Oxfam: Uria u dyfishua për shkak të krizës ekstreme klimatike
Hulumtimi i organizatës humanitare Oxfam tregon se njerëzit në 10 vende vuajnë nga uria mbi dy herë më shumë se gjashtë vjet më parë.
Pasojat e ndryshimeve klimatike po çojnë në një rritje të urisë dhe vdekjes në rajonet tropikale të botës, dhe hulumtimi i ri nga Oxfam tregon se më shumë se 48 milionë njerëz në 10 vende të botës vuajnë nga uria akute, ndërsa kjo shifër ishte 21 milionë gjashtë vjet më parë. Në hulumtimin e organizatës Oxfam, i cili u krye me titullin “Uria dhe ngrohja globale”, thuhet se 18 milionë njerëz që jetojnë në rajonet tropikale të botës janë në rrezik të vdesin nga uria. Shtatë nga pikat e nxehta të krizës klimatike të identifikuara nga Oxfam ndodhen në Afrikë. Raporti shtoi se kriza klimatike ka sjellë thatësirë, stuhi dhe përmbytje dhe numri i incidenteve të tilla është pesëfishuar në 50 vitet e fundit. Sipas një studimi të ri nga Oxfam, 10 vendet që u prekën rëndë nga kriza klimatike janë Somalia, Haiti, Xhibuti, Kenia, Nigeri, Afganistani, Guatemala, Madagaskari, Burkina Faso dhe Zimbabve, të cilat kanë pësuar më shumë dëme në dy dekadat e fundit. Sipas raportit, miliona njerëz që vuajnë nga lufta dhe konflikti i vazhdueshëm, pabarazia e gjerë dhe krizat ekonomike, tani po humbasin mjetet e jetesës si rezultat i fatkeqësive të tilla si uraganet dhe fatkeqësitë e tjera klimatike.