Franca ndërpret të gjithë ndihmën për Nigerin
(last modified Sun, 30 Jul 2023 07:17:41 GMT )
Korrik 30, 2023 09:17 Europe/Tirane
  • Franca ndërpret të gjithë ndihmën për Nigerin

Ministria e Jashtme franceze njoftoi të shtunën se Parisi ka pezulluar të gjithë ndihmën për zhvillim dhe mbështetjen financiare për vendin afrikan të Nigerit, pas grushtit ushtarak kundër presidentit të vendit, Muhamed Bazoum.

Sipas France 24, kjo ministri në deklaratën e saj njoftoi se Parisi kërkon një rikthim të menjëhershëm në rendin kushtetues në Niger, së bashku me lirimin e presidentit të zgjedhur të këtij vendi. Forcat e Gardës Presidenciale të Nigerit  arrestuan dhe shkarkuan nga detyra presidentin e vendit Muhamed Bazoum. Në vitin 2021, Agjencia Franceze e Zhvillimit ndau rreth 97 milionë euro për Nigerin, i cili është një nga vendet më të varfra në botë. Emmanuel Macron, presidenti i Francës, të premten dënoi ashpër grushtin e shtetit në Niger dhe e quajti atë të rrezikshëm për rajonin dhe kërkoi lirimin e Bazoum. Nigeri është një nga përfituesit kryesorë të ndihmës perëndimore dhe një partner i rëndësishëm i Bashkimit Evropian në ndihmën për të parandaluar emigracionin e paligjshëm nga vendet e Afrikës. Bashkimi Evropian gjithashtu ka një numër të vogël trupash në Niger për një mision trajnimi ushtarak. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende kanë kërkuar lirimin e pakushtëzuar të Muhamed Bazoum dhe rivendosjen e rendit demokratik në këtë vend, ndërsa puçistët e Nigerit emëruan të premten në krye të këshillit kalimtar të vendit, gjeneralin Abdurrahman Chiani.

Tags