Kremlini mohon paralajmërimet e Trump për Putinin
Zëdhënësi i Kremlinit mohoi lajmin e disa mediave se presidenti amerikan ka paralajmëruar presidentin rus.
Dmitri Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha të shtunën se janë të pavërteta lajmet se presidenti amerikan Donald Trump gjatë një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, ka paralajmëruar se në rast të një gare të armatimeve bërthamore, Uashingtoni do të dilte fitues. Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se bisedimet midis dy vendeve janë konfidenciale dhe pala ruse nuk është e gatshme të publikojë përmbajtjen e tyre. Kremlini ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin vazhdon të jetë i gatshëm të mbajë një samit me homologun e tij amerikan, Donald Trump, pavarësisht dëbimit masiv të diplomatëve rusë nga vendet Perëndimore. “Kjo varet nga Amerika, por Rusia vazhdon të jetë e hapur”, për një takim të tillë, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. Peskov po ashtu ka thënë se Rusia nuk ka informacione rreth gatishmërisë së Trumpit për t’u takuar me Putinin, pas vendimit të Uashingtonit për të dëbuar mbi 60 diplomatë rusë.