Arabia Saudite ble pesë luftanije nga Spanja
Industria Ushtarake e Arabisë Saudite (SAMI) ka njoftuar të mërkurën se ka nënshkruar një marrëveshje me prodhuesin spanjoll të anijeve, Navantia, për ndërtimin e pesë luftanijeve për marinën saudite.
Marrëveshja, e shpallur më herët këtë vit, është kontrata e parë ushtarake e nënshkruar nga mbretëria saudite me një vend të huaj, që nga vrasja e gazetarit arab Jamal Khashoggi, që u pasua me një protestë globale. Pavarësisht ndarjes së opinionit politik në Spanjë për këtë çështje, ceremonia e nënshkrimit u mbajt të martën në Riad. Jamal Khashoggi, një kolumnist i Uashington Post dhe njëkohësisht kritik i qeverisë saudite dhe sundimtarit të saj de facto, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, u masakrua në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor. Industria spanjolle e mbrojtjes është nën trysni për furnizimin me armë të Arabisë Saudite, për shkak të shqetësimeve se përdorimi i tyre po shkakton viktima civile në Jemen.