Rusia kryen sulme të reja raketore kundër Ukrainës
(last modified Fri, 29 Dec 2023 18:54:06 GMT )
Dhjetor 29, 2023 19:54 Europe/Tirane
  • Rusia kryen sulme të reja raketore kundër Ukrainës

Ushtria ruse ka nisur sulme të reja raketore, duke synuar objektet ushtarake ukrainase në jug, perëndim dhe lindje të vendit, me dëme të raportuara në shumë vende, sipas zyrtarëve ukrainas.

“Forca ajrore ruse kreu 50 sulme të ndryshme dhe një sulm masiv me armë precize dhe dronë në objektet ushtarake në Ukrainë, dhe të gjitha objektivat u goditën”, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse, ndërsa Rusia hodhi një nga breshëritë më të mëdha të saj me dronë dhe raketa kundër Ukrainës në muajt e fundit.

Një alarm ajror mbarëkombëtar u shpall në Ukrainë pasi dronët, raketat hipersonike dhe balistike goditën Kievin, Odesën, Dnipropetrovsk, Kharkivin dhe Lvivin në orët e para të mëngjesit të së premtes, duke vrarë të paktën 16 dhe duke plagosur rreth 100 të tjerë.

"Ne kurrë nuk kemi parë kaq shumë objektiva në monitorët tanë në të njëjtën kohë," tha për mediat zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ignat, duke shtuar: "Mund të themi se ky ishte një sulm masiv".

Kremlini "me sa duket ka lëshuar gjithçka që posedon", pohoi Ignat në televizionin kombëtar.

Sipas një zyrtari ukrainas, Kremlini përdori 18 bombardues strategjikë Tu-95 për të lëshuar raketa gjatë natës, por sulmi i supozuar ende nuk është konfirmuar nga ushtria ruse.

Më parë, Kremlini ka thënë se Kievi ka një tendencë për të mbivlerësuar sasinë e raketave Kinzhal të përdorura nga Rusia në konflikt, me synimin për të pohuar se i ka kapur me sukses këto raketa.

 

Tags