Putin pret Tillersonin
Edhe pse më herët ishte raportuar se nuk do të ketë takim, presidenti i Rusisë Vladimir Putin është takuar të mërkurën me sekretarin amerikan të e Shtetit Rex Tillerson, njoftoi Kremlini zyrtar.
Në takim po merr pjesë edhe shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov. Këtë njëkohësisht e kanë konfirmuar zëdhënësi i Putin, Dmitrij Peskov dhe ambasada amerikane në Moskë, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Ndryshe, para vizitës së Tillerson në Moskë ishte thënë se presidenti Putin nuk do të takohet me Tillerson. Ky i fundit gjatë ditës është takuar me shefin e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov. Lavrov me këtë rast akuzoi Uashingtonin se ka kryer sulm jo ligjor në territorin e Sirisë. “Ishte ky një fillim ogurzi i vizitës së Tillerson, e para vizitë në Rusi e ndonjë zyrtari të kabinetit të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump”, thekson AP. Tillerson në takim me Lavrov porositi se linjat e komunikimit ndërmjet dy shteteve do të mbeten gjithnjë të hapura, duke vlerësuar se takimi i sotëm mbahet në një moment të rëndësishëm, në mënyrë që Rusia dhe SHBA-të të mund të precizojnë fushën e interesit të përbashkët.