Tanket britanike u bashkohen forcave të NATO-s në Estoni
Pajisje të ushtrisë britanike, duke përfshirë edhe tanke, mbërritën kësaj jave në Estoni. Kjo është pjesë e një lëvizjeje të NATO-s për të parandaluar dhe për t’u përgatitur kundër lëvizjeve ushtarake ruse.
Nga mesi i muajit prill, më shumë se 800 trupa britanike dhe gati 300 trupa franceze do të vendosen në Estoni. Të shtunën, mjetet e rënda të NATO-s të blinduara të forcave të armatosura franceze janë dërguar në Estoni. Një kontigjent danez do të zëvendësojë trupat franceze më vonë këtij viti. Nga ana tjetër, të paktën 1.350 ushtarë amerikanë, britanikë dhe rumunë janë dërguar nga një bazë në Gjermani drejt Polonisë. Komandantët amerikanë thanë se trupat ishin të gatshëm “për të penguar veprimet agresive ruse”. Tensionet mes Rusisë dhe perëndimit janë përshkallëzuar gjatë dy viteve të fundit, për shkak të zgjerimit të NATO-s drejt kufijve rusë dhe veprimeve të Rusisë në Ukrainë dhe Siri që nga fundi i vitit 2015.