Erdogan: Opozita merr urdhra nga terroristët
(last modified Sat, 13 May 2023 17:52:06 GMT )
May 13, 2023 19:52 Europe/Tirane
  • Erdogan: Opozita merr urdhra nga terroristët

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbyllur sot fushatën elektorale me tri mitingje në Stamboll, ku edhe një herë ka hedhur një sërë kritikash ndaj opozitës dhe kandidatit të saj, Kemal Kilicdaroglu.

“Kemal merr urdhra nga terroristët. Ne marrim urdhra nga Allahu dhe kombi ynë. Ky është ndryshimi nesh”, tha Erdogan dhe theksoi se opozita po kërkon ndihmë nga partia kurde HDP, e cila është lidhur me lëvizjen e PKK-së, që është njohur si organizatë terroriste në Turqi, SHBA dhe disa shtete evropiane. Gjithashtu, Erdogan iu referua pretendimit të opozitës se Rusia qëndron pas publikimit të materialit të rremë për aktivitetet e Kemal Kilicdaroglu. "Çfarë lloj politike është kjo? Populli im nuk do ta dorëzojë këtë vend tek ju. Kemali gjithashtu thotë se ne do të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Çfarë është ky mendim? Kemi 5.5 milionë turistë që vijnë nga Rusia. Çfarë do të bëni për këtë?”, pyeti presidenti aktual. Përveç betejës për postin e presidentit, nesër turqit do të vendosin edhe për përfaqësuesit e ri në parlament ku do të zgjidhen 600 deputetë.

 

Tags