Situatë kaotike rrugëve të Parisit
(last modified Sun, 06 Dec 2020 18:26:53 GMT )
Dhjetor 06, 2020 19:26 Europe/Tirane
  • Situatë kaotike rrugëve të Parisit

Mijëra demonstrues janë mbledhur rrugëve të Parisit, për të shprehur pakënaqësinë për shkak të brutalitetit të policisë dhe planeve për siguri politike të presidentit Emmanuel Macron, për të cilat pretendojnë se shkelin lirinë qytetare.

Policia në protesta ka përdorur gaz lotsjellës pasi që demonstruesit hodhën mjete të ndryshme piroteknike në drejtim të tyre. Madje një grup të rinjsh kanë thyer raftet dhe dyert e dyqaneve. Demonstruesit mbanin transparentë “Franca – vendi i të drejtave policore” dhe “Tërhiqni ligjin për siguri”. “Po shkojmë kah kufizimi më i madh i lirisë, nuk ka arsyetim për diçka të tillë”, ka thënë një pjesëmarrëse e protestave. Demonstruesit shprehen përçmimin e tyre ndaj dhunës së policisë dhe planeve të presidentit Emmanuel Macron për forcimin e dorës së autoriteteve. Teksa protestuesit brohorisnin “të gjithë e urrejnë policinë” dhe “ne jemi anti-kapitalistë,” ata thyen xhamat e disa ndërtesave dhe dogjën disa makina. Demonstruesit hidhnin vazhdimisht fishekzjarre dhe objekte të ndryshme ndaj policëve. Shtëllunga të mëdha tymi e gazi lotsjellës pati në rrugët e Parisit. Në Paris, ku shpërthyen trazira masive, protestuesit ngritën barrikada dhe hodhën objekte ndaj oficerëve të policisë, duke i plagosur 62 policë, gjersa 81 protestues janë arrestuar. Në Rennes, policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve. Protestat u zhvilluan gjithashtu në Strasburg, Marseille dhe Lyon. Policia tha se mes protestuesve ishin rreth 500 anarkistë që kërkonin kaos. Ministri i brendshëm Gerard Darmanin deklaroi se dhjetëra vetë ishin arrestuar në Paris dhe rreth 100 në të gjithë Francën, në protestat paralele në qytete të mëdha si Marsejë e Lion. Partia e Macron këtë javë ka bërë të ditur se do ta ndryshojë ligjin e propozuar që synon të kufizojë shpërndarjen e fotografive dhe videove të zyrtarëve policorë, duke hasur në kundërshti të fuqishme nga opinioni publik dhe partitë opozitare. Pakënaqësia e opinionit eskaloi në fund të nëntorit ku disa zyrtarë policorë rrahën producentin muzikor me prejardhje afrikane Mishel Zekler, e për këtë incident qytetarët mësuan pasi që në internet u publikuan pamjet e dhunës.  Projektligji, i cili do ta cilësojë vepër penale qarkullimin e imazheve të oficerëve të policie në rrethana të caktuara, kaloi të martën hapin e parë duke u votuar në dhomën e ulët në Parlamentin e Francës. Projektligji kaloi pavarësisht protestave nga aktivistët e të drejtave dhe gazetarët.   Kundërshtarët thonë se ligji do të pengonte lirinë e gazetarëve për të raportuar mbi ngjarjet publike dhe do ta bënte më të vështirë përcaktimin e zyrtarëve përgjegjës nëse ata përdorin forcë të tepruar. Mbështetësit thonë se ligji i planifikuar është krijuar për të mbrojtur oficerët dhe familjet e tyre nga të qenurit të kontrolluar në internet dhe të ngacmuar ose sulmuar kur janë jashtë detyrës.  Sipas parashikimit, kushdo që dënohet për qarkullimin e imazhit të një oficeri policie me qëllimin për t'i dëmtuar mund të burgoset për një vit dhe të gjobitet 45,000 euro (53,450 dollarë. Zyra e kryeministrit në një deklaratë tha se qeveria synonte të krijonte një komision të pavarur të ngarkuar me propozimin e një versioni të ri të projekt-ligjit.

 

Tags