Ekstremi i djathtë arrin fitore historike në zgjedhjet në Gjermani
(last modified 2024-09-02T18:02:33+00:00 )
Shtator 02, 2024 20:02 Europe/Tirane
  • Ekstremi i djathtë arrin fitore historike në zgjedhjet në Gjermani

Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) shënoi rezultate historike në zgjedhjet rajonale të së dielës.

Ajo pati një fitore dërrmuese në Turingi dhe u rendit e dyta me një diferencë shumë të ngushtë në Saksoni. Kreu i AfD-së për Turinginë e përshkroi këtë triumf si një mesazh të qartë të votuesve gjermanë.

“Besoj se këto zgjedhje ishin një sinjal se Turingia duhet ta ndalë hovin. Nuk është çështja tek mikpritja për emigrantët që jetojnë këtu prej vitesh dhe ndajnë vlera e zakone të njëjta me ne. Problemi është tek fakti që vitet e fundit, miliona vetë janë lejuar të hyjnë në këtë vend nga shtete që nuk kanë të njëjtin bosht vlerash dhe që po shkaktojnë probleme reale këtu. Dhe ky është një ngërç që duhet zgjidhur”, tha Bjorn Hoecke , kreu i AfD në Turingi.

Fitorja e AfD-së në Turingi është fitorja e parë e një partie të ekstremit të djathtë në zgjedhjet në Gjermani që nga mposhtja e Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Sipas rezultateve preliminare, në Turingi, AfD-ja ka fituar 32.8 për qind të votave, duke lënë pas CDU-në me 23.6 për qind. Edhe në Saksoni, ku Demokristianët (CDU), që aktualisht janë në pushtet, sipas rezultateve paraprake, ata  kanë një epërsi fare të vogël ndaj AfD-së. Tre partitë e koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz janë përballur sakaq me humbje të mëdha.

Sondazhet tregojnë se katër nga pesë gjermanë janë të pakënaqur me punën e qeverisë gjermane dhe kjo gjendje po zgjat prej muajsh.

 

Tags