Familja kërkon dorëzimin e gazetarit Khashoggi
(last modified Mon, 05 Nov 2018 08:15:40 GMT )
Nëntor 05, 2018 09:15 Europe/Tirane
  • Familja kërkon dorëzimin e gazetarit Khashoggi

Arabia Saudite pranoi që bashkëpunëtori i gazetës “The Washington Post”, Jamal Kashoggi, ka vdekur. Mediat shtetërore saudite thanë se Khashoggi vdiq pas një zënke në konsullatën saudite në Stamboll, dhe njoftuan se do të zhvillohen hetime.

Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve në Arizona se ky është një hap i parë i madh. Ai shtoi se ekzistojnë megjithatë pikëpyetje të tjera për sauditët dhe se do të bashkëpunohet me Kongresin për këtë çështje. Familja e gazetarit të vrarë i bëri thirrje Arabisë Saudite të dorëzojë trupin e gazetarit Khashoggi, në mënyrë që të kryhet menjëherë autopsia. Raportet fillestare treguan se zoti Khashoggi u vra më datë 2 tetor. Qeveria saudite tha se ka shkarkuar pesë zyrtarë të lartë dhe ka arrestuar 18 sauditë të tjerë si pasojë e hetimeve fillestare. Ndër të shkarkuarit është Saud al-Qahtani, një këshilltar i afërt i princit, si dhe zëvendës drejtori i shërbimit të zbulimit, Gjeneral Major Ahmed al-Assiri. Në Uashington, protestuesit marshuan nga Shtëpia e Bardhë drejt Departamentit të Shtetit për të kërkuar një përgjigje më të ashpër nga administrata Trump pas njoftimeve nga Turqia se zoti Khashoggi u vra dhe u copëtua brenda konsullatës saudite në Stamboll më datë 2 tetor, nga një ekip saudit prej 15 vetash që hynë në Turqi dhe u larguan me një avion të posaçëm po atë ditë.

Tags