Avionët luftarakë të regjimit sionist bombardojnë zona të banuara në Gaza
(last modified Tue, 12 Nov 2024 09:13:46 GMT )
Nëntor 12, 2024 10:13 Europe/Tirane
  • Avionët luftarakë të regjimit sionist bombardojnë zona të banuara në Gaza

Mëngjesin e sotëm, avionët luftarakë të regjimit sionist bombarduan edhe një herë zonat e banuara të Rripit të Gazës.

Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, duke cituar rrjetin televiziv al-Mayadeen, avionët luftarakë të regjimit sionist bombarduan shtëpitë e banimit në lagjen Al-Shuxha'ije, që ndodhet në lindje të qytetit të Gazës.

Organizata e Mbrojtjes Civile të Gazës njoftoi gjithashtu se një ndërtesë banimi në rrugën al-Xhela' në veriperëndim të qytetit të Gazës u vu në shënjestër të sulmeve sioniste, ku si pasojë disa persona ranë dëshmorë dhe disa të tjerë u plagosën.

Përveç kësaj, sulmi në një shtëpi në veriperëndim të kampit al-Nusejrat shkaktoi të paktën 9 të plagosur. Zonat e banuara në Beit Hanoun, të vendosura në veri të Gazës, ishin gjithashtu në shënjestër të këtyre sulmeve.

Gazetari i rrjetit televiziv Al-Jazeera raportoi gjithashtu se pushtuesit sionistë kanë rrethuar edhe një shkollë në Beit Hanoun së bashku me 130 persona të zhvendosur, që janë strehuar atje.

Al-Jazeera raportoi gjithashtu: "Në sulmet e djeshme izraelite në zona të ndryshme të Rripit të Gazës ranë dëshmorë 39 persona."

Një lajm tjetër është se burime izraelite bënë të ditur se udhëtimi i delegacionit të Kryqit të Kuq në Rripin e Gazës është ndaluar. Kanali 13 i televizionit të regjimit sionist njoftoi se kabineti i sigurisë dhe politik i këtij regjimi miratoi në mbledhjen e tij që të mos lejohet Kryqi i Kuq të vizitojë Rripin e Gazës.