Dorëheqja e kryeministrit të Sllovakisë
Kryeministri sllovak, Robert Fico, ka deklaruar se është i është i gatshëm të japë dorëheqjen nëse presidenti pranon që koalicioni aktual të vazhdojë qeverisjen pa mbajtur zgjedhje të parakohshme.
Fico ka thënë se ai është gati të prezantojë një kandidat për kryeministër nga partia e tij. Deklarata e tij vjen pas skandalit të shkaktuar nga vrasja e gazetarit sllovak, Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, Martina Kusnirova. Kuciak ishte duke hetuar korrupsionin qeveritar kur është vrarë. “Sot kam ofruar dorëheqjen time te presidenti i republikës”, ka thënë Fico në një konferencë për media. “Nëse presidenti pranon, jam i gatshëm të dorëhiqem nesër”, ka shtuar ai. Ministri i Brendshëm Robert Kalinak dha dorëheqjen dy ditë më parë, pas presionit nga partneri në koalicion “Most-Hid”. Vrasja e dyfishtë ka tronditur Sllovakinë dhe thirrjet për një hetim të ngjarjes kanë qenë kryefjalë e këtyre ditëve. Ndërkohë të premten pati protestat anti-qeveritare në Bratislavë, që mendohet të jenë më të mëdhatë në vend që nga rënia e komunizmit në 1989.