Gjiri Persik/ Gjermania i thotë "nein" Francës
Berlini nuk pranoi të bashkohet me misionin detar evropian të udhëhequr nga Franca në ngushticën e Hormuzit.
Ministria e Jashtme gjermane njoftoi se Berlini nuk do të merrte pjesë në misionin detar evropian, të udhëhequr nga Franca, në Gjirin Persik dhe se do të mbështeste iniciativën vetëm në nivelin politik. "Ushtria gjermane nuk do të marrë pjesë, për momentin, në këtë mision ushtarak. Gjermania e mbështet këtë iniciativë politikisht, "tha Ministria e Jashtme gjermane. Sipas agjencisë kombëtare gjermane DPA, "ushtria gjermane do të bashkohet me këtë mision veçse nëse ai drejtohet nga i gjithë Bashkimi Evropian. Por ky nuk është akoma rasti". Franca është i vetmi vend që nisi këtë mision detar në Gjirin Persik me Abu Dhabin si bazë të saj. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara filluan një mision vëzhgimi detar në korrik në ujërat e Gjirit Persik. Sipas Marinës amerikane, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Shqipëria, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni janë bashkuar deri më tani në këtë aleancë detare, qendra e komandës e së cilës është në Bahrejn.