Ulen nivelet e ujit në degën kryesore të Amazonës, shkak thatësira
(last modified Sat, 05 Oct 2024 08:12:01 GMT )
Tetor 05, 2024 10:12 Europe/Tirane
  • Ulen nivelet e ujit në degën kryesore të Amazonës, shkak thatësira

Ndryshimet klimatike dhe reshjet nën mesataren e kanë lënë lumin Rio Negro dhe lumenjtë e tjerë në nivelet e tyre më të cekëta të regjistruara ndonjëherë.

Lumi në fjalë është një nga lumenjtë më të mëdhenj në botë dhe nivelet e tij të ujit kanë rënë në një nivel të ulët rekord. Për shkak të thatësirës dhe zjarreve, Rio Negro të premten ra në një thellësi prej 12.66 metrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të Brazilit. Kjo është thellësia më e vogël e regjistruar që kur matjet u morën për herë të parë në vitin 1902. Studiuesit në qytetin port Manaus, kanë frikë se nivelet e ujit mund të bien më tej ndërsa sezoni i thatësirës ka vazhduar edhe gjatë tetorit. "Situata aktuale është thatësira më e gjatë në mbi 120 vjet matje në Portin e Manaus," tha Valmir Mendonca, kreu i operacioneve të portit, për agjencinë e lajmeve Reuters.

 

Rio Negro është një degë kryesore e lumit Amazon - dhe një rrugë ujore e fuqishme. Lumi plotëson më shumë se 10 për qind të ujit në shtratin e lumit Amazon dhe është lumi i gjashtë e më i madh në botë për nga shkarkimi mesatar i tij.  Ai është gjithashtu lumi më i madh i ujërave të zeza në botë, me një shtresë bimore të kalbur që i jep rrymave të tij një ngjyrë karakteristike të errët. Por thatësira e madhe ka tkurrur Rio Negro dhe rrugët e tjera ujore për në Amazon, duke krijuar një krizë mjedisore dhe ekonomike. Shkencëtarët besojnë se ndryshimi i klimës ka përkeqësuar kushtet e zakonshme të sezonit të thatë, duke lënë shtretërit e lumenjve të thatë, varkat të bllokuara dhe kafshët ujore në breg të lumit.  Disa ekspertë i thanë mediave lokale se Rio Negro mund të bjerë nën 12 metra para fundit të muajit. Matjet e së premtes tejkaluan rekordin e më të ulët të vendosur vitin e kaluar gjatë sezonit të thatësirës. Degët e tjera të Amazonës - duke përfshirë lumin Solimoes, i cili kryqëzohet me Rio Negro - kanë përjetuar gjithashtu nivele të ulëta historike të ujit. Thatësira kërcënon të shkaktojë një krizë humanitare për më shumë se 40 milionë njerëz që jetojnë në dhe përreth Amazonës. Banorët mbështeten tek lumenjtë jo vetëm për ujë të pijshëm dhe larje, por edhe për transport dhe ushqim.

 

Pronari i restorantit Erick Santos i tha gazetës O Globo se bizneset në komunitetin e tij Puraquequara, i vendosur përgjatë Rio Negro, janë shkatërruar nga thatësira. Artikujt ushqimorë bazë janë kanë mungesa. “Të ardhurat tona kanë rënë me 50 për qind,” tha ai për gazetën. “Në fundjavë, ishte e zakonshme që njerëzit të hidheshin në lum. Tani gjithçka është tokë.” Studiuesit kanë raportuar gjithashtu se kanë gjetur delfinë të ujërave të ëmbla të ngordhur përgjatë brigjeve të lumenjve, për shkak të thatësirës. Në muajt e fundit, pylli tropikal i Amazonës është duke luftuar me reshjet nën mesataren dhe zjarret e shkaktuara nga njeriu që kanë shkatërruar shtresën e dendur të pemëve, duke prishur ambientin tropikal. Sipas raporteve të qeverisë muajin e kaluar, 59 për qind e Brazilit po vuan efektet e thatësirës.

 

"Kjo është hera e parë që një thatësirë ​​ka prekur të gjitha zonat nga veriu në juglindje të vendit," tha në një deklaratë Ana Paula Cunha, një studiuese në Qendrën Kombëtare për Monitorimin dhe Paralajmërimin e Hershëm të Fatkeqësive Natyrore.  "Është thatësira më e ashpër dhe më e përhapur në histori."

 

 

Tags