OKB-ja kërkon tërheqjen e menjëhershme të luftëtarëve të huaj nga Libia
(last modified 2021-03-13T18:58:09+00:00 )
Mars 13, 2021 19:58 Europe/Tirane
  • OKB-ja kërkon tërheqjen e menjëhershme të luftëtarëve të huaj nga Libia

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka kërkuar që shtetet që kanë luftëtarë në Libi t’i tërheqin ata “pa vonesa”, në mënyrë që të mund të respektohet marrëveshja e armëpushimit e arritur në tetor. Armëpushimi ka për qëllim që t’i hapet rrugë mbajtjes së zgjedhjeve.

Përmes një deklarate, Këshilli gjithashtu i bëri thirrje të gjitha palëve në Libi që të sigurohen për transferim paqësor të pushtetit te qeveria e përkohshme, e udhëhequr nga kryeministri Abdul Hamid Dbeibah. Tërheqja e trupave dhe respektimi i një embargoje të armëve, janë kushte kyçe që marrëveshja e armëpushimit të respektohet. Libia është në kaos që prej vitit 2011, kur u rrëzua nga pushteti Moammar Gadhafi. Që atëherë, në këtë shtet ka pasur dy qeveri, ajo në Tripoli e mbështetur nga OKB-ja dhe autoritetet rivale, që kanë ekzekutivin e tyre në lindje të këtij shteti. Të dyja palët kanë mbështetje të milicive lokale dhe të fuqive rajonale dhe të huaja. Dhoma e Përfaqësuesve të Libisë, më 10 mars, mbështeti presidentin e ri të përkohshëm, që të udhëheqë me vendin deri në zgjedhjet që janë planifikuar të mbahen në dhjetor. Marrëveshja e armëpushimit, e tetorit të kaluar, përfshinte një afat prej tre muajsh që të tërhiqen të gjitha forcat e huaja dhe mercenarët. Kombet e Bashkuara në janar i bën thirrje Rusisë, Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që të përfundojnë intervenimet e tyre ushtarake në Libi. Moska ka mohuar se ka personel ushtarak në Libi. Mijëra mercenarë të tjerë besohet se janë nga Siria, Sudani dhe Çadi, kanë thënë diplomatët.

 

Tags