për të siguruar mbërritjen e menjëhershme të ndihmave humanitare, diskutuan zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës dhe në Rafah, si dhe rëndësinë e ndalimit të luftës.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së njoftoi se Blinken do të shkojë në Kajro për të takuar dhe biseduar me autoritetet e Egjiptit pas takimit dhe bisedës me autoritetet e Arabisë Saudite.

Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se Blinken do të shkojë të premten në territoret e pushtuara palestineze.

Ky është turneu i gjashtë i Blinken në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, e cila filloi më 7 tetor.

 

Tags