Rusia sulmon ashpër Kievin
(last modified Tue, 02 Jan 2024 18:53:24 GMT )
Janar 02, 2024 19:53 Europe/Tirane
  • Rusia sulmon ashpër Kievin

Rusia sulmoi sot Kievin me dronë dhe me breshëri raketash të llojeve të ndryshme, duke goditur ndërtesat e banimit dhe infrastrukturën civile. Autoritetet ushtarake lëshuan alarmin për sulme ajrore që zgjati të paktën tre orë.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se tubacionet e gazit ishin dëmtuar në lagjen Pecherskyi të Kievit dhe energjia elektrike dhe uji ishin ndërprerë në disa zona të kryeqytetit.

“Situata në qytet është e rëndë. Pothuajse 70 raketa u shkatërruan, ky ishte një sulm i kombinuar me dronë iranianë Shahed dhe raketa të llojeve të ndryshme, duke përfshirë atë hipersonike Kinzhal. Shumica e raketave u shkatërruan. Ky është rezultat i rënies së mbetjeve të tyre. Falenderoj Forcat tona të Armatosura dhe Mbrojtjen Ajrore për mbrojtjen e qytetit. Megjithatë, mbetjet e raketave të rrëzuara shkaktuan dëme të mëdha”, tha ai.

Ndërprerja e energjisë elektrike dhe ujit riktheu kujtimet e dimrit të kaluar kur Rusia goditi rrjetin e energjisë elektrike, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe duke lënë miliona njerëz në errësirë.

Në Kharkiv, kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se qyteti ishte nën një “sulm të madh me raketa”. Oleg Sinegubov, shefi i administratës ushtarake në Kharkiv, tha në rrjetin Telegram se sulmet ruse vranë të paktën një person dhe plagosën më shumë se 40 të tjerë. Në Poloninë fqinje, ushtria tha se dërgoi katër avionë ushtarakë F-16 për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore mes sulmeve ruse.

Sulmet e së martës pasuan një paralajmërim nga presidenti rus Vladimir Putin se Rusia do të intensifikonte sulmet ndaj Ukrainës, pas një sulmi vdekjeprurës ukrainas të shtunën në qytetin rus të Belgorodit, që vrau 24 veta dhe plagosi më shumë se 100 të tjerë.

Gjatë një vizite në një spital ushtarak të hënën, presidenti Putin e quajti sulmin e Ukrainës në Belgorod “një akt terrorist”, duke akuzuar forcat ukrainase se kishin shënjestruar “pikërisht qendrën e qytetit, ku njerëzit po ecnin përreth, para natës së Vitit të Ri”.

 

Tags