Situata protestuese në Evropë
(last modified Mon, 30 Nov 2020 07:26:13 GMT )
Nëntor 30, 2020 08:26 Europe/Tirane
  • Situata protestuese në Evropë

Zjarre dhe incidente u verifikuan gjatë natës në Paris, ku persona të shumtë protestuan kundër dhunës së policisë dhe ligjit të ri për sigurinë, që ndalon filmimin e oficerëve teksa janë në detyrë.

 Forcat e rendit qëlluan gaz lotësjellës dhe hodhën granata trullosëse, pasi protestues të maskuar hodhën shashka ndaj kordonit të tyre, ngritën barrikada dhe gjuajtën me gurë.  Shumica e disa mijëra protestuesve marshuan në mënyrë paqësore, por grupe të vogla u përleshën me policinë. Disa automjete, motoçikleta dhe ndërtesa u përfshinë nga flakët.  Disa mijëra persona marshuan edhe në qytete të tjera si Lion, Lile, Rene dhe Strasburg.  Protestat vijnë pas publikimit më herët gjatë javës të pamjeve filmike të disa agjentëve që dhunonin një producent muzike në Paris, ngjarje kjo e ndodhur më 21 nëntor. “Në fund do të supozojmë se filmimet do të jenë dashakeqe dhe kush do të jetë në gjendje t’i përcaktojë si të tilla? Do të jetë vetë policia dhe sigurisht që kjo do të shkaktojë një lloj vetëcensure”, u shpreh Vincent Lanier, nga Sindikata e Gazetarëve në Francë.  Incidenti shtoi kundërshtimin për projektligjin, që shihet si një kufizim i të drejtës së gazetarëve për të raportuar brutalitetin policor. Me qindra mijëra njerëz protestuan në Nantes në Francë kundër një ligji të propozuar që synon të frenojë mundësitë e gazetarëve për të shfaqur imazhe të oficerëve të policisë gjatë punës së tyre. Dhjetëra policë ishin të pranishëm, pasi Nantes ka qenë shpesh herë një pikë e nxehtë përplasjeve midis policisë dhe protestuesve. Projektligji, i cili do ta cilësojë vepër penale qarkullimin e imazheve të oficerëve të policie në rrethana të caktuara, kaloi të martën hapin e parë duke u votuar në dhomën e ulët në Parlamentin e Francës. Projektligji kaloi pavarësisht protestave nga aktivistët e të drejtave dhe gazetarët.  Kundërshtarët thonë se ligji do të pengonte lirinë e gazetarëve për të raportuar mbi ngjarjet publike dhe do ta bënte më të vështirë përcaktimin e zyrtarëve përgjegjës nëse ata përdorin forcë të tepruar. Mbështetësit thonë se ligji i planifikuar është krijuar për të mbrojtur oficerët dhe familjet e tyre nga të qenurit të kontrolluar në internet dhe të ngacmuar ose sulmuar kur janë jashtë detyrës. Sipas parashikimit, kushdo që dënohet për qarkullimin e imazhit të një oficeri policie me qëllimin për t'i dëmtuar mund të burgoset për një vit dhe të gjobitet 45,000 euro (53,450 dollarë. Zyra e kryeministrit në një deklaratë tha se qeveria synonte të krijonte një komision të pavarur të ngarkuar me propozimin e një versioni të ri të projekt-ligjit. Ndërkoë tre policë francezë janë pezulluar nga detyra  pas publikimit të një videoje ku ata shfaqen  duke goditur një person me ngjyrë duke forcuar zemërimin mbi sjelljen e forcave të sigurisë. Michel Zecler, një producent muzikor kërkon drejtësi. “Pa këtë video, sot unë nuk do të isha këtu para jush  dhe ndoshta, pa këtë video, ju mund të kishit të njëjtën histori me titullin “Një i ri u sulmua”,  po i bëj qejfin vetes nuk jam dhe aq i ri, por do të shkruanit i riu sulmoi oficerët e policisë, u përpoq t'u merrte armët, t'i godiste, gjithçka që kam dëgjuar edhe më parë,” – u shpreh producenti Zecler. Në pamje shihen  policët që e godasin producentin me shkelma në kokë dhe me shkopinj gome në trup. Michel thotë se nuk besonte se ata ishin oficerë policie dhe thekson se ata e ofendonin në mënyrë racore. “Unë do të doja tu thosha policisë dhe xhandarëve që i mbështes ata pa pushim, por në këmbim të kësaj mbështetje është padyshim kërkesa e ministrit të Brendshëm për respekt absolut të ligjit dhe etikës. Kur ka njerëz që ngatërrohen në këtë mënyrë,  ata duhet të heqin dorë nga uniforma e Republikës, duhet të dënohen, të lënë punën, të dënohen nga drejtësia,” – tha ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin. Incidenti ndodhi pak ditë pasi qeveria e Presidentit Emmanuel Macron  kërkon të kalojë një projekt-ligj të ri që kufizon mundësinë për të filmuar policët në detyrë, projektligj i cili ka nxitur protesta nga grupet e të drejtave civile dhe gazetarët e shqetësuar se kjo do të lejojë që brutaliteti i policisë të mbetet i pazbuluar dhe i pandëshkuar.

Tags