Orban në Parlamentin Europian: Fusni Serbinë në BE, dhe Ballkani stabilizohet!
(last modified Wed, 09 Oct 2024 18:43:23 GMT )
Tetor 09, 2024 20:43 Europe/Tirane
  • Orban në Parlamentin Europian: Fusni Serbinë në BE, dhe Ballkani stabilizohet!

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vendi i të cilit e mban presidencën e radhës së BE-së, kritikoi bllokun në seancën plenare të Parlamentit Europian, duke thënë se nuk po i mban premtimet e bëra vendeve të Ballkanit përpara 20 viteve, duke veçuar sidomos rastin e Serbisë.

“Duhet të fokusohemi sidomos tek Serbia. Pa Serbinë, nuk mund ta stabilizojmë Ballkanin. Për sa kohë Serbia nuk është pjesë e Bashkimit Europian, Ballkani mbetet një rajon jostabil.”

Orban kujtoi në fjalimin e tij se dy dekada më parë, BE-ja u kishte premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor perspektivën e anëtarësimit në BE. “Presidenca hungareze është e mendimit se ka ardhur koha ta përmbushim këtë premtim”, u shpreh ai, ndërsa njoftoi zhvillimin e një samiti me Ballkanin Perëndimor.

Serbia ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009, ndërsa statusin e vendit kandidat e mori në vitin 2012, para se të fillonte negociatat në vitin 2014. Edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë filluar negociatat për anëtarësim, ndërsa Bosnje e Hercegovina mori statusin e vendit kandidat në vitin 2022. Kosova ende nuk ka statusin e vendit kandidat, dhe ka aplikuar për anëtarësim në fund të vitit 2022.

 

Tags