Nasrullah: Askush nuk guxon të sulmojë Iranin
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut të Libanit Sejed Hasan Nasrullah mbajti sot një video konferencë, me rastin e përvjetorit të përkujtimit të "Komandantëve dëshmorë".
Ai theksoi se "Shtetet e Bashkuara dhe regjimi sionist janë duke u përpjekur për dekada të tëra për të shkatërruar Rezistencën, por ata nuk kanë pasur sukses dhe nuk do të kenë sukses as në të ardhmen". Në një pjesë tjetër të fjalimit të tij, ai iu referua procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes disa vendeve arabe të Gjirit Persik dhe Izraelit dhe takimeve të liderëve të këtyre vendeve me zyrtarë izraelitë dhe shtoi se "koalicioni agresor takfirist saudito-emiratas është një instrument i Shteteve të Bashkuara për realizimin e projekteve të tyre". Nasrullah vuri në dukje se SHBA dhe Izraeli gjithashtu do të dështojnë të minojnë Iranin pasi RII ka lulëzuar gjatë katër dekadave të fundit që nga Revolucioni Islamik. "Duke dështuar në projektet e tyre në Lindjen e Mesme, SHBA dhe Izraeli orkestruan konferencën e Varshavës me shpresën për të luajtur një tjetër skenar. Konfigurime të tilla nuk do të kenë efekt mbi Iranin, pasi ky vend vazhdon të forcohet në të gjitha nivelet. "Uashingtoni dhe Tel Avivi janë të vetëdijshëm për faktin se një konfrontim ushtarak me Iranin nuk do të ishte një detyrë e lehtë për të realizuar. Miliona burra, gra dhe fëmijë iranianë dolën në rrugë në 40 vjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979 për të dërguar një mesazh të fortë tek SHBA dhe Izraeli se ata mbështesin sistemin e tyre islamik", tha shefi i Hezbollahut. "Ne jemi mjaft të fortë për t'u përballur me Izraelin dhe Izraeli këtë e di shumë mirë. Një fakt i tillë funksionon si pengesë", vuri në dukje Nasrullah. Shefi i Hezbollahut gjithashtu hodhi poshtë me forcë deklaratat e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Mike Pompeo se Hezbollahu "ka qeliza aktive" në Venezuelë, duke nënvizuar se lëvizja e tij nuk ka aktivitet në Amerikën Latine. Kreu i Hezbollahut tha se Irani kishte shprehur shpesh gatishmërinë për të ndihmuar Libanin, duke argumentuar se qeveria e Bejrutit kishte refuzuar oferta të tilla për shkak të kundërshtimit nga SHBA dhe Arabia Saudite.